Te ne mungesën e rezultateve e mbështjellim me lloj-lloj justifikimesh, ashtu siç po ndodhë edhe me kryeministrin e vendit. Por, logjika opozitare dhe frustrimet kolektive sociale të masave, kanë një repart tjetër psikologjik ku përpunohen agjendat e atakimit dhe mobilizimit për beteja të reja politike
Nga Emin AZEMI
Klasa politike në Maqedoni, sidomos ajo në pushtet, nuk duhet të ndjehet shumë e relaksuar nga satisfaksioni i arsyeve që çuan në refuzimin e datës së negociatave me BE-në. Të gjithë faktorët seriozë politikë në Bruksel, por edhe në Uashington e përcollën me keqardhje këtë refuzim, por nga ana tjetër, ka edhe një të vërtetë tjetër që është e maskuar dhe që nuk plasohet shumë në opinionin e jashtëm dhe në qarqet diplomatike. Ajo e vërtetë lidhet drejtpërdrejt me kapacitetet qeverisëse, me reformat e premtuara dhe me një mori masash të tjera që ishin ‘kuaj beteje’ të fushatës zgjedhore të Zaevit, para se të vinte në pushtet.
Për një politikë serioze mjaftojnë rezultatet të jenë tregues real nëse ajo i ka përmbushur apo jo objektivat. E keqja është se te ne mungesën e rezultateve e mbështjellim me lloj-lloj justifikimesh, ashtu siç po ndodhë edhe me kryeministrin e vendit. Ai tash më e ka të parapërgatitur përgjigjen ndaj sulmeve të të gjithë gjithë atyre që kërkojnë rezultate në ekonomi, në bujqësi, në shëndetësi, në uljen e papunësisë, në ngritjen standardit të punëtorëve, në frenimin emigrimit jashtë vendit, në kujdesin social ndaj pleqve etj. Kryeministri ynë duke qenë i vetëdijshëm për këto boshllëqe në punën e tij si udhëheqës qeverie, e ka në maje të gjuhës justifikimin, kurse përgjigja që erdhi nga Brukseli për mos caktimin e fillimit të negociatave me BE-në, sikur e konfirmon justifikimin tij.
Kjo situatë mund t’i përshkruhet si fat kryeministrit Zaev, por logjika opozitare dhe frustrimet kolektive sociale të masave, kanë një repart tjetër psikologjik ku përpunohen agjendat e atakimit dhe mobilizimit për beteja të reja politike. I ndodhur në mes të presionit të brendshëm dhe joparimësisë së duhur të një pjese të politikës europiane ndaj Shkupit, sidomos asaj franceze, Zoran Zaevi ka dy rrugë: ose të bëjë një koalicion më të gjerë parazgjedhor, ose të pranoj humbjen, si lojtar i vetëm, përballë VMRO-së.
Justifikimet në të ardhmen do të jenë të paefektshme nëse politikanët nuk e kuptojnë seriozisht se rruga eurointegruese është edhe një test për rezultatet e arritura në planin brendshëm. Kësaj radhe kaluam lehtë. Europa pati mosmarrëveshje në mes veti dhe mund të thuhet se Makroni tërthorazi iu ndihmoi politikanëve tanë që të shikohen edhe njëherë në pasqyrë paar se ti kritikojnë të tjerët për dështimet në shtëpi.
Presioni i opinionit publik dhe i shoqërisë në përgjithësi në të ardhmen duhet orientuar në krijimin e një mendimi kritik që thotë se politikat qeverisëse testohen paraprakisht brenda dhe ato pastaj marrin edhe konfirmim ndërkombëtar. Ndryshe edhe nuk ka logjikë, sepse, fundja, politikanët vinë në pushtet me votat që i marrin për premtimet e dhëna gjatë fushatave zgjedhore. Nuk besojmë se do të ketë edhe një arsye të shtesë të besojmë se justifikimet do të jenë ato që një politikan do ta mbajnë për një kohë të gjatë në pushtet, nëse nuk përgatit strategji dalëse, që do ta mobilizonte atë pjesë të fjetur të institucioneve, prej ku edhe priten më tepër rezultatet. (koha.mk)