Bujar KURTAJ
Shkup, 22 nëntor – Jusra Ademi, është njëra prej sportiveve më të talentuara në vendin tonë. 13-vjeçarja nga Shkupi, e cila merret me sportin e karatesë deri më tani ka një bollëk të medaljeve, kupave dhe mirënjohjeve, të cilat i ka arritur ti fitojë për vetëm gjashtë vite. Derisa, është kampione e pakotenstueshme e Maqedonisë në kumite (lufta). E themi këtë pasi Jusra me karate ka filluar të merret në vitin 2010, kur kishte vetëm 7-vjeç. Hapat e parë i ka bërë te Klubi i Karatesë “Forca” nga Shkupi nën drejtimin e trajnerit Muharem Imeri, ndërsa për gazetën KOHA, ajo i rrëfen hapat e parë me këtë sport dhe arsyet se pse vendosi të merret me karate dhe jo me ndonjë sport tjetër. “Fillimet e mia me sportin e karatesë janë nga viti 2010 në moshën 7-të vjeçare edhe atë në Klubin e Karatesë ‘Forca’ nga Shkupi nën drejtimin e trajnerit Muharem Imeri. Dëshira apo ideja që të merrem me karate lindi nga filmat ku si e rre i shikoja shumë. Aty më hyri në zemër ky sport dhe vendosa tua them edhe prindërve të mi se dua të regjistrohem në ndonjë klub. Fatmirësisht prindërit e mi më përkrahën në këtë drejtim edhe pse realisht ata nuk besonin se unë mund të arrij atë që deri më sot e kam arritur. U regjistrova te KK ‘Forca’ ku edhe sot e kësaj dite jam pjesë e saj”, tregon për gazetën KOHA fillimet e para me karatenë Jusra.
Fitorja e parë në Elbasan
Pasi filloi me këtë sport, erdh radha që Jusra të merr pjesë në turnirë. Dhe, pjesëmarrja e parë e ishte turniri ndërkombëtar, i cili u mbajt në Elbasan. Aty Jusra mori pjesë si anëtar e KK “Forca” në kategorinë kumite (lufta). Edhe pse konkurrenca ishte e madhe dhe ajo po debutonte në një eveniment të tillë, Jusra shkëlqeu duke u plasuar në pozitën e parë. “Turniri ndërkombëtar në Elbasan ishte i pari prej kur kisha filluar të merrem me këtë sport. Sigurisht se kisha emocione, por ato u larguan në momentin kur fillova luftën. Fatmirësisht edhe pse konkurrenca ishte e madhe, arrita të plasohem në pozitën e parë dhe të shpallem më e mira në kategorinë time. Gëzimi ka qenë i madh si tek unë poashtu edhe tek trajneri, por më shumë te babai im, i cili ishte me mua në këtë turnir. Kuptohet këtë fitore ia dedikova atij”, tregon Jusra. Vlen të përmendim edhe atë se pas turnirit ndërkombëtar në Elbasan, Jusra shkëlqeu edhe në turnirin ndërkombëtar për nder të “28 nëntorit” ditës së flamurit dhe 100 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Shqipërisë duke u shpallur karateistja më e mirë në lufta. Derisa, medalje të shumta fitoi në disa turnirë të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
Gjashtë medalje në Kupën Botërore për fëmijë në Turqi
Koleksioni i medaljeve vazhdoi për Jusrën. Ndërsa në radhë ishte Kupa Botërore në Turqi për fëmijë. Aty karateistja e talentuar arriti të fitojë gjashtë medalje të arrit në disiplinat, “Makiavare”, Kumite, Kata dhe “Shobu Ipon”. “Atë që arrita ta bëj në Turqi, nuk e kishte bërë askush deri më tani, por as edhe në kategorinë e meshkujve. Arrita të fitojë gjashtë medalje të arit në disiplina të ndryshme. Kjo ishte diçka fantastike dhe asnjëherë nuk do ta harroj”, nënvizoi më tej Ademi.
Kampione Ballkanike në Herceg Novi
Suksesi në Turqi ishte paralajmërim i asaj që Jusra do ta bën në Kampionatin Ballkanik për fëmijë i cili u mbajt në Hereg Novi të Malit të Zi. Në një konkurrencë jashtëzakonisht të madhe, karateistja nga Shkupi arriti të shpallet kampione ballkanike. “Në një konkurrencë të madhe ku morrin pjesë mbi 10 shtete dhe mbi 600 garues, arrita të shpallem Kampione e Ballkanit. Aq shumë isha e përgatitur sa që nuk kisha probleme të arrij këtë sukses të madh. E them këtë pasi në xhiron e parë isha e lirë, ndërsa në të dytën dhe të tretën në luftën për gjysmëfinale arrita ti mund garueset nga Bosnja e Hercegovina me 5-1 dhe 3-0, kurse në finale fitova garuesen nga Turqia me rezultatin e thellë 7-0. Edhe pse isha debutuese në fund u shpalla më e mira edhe atë me plot meritë”, tregon Jusra.
Në anën tjetër për KB në Herceg Novi, Jusra në vitin 2015 u shpall më e mira në Erzurum të Turqisë, pastaj në turnirin tradicional “Struga Open”, Trofeun e Beogradit fitoi katër medalje të arrit, Samobor ‘Granc Prix Croatia” u shpall më e mira në kategorinë kata dhe kumite. Ndërkohë, në vitin 2017 Jusra e zuri vendin e parë në Çaçak të Serbisë ku morën pjesë mbi 700 karateist, u shpall Kampione e Maqedonisë, kurse në Kampionatin Ballkanik bë Stamboll u shpall nënkampione dhe fitoi medaljen e bronztë në kata. Githashtu Jusra është edhe reprezentuese e Maqedonisë dhe merr stipendion nga viti 2015 nga Agjencia për Rini dhe Sport.
E shkëlqyer edhe në shkollë
Krahas angazhimeve të shumta që I ka në sportin e karatesë, Jusra është e suksesshme edhe në mësime. Ajo është nxënëse në shkollën fillore “Adem Jashari” dhe ka një sukses të shkëlqyeshëm. “Edhe pse jam e angazhuar në gara dhe stërvitje, nuk e kam lënë anash as shkollimin. Jam nxënëse e shkëlqyeshme dhe në anën tjetër kam mbështetje të madhe edhe nga kujdestari i klasës Gani Ahmeti, nga shokët dhe shoqet, familja para se gjithash dhe kryetarja e KK ‘Forca’ Shkodrane Dardhishta”, përfundoi Jusra.
Ndërkohë, në vitin 2018 Jusrën e presin edhe shumë gara tjera, duke filluar nga turniri i fuqishëm ndërkombëtar bë Samobor të Kroacisë ku do të marrin pjesë mbi 1500 garues. Sipas Jusrës kjo garë do të jetë gara më e fortë ku pret një paraqitje të mirë dhe kuptohet medalje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.