Shtip, 19 dhjetor – Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës kanë zënë vendin e parë në “Ditët e gjykimit të simuluar”, garë kjo që të premten u zhvillua në qytetin e Shtipit. Edhe pse garat u zhvilluan në gjuhën maqedonase, studentët e juridikut të UT-së dolën të parët, për herë të parë në këto gara që pothuajse zhvillohen për çdo vit, ndërsa mbështeten nga misioni i OSBE-së në Maqedoni. Në këtë garë të ngushtë, ku merrnin pjesë edhe studentët më të mirë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” i Shkupit, ai i Manastirit, UEJL-së dhe Universitetit të Shtipit, dy profesorët e Juridikut të UT-së, Arta Bilalli dhe Qebir Avziu me punën e palodhshme dhe me përkushtim të madh arritën të tregojnë se edhe studentët e UT-së mund të marrin notën 10 në nivel republikan, madje duke e tejkaluar edhe “Shën Kirilin dhe Metodin”, universitetin më të njohur në Maqedoni. “Vendi i parë i studentëve të Juridikut është mburrje jo vetëm për Universitetin e Tetovës, por edhe mbarë shqiptarët e Maqedonisë, sepse gara ishte e ngushtë dhe domethënëse. I jemi mirënjohës dy profesorëve tanë të shkëlqyeshëm, Arta Bilalli dhe Qebir Avziut, të cilët nuk kursyen asgjë për të na dhënë më të shtrenjtën – dijen”, thonë studentët që morën notën 10 në garën e ashtuquajtur “Ditët e gjykimit të simuluar”. (koha.mk)