Një tjetër djalosh me mjaft elan dhe talent në fushën e fitnesit dhe bodybuilding-ut është dhe Jurgen Veizi. Ai është nga Tirana dhe ka kohë që merret me këtë sport, ndërkohë që po ndanë këshillat e tij për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar shumë gjëra si për fillestarët, ashtu edhe për të tjerë të cilët merren me fitnes. Lexojmë së bashku këshillat e tij sepse verën e kemi përpara…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: ushtrimet fizike janë të ndara në dy grupe: me peshë të trupit dhe me peshëngritje (tega), a mund të na tregoni cila nga këto është më efektive?
E rëndësishme nga të gjitha është të stërvitesh e më pas të zgjedhësh se cila është mënyra e të stërviturit. Dy nga mënyrat më klasike të trajnimit janë me pesha dhe tjetra me pesha trupore. Ushtrimet me peshën trupore janë efektive dhe mbi të gjitha nuk të duhet asnjë vegël apo shpenzim për abonime nëpër palestra për sa kohë përdorë peshën tënde trupore si mënyrën për të stërvitur kudo. Për të gjithë ata që janë fillestarë stërvitja me pesha trupore është më e thjeshtë sesa stërvitja me pesha, gjithashtu me peshë trupore mund të modifikohet duke marr parasysh nivelin tuaj pra mund të ndërtosh një trup të bukur vetëm duke u stërvitur me peshën trupore por jo kur je 150 kg, unë personalisht do të zgjidhja stërvitjen me pesha sepse kjo është dhe mënyra që unë stërvitem dhe trajnoj klientët e mi në 90% të rasteve, kjo mënyrë stimulon rritjen e masës muskulare dhe stabilitetin si dhe ndihmon për të formuar një trup të fortë dhe të mirë balancuar, gjithashtu rrit densitetin e kockës, fortëson tendinat si dhe fortëson metabolizmin, por duhet bërë kujdes gjatë stërvitjes me pesha dhe duhet të punojmë gradualisht duhet të përqendrohemi shumë tek mënyra e ekzekutimit të ushtrimit për këtë lloj stërvitje, pasi është tepër lehtë të dëmtohesh.
KOHA: Do të thotë se për ndërtim më të shpejtë të muskujve dhe definim të tyre, është më mirë të ushtrohet me peshë trupore?
Po stërvitja me pesha trupore teknikisht djegë yndyrë por nëse qëllimi juaj është të ndryshoni trupin duke u definuar dhe ndërtuar masë muskulore vetëm me stërvitje me peshë trupore do të jetë e pamundur të arrini. Në mënyrën që të djegim yndyrë dhe ndërtojmë masë muskulore na duhet mbingarkesë progresitve, shpjeguar ndryshe është rritja graduale e peshës që vendoset në trupin tuaj gjatë ushtrimeve. Një fillestar duhet të fillojë squar me peshën e trupit për të forcuar muskujt dhe më pas do të përparojë me një peshë të lehtë e me kalimin e kohës duke rritur peshën për të ndërtuar një trup më të bukur dhe të shëndetshëm.
KOHA: Muskujt e barkut ndërtohen në kuzhinë e jo në palestër, a mund të na tregoni si trajner fitnesi profesionist, sa e vërtetë është kjo thënie?
Shprehja “Muskujt e barkut ndërtohen në kuzhinë” i referohet faktit që çfarë ne hamë ka një impakt shumë të madh në humbjen e peshës sesa çdo ushtrim tjetër që ne mund të bëjmë. Por unë do të thoja se muskujt e barkut ndërtohen në palestër dhe shfaqen në kuzhinë. Nëse kemi masë yndyrore ndryshe dhjam që mbulon zonën e barkut është shumë e vështirë për të pasur six-pack apo 8-pack. Mund të bëjmë 2000 muskuj barku dhe ushtrime me pesha të rënda për të forcuar strukturën muskulore të barkut, por vetëm nëse djegim masën dhjamore që mbështjell barkun mund të shikojmë muskujt ndryshe ata nuk do duken asnjëherë. Për të djegur masë yndyrore (dhjam) duhet të alternojmë stërvitjen me pesha me një regjim ushqimorë me deficit kalorishë që do të thotë të djegim më shumë kalori sesa marrim.
KOHA: Çfarë ushtrimesh apo ushqimesh do t’u këshillonit personave të cilët duan trup të definuar?
Duhet të mbajmë një regjim ushqimorë strikt me deficit kalorik, të stërvitemi me pesha 4-6 herë në javë dhe të kemi një regjim gjumi të paktën 7-8 orë gjatë natës. Për të patur kalori deficit është e thjeshtë: Djegim 250 kalori duke u stervitur dhe hamë 250 kalori më pak = 500 kalori më pak. Duhet të ulim gradualisht kaloritë jo në mënyrë të menjëhershme. Duhet të marrim më shumë kalori nga proteinat (të cilat i gjejmë tek mishi i bardhë, peshku, kosi pa yndyrë, e bardha vezës si dhe nga proteina pluhur e pastër) dhe më pak nga yndyra ( të cilën e gjejmë tek vaj ulliri, vaj kokosi, avokado dhe frutat e thata) dhe karbohidratet ( të cilat i gjejmë te orizi, tërshëra, makaronat integrale, quinoa dhe frutat). Stërvitja duhet intenzive për të djegur kalori extra por mund të kombinohet dhe me ushtrime cardio. Ushtrimet që na ndihmojnë të djegim më shumë kalori dhe të shtojmë masë muskulare janë: squat, dead-lift, bench press, military press, pull ups, chin ups. Gjëja më e rëndësishme është të bëjmë durim sepse gjërat e mira vijnë avash avash.
KOHA: Cila është më e preferueshme gjatë ushtrimeve fizike: uji apo lëngjet e ndryshme?
Trupi duhet të jetë i hidratuar me ujë përpara gjatë dhe mbas stërvitjes. Uji ndihmon si lubrifikant për nyjet si dhe për të rregulluar temperaturën e trupit. Ndihmon për përthithjen e nutrienteve që ne na japin energji si dhe na mbanë të shëndetshëm. Nëse nuk je i hidratuar trupi nuk mund të performojë në nivelin e tij më të lartë.
KOHA: Duke marrë parasysh se jeni shumë aktiv edhe online dhe të hapur për personat të cilët kërkojnë këshilla rreth kësaj fushe, sipas eksperiencës me këta persona, a mund të na tregoni cili është gabimi më i shpeshtë që bëhet nga fillestarët?
Meshkujt mendojnë se për të pasur trup të bukur duhet të stërviten vetëm për zonën e gjoksit dhe të krahëve si dhe të mundohen mos të hanë ëmbëlsira, gjithashtu të gjithë rezultatin e duan për një afat kohorë prej 3 muajsh. Mendojnë se po të marrësh suplemente bën trup me buton. Thonë që mbajnë dietë por në darkë pinë birra dhe hanë qofte. Ndërsa tek femrat të gjitha duan të kenë vithe perfekte dhe bel të hollë. Mendojnë se po të bësh stërvitje me pesha të rënda bëhesh me muskuj të theksuar si bodybuilder dhe këtë gjë nuk e duan. Shumica thonë “dua një program që të bie nga pesha por mos të dobësohem në fytyre dhe mos të më bie gjoksi, të fryen vithet por pa u stërvitur me pesha sepse nuk duan të bëhen topa topa” dhe nuk rrinë dot pa ngrënë ëmbëlsira (pra duan një magji ose operacion plastik). Madje të gjitha këto i duan ti arrijnë në një kohë shumë të shkurtër, sepse ose kanë një dasëm ose kanë ditëlindje ose do të konkurrojnë me një femër tjetër në një event, (qesh).
KOHA: Mund të bëhet shkrirja e yndyrës apo humbja e peshës edhe pa inkuadrimin e makinave kardiovaskulare në program?
Patjetër që po, mënyrat për të rënë nga pesha janë të shumta. Psh: vrap në natyrë, boks, not, cirkuite me peshë trupore, makineri cardio (pistë, step, biciklet statike) kërcime por mënyrë tjetër është dhe pa bërë cardio fare por duke kontrolluar sasinë e kalorive që marrim. Dhe për më tepër me cardio nuk djegim dot aq shumë kalori sa për të humbur peshë, prandaj duhet të sigurohemi që stërvitja me pesha të jetë intensive dhe të kemi nën kontroll kaloritë që marrim. Diçka tjetër që dua të shtoj, hiqni dorë nga alkooli, ëmbëlsirat dhe ushqimet e konservuara sepse jo vetëm që ju shëmtojnë trupin nga jashtë por e dëmtojnë akoma më shumë nga brenda. Sa më shumë ushqim të mirë, gjumë të rehatshëm, sex dhe sa më shumë stërvitje që të jetoni gjatë dhe të lumtur, (qesh).