Mançester Junajtid këtë sezon ka zhgënjyer sërish pritshmëritë e tifozëve, ndërsa skuadra ndeshje pas ndeshje në Premier League tregon se i mungon cilësia për të konkurruar në nivelet më të larta. Drejtuesit e “Djajve të Kuq” deri në këto momente janë treguar shumë të duruar me masat ndaj lojtarëve dhe stafit teknik, megjithatë nëse rezultatet nuk ndryshojnë atëherë shkarkimi i trajnerit Ole Gunar Solskjaer është i paevitueshëm.
Trajneri norvegjez pavarësisht përpjekjeve, do ishte i sakrifikuari i parë. Ndërkohë, mediat britanike kanë treguar edhe se ideja e Junajtid është që në pankinë për sezonin e ardhshëm të ulin trajnerin e Kombëtares, Garet Sauthgejt. Sigurisht, pasi të përfundojë edhe Europiani, duke qenë se tekniku nuk mund ta lejë përgjysmë aventurën e tij në krye të “tre luanëve”.
Kështu, Sauthegejt ka parakaluar ish-teknikun Mauricio Poçetino në këtë garë, ndërsa strategjia e tij do ishte promovimi edhe më shumë i talenteve të skuadrës. Kjo pasi, drejtuesi i Junajtid, Uduart është i befasuar nga mënyra si Sauthegejt ka evoluar futbollistët te Anglia.