Mançester Junajtedi i ka bërë një kërkesë zyrtare Çellsit për të marrë mesfushorin Uillian, por kampionët e Anglisë në fuqi nuk duan të privohen nga braziliani gjatë merkatos së janarit. Vetë Uillian i garantoi tifozët, pas ndeshjes kundër Hadersfild, se ndihej i dashuruar me ta dhe “Stamford Bridge”, por braziliani mund të pranojë të punojë me Hoze Murinjos, duke qenë se nuk ka pasur shumë mundësi nga Antonio Konte në këtë sezon. Junajted ka bërë një ofertë zyrtare për 29-vjeçarin, edhe pse arritja e marrëveshjes duket shumë e vështirë, sepse Çellsi ka mungesë futbollistësh në repartin e avancuar. Miçy Batshuaji është pranë huazimit te Monako dhe kësisoj “blutë” nuk mund të tolerojnë një tjetër largim në janar. Gjithsesi, ekzistojnë të gjitha gjasat që gjatë verës së ardhshme, Uillian të transferohet në “Old Trafford”, ku e pret Hoze Murinjo, i cili e admiron që prej kohës që punuan bashkë te Çellsi, duke fituar kampionatin. Uillian ka luajtur 13 ndeshje në këtë sezon, 11 si titullar, 1145 minuta gjithsej. Ai ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 4 asistime.