Tetovë, 26 prill – Drejtuesit e kombinatit Jugohrom kërkojnë gjetjen e një kompromisi me Qeverinë dhe Ministrinë e Ekologjisë. Ata kërkojnë që paralelisht me ndërtimin e sistemit të filtrimit, të rifillojë me punë kombinati, gjegjësisht të punojnë disa kapacitete që nuk shkaktojnë ndotje, shkruan gazeta KOHA. Këtë e theksoi të mërkurën drejtori i “Jugohromit”, Valentin Skenderovski, gjatë fillimit me punë të ndërtimit të stacionit të filtrimit në fabrikën “Jugohrom”. Ai tha se problemi me vonesat për stacionin e filtrimit ka qenë për çështje administrative për sa i përket dhënies së lejes së ndërtimit.
“Tashmë kur edhe kushtet klimatike lejojnë që të punohet, punët për stacionin e filtrimit janë intensifikuar. Ky projekt nuk është i thjeshtë dhe është mjaft i ndërlikuar, që do të thotë ndërtimin komplet të reparteve të reja, sot e përfundojnë aktin e betonimit dhe me këtë do të fillohet edhe faza e dytë. Ne shpresojmë se brenda tetë muajve sistemi i filtrimit do të jetë komplet i përfunduar. A do të punojë kjo nuk varet nga ne. Disa herë kemi kërkuar që të gjejmë një gjuhë të përbashkët, edhe me Ministrinë e Ekologjisë edhe me qeverinë dhe ajo që ne formojmë është që paralelisht, me vendosjen e këtij sistemi, të punojë fabrika, të paktën furrat 7 dhe 8 që janë 50 për qind të kapaciteteve. Kjo do të kishte përfitime edhe në aspektin ekonomik dhe social për banorët e rrethinës. Deri më tash nuk kemi gjetur mirëkuptim”, tha Skenderovski. Në ndërkohë, nga Sindikata e Punëtorëve theksuan se fillimi i ndërtimit të sistemit të filtrimit është ditë e madhe edhe për punëtorët. “Punët që kanë filluar sot të kryhen, tregojnë se ne si sindikatë deri më tani, aktivitetet tona nuk i kemi bërë vetëm ndaj institucioneve, por presionet i kemi bërë edhe ndaj menaxhmentit të fabrikës dhe investitorit. Besoj se edhe institucionet si qeveria, Ministria e Ambientit, jetësor do të tregojnë mirëkuptim dhe do të sjellin një vendim për rifillim të punës”, tha Bajram Amiti, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të “Jugohromit”. Drejtuesit e Jugohromit nuk besojnë se do të vijë deri te humbja e licencës për punë, sepse duhet që vendimi të merret nga katër ministri dhe në fund të merr vendim qeveria për marrjen e licencës. (koha.mk)