Botën nuk e pret vetëm një dimër i ftohtë energjetik, por dhe ethet e enigmës së madhe se deri ku flet Moska me fjalë, e prej ku mund të bëjë të pabërën…
Nga Daut DAUTI
- Moska është sot qendra e botës! Prej andej flet sovrani i luftës dhe paqes, mungon vetëm Tolstoi ta përjetësojë.
Një mori dromcash që s’janë dromca, por kafshata të pakapërdishme. Më e pakapërdishmja është enigma! Çka fshihet prapa retorikës së Vlladimirit të Madh. Që do të rreshtohet pas Pjetrit të Madh, kjo nuk ka dilemë. E ka thënë pa e thënë. Jo me fjalë, me vepër. Sot gjithë bota flet për të, dhe nuk e di se deri ku mund të shkojë ajo që shumëkush e quan çështje psikoanalitike: ku përfundon racio dhe fillon çmenduria. Deri ku mund të shkojë ai, askush nuk ka një përgjigje.
Përgjigje i japin ata që janë të thirrur për t’iu përgjigjur. Mos kujto se vetëm ti din të kërcënohesh…Por edhe ata nuk e dinë saktë nëse bëjnë mirë me këtë, ose bëjnë keq. T’i rrish “lepe”, keq, t’i kërcënohesh, keq. Porosi e fortë e tyre për t’ia bërë me dije Vlladimirit se s’ka vetëm ai “koka”…nukleare, kuptohet.
Në hall të madh është më shumë se shumëkush tjetër, vetë ai, Vlladimiri i Madh. U sul vendit fqinj, me një qëllim të madh, ta nënshtrojë e copëtojë, për të marrë ndonjë copë territor e t’ia bashkangjesë territorit “të vogël” të Rusisë. Pak ka, sa dy-tri kontinente, do edhe më. Halli i madh për emrin e tij të madh, sepse tanket dhe gjithë blindat i mbetën në baltë rreth Kievit. Iu sul lindjes e jugut të fqinjit, mori jo pak, por ajo që mori, nisi ndërkohë të shkrihet. Një popull që mbrohet gjithsesi ka më shumë motiv ta bëjë këtë, se sa një ushtri që nuk është e bindur që bën luftë të drejtë t’i marrish fqinjit të vetën. Dhe nëse vazhdon trendi “i shkrirjes” së territoreve, e këtë e dëshmojnë largimet e ushtrive nga pozicionet e marra para pak muajsh, për Madhështinë e Vlladimirit të Madh është një ogur i zi. Gjë që ai nuk guxon ta lejojë…Dhe, vjen Mesazhi… I madh, natyrisht. S’ka se si të jetë ndryshe.
Dhe flasin me një zë, të rreptë, teatral, makabër. Flet i pari ideologu i madh i luftës, Aleksandër Dugin. Ai ka pse të flasë. Një nga viktimat e kësaj lufte të ideuar prej tij, është pikërisht vajza e tij. Ai tash më shumë se kurrë është “Për”. Për të vazhduar…Edhe për hakmarrje personale. Me një mobilizim të madh. Kthim prapa nuk ka.
Luani është më i rrezikshëm kur është i plagosur, në eufori. Kështu ndihet Vlladimiri, i Madh, natyrisht. Edhe ata përreth tij, si Medvedevi, a Lavrovi. Edhe Shojgu, të cilit iu shpërbë ushtria nëpër moçalet ukrainase. Secili deklamon tekstin e tij në teatrin e absurdit. Për ta frikësuar botën. Flasin me një zë, për atë që shumëkush as nuk duan as në ëndrrën më të keqe ta shohin. Ata krijojnë një narrativ alibie. Alibi për atë që mund ta bëjnë në çastet e një çmendurie. Ne do të mbrojmë territorin rus me gjithë çka kemi në dispozicion. E kemi madje më shumë arsenal se mund të kenë të tjerët.
Po kush e ka sulmuar territorin e Rusisë së paanë. Ukraina? Perëndimi? Askush asnjë centimetër nuk ka hyrë në territor rus.
Dhe prapë, Moska. Mobilizim i madh, 300 mijë ushtarë. Kërkohen rezervistët me përvojë, të hidhen në sulm mish për top. U tregua se okupatori nuk mund të mobilizojë sa ushtria që mbrohet dhe pas humbjeve të mëdha, mungesa në fushëbetejë u bë edhe më e madhe. Këto 300mijë duhet ta prishin balancën. Kështu është plani. Dreq o punë, ndërkohë një biletë aeroplani për të ikur nga Moska kushton pasuri të vërtetë. Deri më 9 mijë euro. Vetëm të gjendet një biletë shpëtimi, njerëzit s’pyesin për çmim. Për të ikur nga ferri që mund të pasojë për ta nëse i kapë mobilizimi. Këtë sigurisht të përmendurit më sipër nuk e kanë kalkuluar. Rusia është e madhe, edhe populli rus nuk është ai që përfaqësojnë të sipërpërmendurit.
Ukraina e vogël kundrejt Rusisë së madhe, tregon një qëndrueshmëri të paparë në mbrojtjen e territorit të vet. Deri në poshtërim, që në Moskë është ndezur alarmi. Dhe retorika e luftës së madhe. Dugini flet se ka përfunduar “operacioni special” në Ukrainë, tash Rusia lufton me botën…Putini thotë se nuk është blof…Bota e di që ai që i qaset kërcënimit nuklear shpreh dobësinë e vet, por psikoanaliza është me shumë të fshehta. Botën nuk e pret vetëm një dimër i ftohtë energjetik, por dhe ethet e enigmës së madhe se deri ku flet Moska me fjalë, e prej ku mund të bëjë të pabërën…
- Më duhet të them se jam paksa në konfuzion edhe me këtë situatën tonë. Vetëm para ndonjë kohe kishte një idil midis Danellës dhe VMRO-së. Ishin në një projekt të përbashkët. Bile ajo bënte atë që mendonte Mickovski. Por ç’ndodhi ndërkohë? A është “luga në mjaltë”, si tha Danella, apo diçka tjetër. Se janë në pyetje paratë, kjo nuk diskutohet. Tendera në buxhetin e Shkupit, s’kanë fund dhe dikush kur është në pozitë për të kontrolluar, nuk i bën ballë tundimit.
Ku plasi sherri i madh?
Po dëgjoj shumë teori konspirative lidhur me këtë. Dikush e lidh edhe me ndryshimet kushtetuese për t’i futur bullgarët në kushtetutë, por nuk mund të gjej lidhjen e prishjes së koalicionit(apo çka ishte ajo midis Danellës dhe VMRO-së), me sfidën që pret vendi? Dëgjoj dhe teori tjera se ky, ai ose ajo është “njeri i Amerikës”, por prapë logjika ka ikur diku, nuk shoh se si gjithë kjo ka lidhje me diçka të tillë.
E përmendin madje dhe azilantin e Budapestit. Kjo paska lidhje me të. Hajde merre vesh…
Pranoj, jam në konfuzion, por e di se nuk jam vetëm unë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)