Nga Dr.Mimoza AHMETI
“Gjuha përfaqëson, me një besnikëri të përkryer, metodën mendore të një populli, mënyrën e tij të zakontë për të përcjellë idetë. Gjuha nuk është një copë dru pa shpirt, është e gjallë dhe gjithë finesë. Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli… Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë në vesh çdo tog germash si një copë muzikë”. Këto janë disa porosi për bashkatdhetarët, rreth gjuhës së tyre, të autorit të madh të letrave shqipe, Faik Konica.
Faik Konica u lind më 15 mars 1875; u konsiderua nga Noli si “njeri me kulturë të gjerë”, kurse nga Apolineri një “enciklopedi shëtitëse”. Ishte një eseist i shkëlqyer, i stilit dhe sensit kritik, ndoshta nuk e teprojmë po të themi, “themelues teorik dhe praktik” i kritikës letrare shqiptare e që, në tërësi, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Këto janë disa të dhëna përmbledhur shkurt nga një përshkrim i gjerë, online, rreth këtij personaliteti, vepra e të cilit u mënjanua për shumë vite nga kontakti me lexuesin prej intensitetit introspektiv që përmbante. Por, një botim simpatik i formatit të xhepit, i edicionit Zenit, të vitit 2016, ndërtuar me shprehje të përzgjedhura, prej këtij autori, me titullin “Ju flet Konica”, u bë shkas i këtij shkrimi. Shprehjet i përzgjodhi Fotaq Andrea dhe duket se ka punuar me kujdes, për të sjellë material i cili zgjon ndjenjën kombëtare të vetëkritikës si dhe dashurinë për gjuhën (edhe presidenti ynë theksoi rëndësinë e alfabetit shqip në një takim para disa ditësh).
Libri i përket kolanës Galeria e Bibliotekave, pjesë nga koleksioni Libër dhe përmbledh qëndrime në shprehje rreth mendësisë dhe traditave shqiptare, kufizimeve dhe përmirësimeve të mundshme të stereotipit shqiptar, por ajo që veçanërisht më tërhoqi, është dashuria për gjuhën tonë, si mjet bashkimi e përçimi, të një kulturë shumë të vjetër, me një gjuhë më mundësi të gjera shprehje dhe të një autenticiteti po aq sa dhe mosha e saj. Por jo vetëm kaq: si mjet shprehjeje ajo është e lidhur me letërsinë dhe nëpërmjet saj me mundësitë e transformimit shpirtëror të kombit. Për herë të parë ky autor dallon qartë principin patriotik nga ai letrar dhe pranon se këto dy principe mund të takohen por jo gjithmonë mund të koincidojë të takohen; takimi mes tyre nuk mund të ndodhë artificialisht:
“Të studiosh një letërsi, do të thotë të marrësh pjesë kryekëput në një trashëgimi të mrekullueshme nuancash dhe elegancash të mendimit… Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent (letrar), a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje- ngaqë një qenka atdhetar i mirë- që unë të kasnecoj se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur”. “Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesit është stili”.
Autori gjithashtu e shikon gjuhën si një mjet që gdhend qëndrimin e folësit dhe tregon për shkallën e zhvillimit të tij qytetar: “Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli; sa më shumë përgjithësohen tek një popull mirësjellja, takti dhe ai qëndrim i përmbajtur për të respektuar rregullat e vendosura në një shoqëri të zhvilluar, aq më shumë pasthirrmat priren drejt zhdukjes. Si të tilla, tek formonin fjalorin e njeriut të egër primitiv, teksa i shohim aq dendur midis popullatave…, teksa ende çmohen në letërsinë e racave të ngrohta dhe komunikuese të Jugut, pasthirrmat nuk janë veçse një kujtim disi qesharak ndër shkrimtarët gjithë elegancë të shumicës së vendeve të Veriut. Në kursin e gjuhës, shkrimit dhe vetëdijes, për të cilat ai mban qëndrime, nuk harron të shprehet edhe për përkthimin, e cila është një barrë e rëndësishme e lidhjes së kulturës sonë me të tjerat, por që shumë pak i kemi vlerësuar në të vërtetë përthyesit tanë deri më tani, megjithëse frutet ua kemi shijuar. Konica, megjithatë ndalet te diçka tjetër, te cilësia dhe kriteri që duhet të ndjekë përkthyesi në metodologjinë e punës së tij: “Detyra parësore, detyra e vetme e përkthyesit është të ketë dije dhe një ndjeshmëri të tillë sa të mund të shohë e të ndjejë krejt mprehtësitë dhe ngjyrimet e tekstit origjinal, të shohë e të ndiejë idenë e autorit, as më lart e as më poshtë, si dhe ta japë përkthimin në mënyrë të tillë që të veprojë në trurin dhe nervat e lexuesit në masë të njëtrajtshme”.
Duke qenë kërkues e shumë i stërhollë kundrejt trashëgimisë që shkrimtari u lë brezave, në një mënyrë disi paraqortuese ai ka bërë edhe një lutje për shkrimtarin: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s´kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë më parë se të shkruajmë përmbi të, frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!”. Konica është një autor me një sens brendësor autokritik si ndoshta asnjë kritik i deri më sotëm shqiptar. Është ndër të vetmit që i drejtohet komunitetit të vet me një sinqeritet të pamëshirshëm për të metat që ia konstaton, sigurisht sipas parametrave të tij: “Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose një çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët…; besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht”. Por nga ana tjetër, po ky autor nuk ua ha hakun bashkëvëllezërve të tij për meritat që tregojnë dhe që janë të pazakonta në botë të tjera: “Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Europë, ku nuk ka pasur luftëra fetare”.
Konica jep porosi për përmirësime dhe mënyra se si mund të përmirësohet vetëdija kombëtare, ai përpiqet të motivojë bashkësinë e vet njerëzore: “Duhet përdorur artileria e rëndë e trurit për të çarë udhën drejt përparimit… Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme”.
Por disa herë Konica kërkon të prekë ndërgjegjen e kombasve nëpërmjet deluzionit, pakënaqësisë, kritikës, ngucjes së krenarisë, si më poshtë: “Më tepër plakem, dhe më tepër më hyjnë dyshime në do të qytetërohemi ndonjë ditë. Kam frikë se jeni të mbyllur në një qark veskeq, nga i cili s´dilni dot. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Boll me politikë: po më nxjerr rruar, qethur”. Distanca kundrejt hipokrizisë, përsosja dhe virtyti, qetësia dhe dija, janë sipas tij siguresat kryesore të jetës së arsyeshme e mirëkuptuese të qytetëruar: “Baza e çdo morali është çiltërsia dhe ndershmëria, dhe i pari nga virtytet është urrejtja kundër hipokrizisë. (Letër Apolinerit, 1905). Qetësia mbetet garancia më e sigurt e të gjitha zgjidhjeve të mira. Bota është atdheu i madh i çdo njeriu të kuptuar. Vetëm gjysmë të mësuarit kujtojnë se i kanë mbaruar mësimet”. Megjithëse autor i mendimit klasik, që supozon kazualitetin si bazë të mendimit dhe përgjithësimit, Konica të mahnit me disa pikëpamje moderne për fusha të ndryshme të aktivitetit të vetëdijes ku përfshihet edhe politika, të cilat edhe sot nuk janë dhe aq të kuptuara në mjedisin tonë: “Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij”.