Jozefina Topalli, histori apo alternativë në PD?!

Prej disa ditesh persona afer Lulzim Bashes per llogari te tij po sulmojne Jozefina Topallin pas qendrimit qe ajo mbajti menjehere pas zgjedhjeve te 30 qershorit! Nje nga zerat me serioz qe artikulon sot pro qendrimeve te Bashes eshte analisti dhe pedagogu i njohur Agron Gjekmarkaj pertej diatrribave kritike qe ai ka patur shpesh here edhe ndaj Bashes! Sot po risjellim per lexuesin nje shkrim portret qe ai ka bere per Jozefina Topallin nje figure emblematike dhe per hir te vertetes nje shkrim emblematik ndaj portretit te saj me kuriozitetin ne Gjekmarkaj mendon njesoj edhe sot si ne vitin 2015 apo mardhenjia e stabilizuar me Bashen ja ka ndryshuar shijet ? Te kete harrruar pedagogu i letersise qe “scripta manet?”

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Me shpejtësi atletësh dhe ashpërsi prej burrash hijerëndë e namuzqarë bashkohen kundër çdo reagimi të Jozefina Topallit mbështetës mediatikë të qeverisë dhe të opozitës. Ndonjë deputetet i PD-së përfoljen ndaj saj e sheh si investim të bereqetshëm për të ardhmen, sepse me CV-në personale nuk e kalon shtegun e oborrit. Ves i vjetër asaj ane sipas parimit “armiku i shefit është armiku im”.

Ndonjëherë mund ta ketë aplikuar edhe vetë Jozefina rrugës tek ngjitej. Por ky qëndrim, kjo ndodhi e përsëritur ndaj saj më shfaqet si subjekt joshës i denjë për vëmendje. Detraktorët me akses të caktuar publik duket sikur janë “shumicë”. Personalisht kam kultin e pakicës dhe misterin e besimit. Një rrugë e shkurtër “për t’i prishur” punë vetes.

Argumentet që përdoren kundër saj ngjajnë sikur janë këputur nga i njëjti fik, pavarësisht prej kah i vijnë sulmet. Mbi Berishën, por sidomos ndaj Topallit ka një teknologji motake të krijimit të kompleksit në rrafshin e të dhënit konsiderata. Pas daljes së PD-së në opozitë trashet si kordon sanitar i patejkalueshëm. Gjuha e propagandës tejet e mbingarkuar penelatash dominohet nga përzierja e gjysmë të vërtetave me gjysmë gënjeshtrat. Mishela ka favorizuar dhe ngulitur dukshëm gënjeshtrat në plotësinë e tyre.

Densiteti i tyre është kaq frenetik sa nuk lë hapësirë për ndërdyzje dhe dilema. Nuk janë të paktë ata që i marrin taze si simite të ngrohta të sapodala furre dhe ngutshëm i mbllaçitin ato. Nga mostretja gromësijnë.
Psikoza e krijuar është e tillë, aq sa, nëse guxon të bësh një analizë për Jozefina Topallin, të thuash një fjalë apo një gjykim pozitiv gati-gati të konsiderojnë si të lojtur nga fiqiri, si epik i dalë kohe!

Pak a shumë si të shkosh hipur mbi gomar për të pirë kafe në “Rogner” stolisur me shallvare e qylaf, duke kënduar këngën “Oh Mari Maria faqet gurabia”, refreni i së cilës ndërhyn në valët “whatsapp” dhe “viber”. Vështrimin e habisë ta hedhin, si distancë etike nga dekadenca, njësoj, ata që i shërbejnë Edi Ramës dhe po aq ngultazi “estetët” e pakët të Lulzim Bashës. Po ky ku e ka hallin? Ç’do? Pse?

E kundërta të jep status, të nënkupton si mendimtar të rafinuar politik, si liberal salloni, si njeri që merr vesh nga jeta, si progresist, pa të cilët nuk bën dot as Qeveria e as Opozita. Nuk e fsheh se gjatë kohës tetëvjeçare, kur ajo ishte numri dy i shtetit pa numra, edhe pse duke i njohur disa vlera themelore, ndërroja kanal kur dëgjoja Zonjën të na rrëfente se në çfarë parajse po shndërrohej Shqipëria e qeverisur nga PD-ja, sesi Sali Berisha po luftonte me përbindëshat, sa e çmendur ishte opozita e kohës etj., etj…!

Në disa raste nginjur me mërzi deri nën sqetulla e gjeja veten më afër me “progresistët” sesa me ditirambistët e saj që sot janë bërë njerëz “bashkëkohorë” dhe kanë reflektuar paq mbi “gabimet”. Nëse ata do të vazhdonin t’u rrinin mendimeve të tyre të sheqerosura me lajka, do t’u isha fort mirënjohës për koherencën, sepse do të ma kursenin kohën e këtij shkrimi. Se ndonjë dëshirë të madhe t’i mbivlerësoj politikanët ad hominem nuk kam. Por tek koherenca ndërron vrik me stinë e mot, më lind e drejta të kërkoj një të vërtetë për veten. Edhe për politikanët ka një të vërtetë, prej së cilës nuk duhen privuar.

Aso kohe e as tani ish-Kryetarja e Kuvendit nuk shfaqej si statuetat e Shën Mërisë anipse katolike ku doktrina i mëson se “po të gjuajnë në një anë, të kthesh edhe faqen tjetër”! Sa hap e mbyll sytë, bënte armiq sipas parimit të testamentit të vjetër “dhëmb për dhëmb e sy për sy”. Ata që e njohin nga afër dhe unë nuk bëj pjesë te kjo kategori, fatkeq a fatlum Zoti e di, thonë se në të përditshmen e saj politikania nga qyteti i veriut, të cilit realisht ia ka ndryshuar fytyrën e rrudhosur nxitimthi me qindra milionë euro investime dërguar atje edhe falë saj, është plot me humor, buonsens, e ardhshme, e lexuar deri në befasi, pa urrejtje për askënd, një person spontan, emotive etj.

Nuk janë të shumtë ata që besojnë këtë variant rrëfimi. Dyshime kam edhe vetë boll, ndonëse kërkoj të shoh përtej tyre, sepse Jozefina e televizionit projektohet si një grua e gjuhës së ashpër, e sulmit asgjësues dhe inatit të vazhdueshëm. Trimëria e përballjes për çështje me zarar kur burrat ulnin kokën, siç ishte tema e dekriminalizimit në agun e vet me fjalën e saj në parlament, e cila ra si vetëtimë në “qiellin pa re”, e nxjerr disi nga zona e së zakonshmes grarishte. Mjaft vetmi i pat dhuruar ai gjest. Shumë patën thënë po kjo ç’pati?!! Muaj më vonë Opozita e shndërroi në kryetezë.

Në Shqipëri, me sa duket, qenkësh punë e vështirë të mbetesh vetvetja. Se kush dreqin është ai gjeni komunikimi që i këshillon kështu këta njerëz, hajde merre vesh! Të impostohen siç nuk janë se kështu e dashka opinioni publik!!!
Fjalimet e saj si kryetare kuvendi manifestonin këtë metamorfozë të ngercosur. Kronikat e gjata si makarona spageti në televizionin publik po kaq. Diplomacia parlamentare me tejqyra nga pas me kompozimin e delagacioneve si qoka, ku këmbëkryq është ulur në kujtesë përdëllimi nga begenisja e ndonjë deputeti që si buçko a teveqel zgjaste kokën që kamera ta fiksonte pas kryeparlamentares tek përunjësisht buzëqeshte i ngopur me mirënjohje gjithashtu.

Medaljet që shpërndante me hov rishtareje nga holli i kuvendit duke qerasur disa e përjashtuar ca të tjerë me kritere amatoreske komshillëku, bënin të vetën. Siguria me tepri, mungesa e çdo dyshimi e mbysnin brishtësinë natyrale të një gruaje, duke krijuar keqkuptimin, i cili tek ajo u harlis dhe bëri të mundur pushtimin e thelbit nga aspekte të formës.
Jozefina Topalli ishte dhe është një politikane thellësisht ideologjike ndër të paktët, fakt të cilit nuk i ka bishtnuar asnjëherë. Politika pa ideologji është pa parime.

Ajo nuk ka ikur nga historia e vet dhe s’ka kërkuar histori të tjera, ky fakt meriton të quhet integritet. Përkatësia e saj, shkodrane, e djathtë, katolike, e persekutuar, e pakorruptuar, vetëdija se vjen nga një familje nga më të rëndësishmet e vendit, si dhe qendrestaria janë shenjat identitare në politikë, vetë thelbi i saj jo pak i harruar falë një PR-i agresiv.
Ajo është deputete e PD-së që nga viti i kontestuar 1996, çka nënkupton se është e tillë edhe në vitin 1997, një vit epik ky si për demokratët që e konsideruan “rebelim komunist”, ashtu edhe për ish-komunistët që rrëzojnë me votën e forcës Sali Berishën.

Pa hezitim i rri pranë të rrëzuarit, kur ish-ministrat, zëdhënësit, bashkëpunëtorët e tij filluan flirtet me sundimtarët e rinj të bindur që Berisha doli nga historia. Kur ky i fundit i thirri ikanakët përsëri, ata erdhën, të dyja palët u treguan mjaftueshëm hipokrite rreth tryezës së pushtetit. Jozefina më ngjan si dëshmitare e veseve dhe virtyteve të kësaj partie e frustuar pak prej të parave dhe e mbijetuar falë të dytave.

Për shumë demokratë ajo simbolizon vazhdimësinë si qëndrim etik, në këtë formacion, një pjesë të rëndësishme të kujtesës. Ajo nuk është larguar asnjëherë, ndaj s’ka pasur nevojë të bëjë rrugë për t’u kthyer. I ka kursyer vetes kohën e apologjive dhe shpjegimeve justifikuese. Nuk ka hipur kurrë mbi tanke revoltash dhe nuk ia ka bërë kurrë me sy “armikut”, nuk ka formuar parti si paterica qeverish, nuk ka rendur ambasadave për t’u lëçitur. Të gjithë atyre që e kanë votuar PD-në në mënyrë lineare, ajo u thotë diçka, iu kujton ndoshta traditën, trashigiminë familjare në vijimësinë e kontributeve në këtë shtet, antikomunizmin, pronën, ideologjinë, të djathtën, iu ofron një model.

Modelet nuk janë absolute, ato janë të diskutueshme. Gjatë viteve të vështira 1997-2005 është kudo prezente në aktivitetin opozitar përtej befasive të pakonkurrueshme të kohës, terrenit dhe njerëzve, duke krijuar një identitet të vetin made in Jozefina Topalli. Pas fitores merr postin e Kryeparlamentares si meritim për kontributin, por edhe si nevojë të Berishës për shpërndarjen simbolike të pushtetit sipas religjioneve.
Te Kryetari i Parlamentit përmblidhet një pushtet i madh, aureolik, honorifik, por jo ekonomik. Këtu fillon problemi i parë i madh i Jozefinës.

Të qenët jashtë lobeve ekonomike. Pamundësia për të darovitur dhe një betejë që ajo e ka fituar sipas perceptimit me trafiqet e interesave të kësaj natyre, si e pa joshur i krijonin “përbuzje” në kryeqytet.
Njëkohshëm duket se të gjithë ata që nuk kishin kurajë të ziheshin apo të shanin Berishën, të hatërmbetur e gjenin të udhës të thoshin fajin e ka Jozefina. Ajo është pengesa, ambiciozja, zemërkatrania e gjithsa e mbështjellë me verbin e saj plot laudacio për Sali Berishën e veshte me mantelin e ndikimit dhe pushtetit që nuk e kishte. Sigurisht nuk ishte e interesuar që të dukej honorifike, përkundrazi ndaj nuk i ikte autorësisë së padëshiruar. Kosto e egos për pushtet.

Për të Sali Berisha është pothuaj i pagabueshëm dhe për sa kohë kishte besimin e tij, nuk përpiqej të fitonte aleatë mediatikë. Një gabim i pastër pragmatist. Një mosbegenisje që ia kanë kthyer me artileri të rëndë. Por bashkë me hakun shpesh kanë rënë dhe vazhdojnë të bien mbi të gjylet e një aleance të pashenjtë.
Nuk e ka fshehur, duke gjykuar nga grimasat, gjestet dhe fjalët, njëfarë nënvleftësimi që mbërrin deri në përçmim për KOP-in, i cili promovoi të rinj me diploma të huaja, ndonjë prej tyre edhe serioze, të njohur të vajzës së liderit të PD-së, të cilët pa mundim në vigjilje të fitores po blinin petkat e reja për t’u bërë ministra.

Sinqeriteti është një cilësi e Jozefinës. Kjo sagë antipatie vazhdon ende, seritë e saj konsumohen në “Facebook” apo mbledhje të grupit parlamentar. Gjatë verës kemi pasur rast t’i shijojmë ato. Mjaft demokratë zemërthyer i lexojnë me nostalgji këto statuse.
Koherenca dhe jo kalkulimi ngjan të jetë një cilësi e kësaj shkodraneje që nxjerr krye, kur në politikën tonë koka i bindet vrullshëm kalkulimit. Nuk i është shmangur asnjë përplasjeje gjatë momenteve të vështira të Qeverisë Berisha.

Tre mocioneve kundër saj, të cilët me gjasë zanafillën e kishin tek intrigat e grupit të PD-së, por që anëtaret e tij fusnin bishtin nën shalë nga frika e Berishës, i ka përballuar pa i ikur sfidës, duke buzëqeshur hidhur pas fitores. Zhurma e bilbilave që plot “grazia e eleganza” u binte Bashkim Fino me të tjerë, muza e dhunshme e grave opozitare që kërkonin t’i shkulnin mikrofonin duke synuar përleshjen fizike, sharjet dhe fyerjet nga salla, me sa duket kanë investuar tek ajo adrenalinë dhe reagimin kaq të përfolur “kapnje për zhelesh”. Gabimi i njeriut të provokuar reduktohet në masën e provokimit. Imazhi i saj është cenuar në masën që është dëmtuar fisnikëria e Taulant Ballës.

Te Gërdeci, te bojkoti, te 21 janari pas Sali Berishës ajo ka marrë përgjegjësinë më të madhe para opinionit publik, por ndoshta edhe një shëlbim të brendshëm për mundësinë e të treguarit luajalitet ndaj tij, kur pakkush në ato ditë e nxirrte kokën në ekran. Mbase duhet thënë se edhe për sukseset e ish-maxhorancës së djathtë ajo ka menjëherë meritën pas Berishës. Puritanët që shohin kudo mëkat, të mbyllin veshët, se unë jam një njeri në punë të vet, që thotë ç’i do zemra e kur ia do ajo, pa llogaritur bezditë!
A është shpërblyer Jozefina Topalli për luajalitetin e saj pa kushte?!

Në vitin 2013 u vu re një pastrim nga listat i çdokujt që konsiderohej mbështetës i saj. Për herë të parë numerikisht e majta mori më tepër vota në Shkodër në ato zgjedhje, duke krijuar një efekt shokues te PD-ja, por pakkush e thotë se lista e atij qarku ishte një listë gati-gati anti-Jozefinë. Dhe kjo nuk ndodhte rastësisht, këtë e bënte Sali Berisha, njeriu të cilit i kishte shërbyer shumë dhe ishte shpërblyer prej tij, por jo aq sa ta projektonte si pasardhëse. Një Jozefinë pa mbështetës relativizohej ndjeshëm në çdo ambicie të saj, ndonëse mbështetësit të lënë hijen kur nuk të ndjekin për parime. Ndjekës të tillë ka shumë pak sot në atdheun tonë lodhur heroizmash.

Do të ishte me interes historik dëshmia që nuk mbërrin kurrë e Jozefina Topallit për këtë panoramë. Ajo publikisht nuk ka shfaqur asnjë hatërmbetje, përkundrazi justifikon me vullnet kamikaz për çdo gjë Berishën, duke mbrojtur të gjitha qëndrimet dhe zgjedhjet e tij. Të jetë e qetë në ndërgjegje?! Kam frikë se jo!
Duke u njësuar përkohësisht në fat me Sali Berishën, dha dorëheqje si nënkryetare e PD-së në të njëjtën ditë, si për të thënë ne jemi tjetër histori, nuk ju japim mundësinë të vendosni mbi ne. Ikim dhe kthehemi së bashku.

Mbi më të shquarin e KOP-it dhe më të spikaturit në imazherinë e re të PD-së, Lulzim Bashën, njeriun që kishte mundur Edi Ramën me mundim sizifian në vitin 2001 ra përzgjidhja për të drejtuar Partinë Demokratike pas golgotës së 2013-s.
Komunikimi mes tyre duket i athët. E vjetër tingëllon kjo brengë. Zonja Topalli gjatë qeverisjes 8-vjeçare duhet të jetë parë nga rioshi premtues si një shefe dhe hop metastazat ndryshojnë, shefi është ai.

Prej dy vitesh nuk kuptohet saktë ku fillon pakënaqësia personale e ish-nënkryetares së PD-së dhe ku mbaron ajo politike për mënyrën e të bërit opozitë nga Lulzim Basha. Ajo kërkon një opozitë “jo farsë”, më luftarake, më të drejtpërdrejtë, të pakushtëzuar nga interesa okulte, më ideologjike, teksa Basha mundimshëm po rreket të ndërtojë opozitën sipas profilit të tij ende të paformë si qielli.

E tillë sepse nuk di ç’të bëjë, si të sillet, me vetë Sali Berishën, me Jozefinën, me “të vjetrit”, me ç’kritere do t’i marrë “të rinjtë”, a do të bëjë ato aleanca që nuk ka bërë lideri historik, a do t’i tejkalojë inatet dhe shënjimet e tij, një PD pa të vjetrit dhe me të ritë alias Basha sa është PD? Një rebus i madh. Kur kjo përsiatje kolovitet nga muaji në muaj, Topalli po kërkon një rol të ri politik. Ligjërimi i saj në parlament, në forumet e Partisë, në rrjetet sociale në këtë përfundim të çon.

Mediat pranë Bashës nuk ia kursejnë Topallit shigjetimet dhe qesënditë, duke ditur disharmoninë mes tyre, kjo për t’i bërë shiharete kënaqësie kryetarit, por edhe si investim sado modest për të ardhmen, sepse Lulzim Basha sidoqoftë formalisht bart shpresën se një ditë mund të jetë Kryeministër, por edhe noteri i aq pushteti sa ka opozita. Edhe mua më këshilluan, mbaje mirë me Lulin se nuk i dihet, mirë e kam, iu thashë, se po mundohem t’i them të vërtetën siç e mendoj! Të njëjtës linjë i rrinë edhe ato pranë pushtetit dhe vetë hyqymeti, nuk ia falin alergjinë për “zhelet” dhe faktin që nuk di të bëjë pak pushim në opozitë. Ta mbash në shënjestër Jozin është biznes i mirë konsensual.

Basha nuk i ikën dot, dhe do të ishte gabim t’i ikësh, në fakt, perceptimit popullor te demokratët, por edhe te të tjerët që Jozefina Topalli nuk është e korruptuar, kur hajnat po i japin shoqërisë formën e gjirizit dhe se ajo mbledh më shume demokratë rreth vetes se çdokush tjetër në PD, pas Sali Berishës apo Lulzim Bashës me tagrin e kryetarit. Mbledh më shumë ajo në 37 minuta se 37 koordinatorët e tij në 37 vjet. Shënim: vetëm demokratët nuk mjaftojnë më për të ardhur në pushtet, por edhe pa ta nuk shkohet drejt tij.

Basha si individ duhet të mbledhë të tjerët, të përhimët, meqenëse vetë vjen nga një shtresë pa identitet politik. Duhet një tjetër alkimi në këtë rast! Përdorim pozitiv i aseteve të saj, dhe jo thashethemnajë si linjë gjysmë zyrtare! Përpjekja për klonim kundrafigurash ka disfavorin e çastit e rastit ndaj historisë edhe kur ajo nuk është perfekte, atë që Basha vetë e vuan përballë Berishës. Ndërsa në këndvështrim lokal çka vjen sot për sot nga Shkodra në politikë përveç kësaj Zonje, pa përjashtuar mrekullitë e së ardhmes që përgatit ndonjë universitet privat, më kujton një varg të De Gregorit “il resto e’ noia” (çka mbetet është mërzi).

Kështu, nuk është rastësisht, por pasojë e një perceptimi mbi historinë e PD-së, e cila ka brenda edhe përballje tragjike, sakrifica, emocione, pasion, suksese e jo vetëm kostume firmato pushteti, pragmatizëm, rastësi njohjesh, servilizëm e korrupsion. Artikulimi politik i Jozefinës po dendësohet dhe vetvetiu po hyn mes dy zjarresh. Me Edi Ramën e ka më të lehtë, sepse armiqësia është e legalizuar dhe meqenëse në horizont nuk duken dosje aferash, ai s’ka ç’i bën, pastaj vlen ajo thënia e urtë “Zot më ruaj nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë”, kështu që me Lulzim Bashën problemi është më i ndërlikuar.

I pranuar si kryetar prej saj, por jo si lider më shumë për të mos i prishur qejfin Sali Berishës (tek pret që edhe atij t’i prishet qejfi), sesa nga bindja, Jozefina me bindje e pa fshehtësi po projekton të nesërmen e saj politike. Basha dhe Topalli kushtëzojnë të ardhmen e njëri-tjetrit qoftë nëse troket fitorja, qoftë nëse vazhdon humbja. Basha kërkon ta arkivojë atë si histori, gjithë “piaca e lartë” e Tiranës e këshillon kështu, ndërsa Jozefina tenton të mbetet si alternativë në PD si fillim, duke mos dalë nga lista e vitit 2017./

Një ribotim i viti 2015