Shkup, 20 mars – Kryeprokurori i shtetit, Lubomir Jovevski, në një intervistë për portalin “Makfaks”, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me prindërit e vogëlushit të ndjerë, Almir Aliu nga Kumanova. Takimin me të prindërit dhe familjarët e Almirit, siç thotë kryeprokurori Jovevksi, e ka realizuar me të vetmin qëllim – t’ju tregoj atyre se në vendimin për rikualifikim të veprës penale “vrasje me paramendim”, për të akuzuarin Boban Iliq nuk ekziston asnjë prapavijë. Drejtësia, sipas tij, do të jetë e kënaqur, ndërsa sundimi i Ligjit doemos duhet të sundoj. Ai, në këtë intervistë këmbëngulë se në rastin konkret, nuk ekziston asnjë prapavijë etnike apo diçka të ngjashme. Kryeprokurori për “Makfaks”, po ashtu ka theksuar se lëndën kundër Iliqit e ka shqyrtuar dhe se aktakuza kundër tij është e mbështetur në fakte dhe dëshmi që i ka në dispozicion. “Në rastin konkret, në bazë të dëshmive dhe ekspertizë së lëndës, prokurorja e cila e përfaqëson lëndën, ka konstatuar se në këtë rast nuk ekziston paramendimi, respektivisht dëshmitë nuk e vërtetojnë aktakuzën e cila fillimisht ka qenë për ‘vrasje me paramendim'”, thotë kryeprokurori, Jovevski. Ankesa e parashtruar nga pala e dëmtuar, siç thotë kryeprokurori, është referuar deri te Prokuroria e Lartë e Shkupit, dhe më pas te ajo Republikania. Sipas tij, një numër i konsiderueshëm i prokurorëve, mbi 25 të tillë nga prokuroritë e vendit, janë shprehur se provat e mbledhura nuk e vërtetojnë aktakuzën e parë. “Personalisht nuk kam presion politik. Mirëpo, nëse i ndjekeni kumtesat e disa partive dhe të Ministrisë së Drejtësisë, kjo mund të interpretohet si ndikim mbi punën e Prokurorisë Publike”, tha Jovevski. Mes tjerash, ai ka shtuar se është i angazhuar që nga Prokuroria Publike të largohen “kthetrat” e politikës. Përveç rikualifikimit të aktakuzës për Boban Iliqin, kryeprokurori Jovevksi, në këtë intervistë, ka thënë se nuk e arsyeton letrën publike të katër prokurorëve publik shqiptarë, të cilët siç është shprehur Jovevski, kanë shkelur Ligjin për shërbim prokurorial. Meqë lënda ende gjendet në procedure gjyqësore, ai tha se ky komunikim i prokurorëve shqiptarë me opinionin mund të ketë ndikim mbi Prokurorinë, por edhe mbi gjykatën. Lidhur me paralajmërimet për denoncimet e katër prokurorëve shqiptarë para Këshillit për etikë, Jovevski tha se do të pret të thirret seancë dhe kjo pikë të vendohet në rend të ditës.