Pas konferencës së parë për shtyp të zhvilluar disa ditë më parë në Nju Jork, boksierët Anthony Joshua e Jarrell Miller sot kanë qenë sërish “ballë për ballë”. Këtë herë në Londër, në shtëpinë e kampionit të botës në peshën e rëndë. Këtë herë dy boksierët e pamposhtur nuk janë “ngacmuar” fizikisht, siç ndodhi në Nju Jork, por akuzat e fyrjet karshi njëri-tjetrit nuk munguan.
“Më vjen keq për fytyrën tënde, pasi do të duhet të bësh një operacion plastik pas duelit. Nuk ke për ta njohur veten. Mezi po pres të përballem me ty dhe të të tregoj vendin. Kjo është e vetmja gjë që po të them. Do të të rrjep të gjallë në ring”, u shpreh Anthony Joshua, kampion bote në peshën e rëndë në kategoritë IBF, WBA dhe WBO.
Dueli mes dy boksierëve të pamposhtur do të zhvillohet më 1 qershor në “Madison Square Garden” të Nju Jorkut. Joshua , në karrierën e tij ka arritur 21 fitore, ndërsa Miller numëron 23 fitore e 1 barazim në karrierën si boksier.