Boksieri britanik Anthony Joshua pritet të boksojë për herë të parë në karrierën e tij larg vendlindjes dhe këtë gjë nuk do ta bëjë në Amerikë, por në Kinë. Popullariteti i kampionit të botës në peshën e rëndë po rritet dita-ditës, por Joshua ende nuk ka famë në Kinë. Për këtë arsye, menaxheri i tij Eddie Hearn po mendon që britaniku të zhvillojë një duel me boksierin e pamposhtur kinez Zhang Zhilei. Dy boksierët janë përballur edhe më parë mes tyre, në çerekfinalet e Lojërave Olimpike “Londër 2012”, sfidë që u fitua nga Joshua (në fund mori edhe medaljen e artë).
Zhilei, 35 vjeç, ka zhvilluar 19 duele si profesionist dhe i ka fituar të gjitha, është një ikonë në vendlindjen e tij edhe pse prej vitesh jeton në Nju Jork. Por Joshua mendon se një duel me të mund t’i hapë kufijtë edhe në Azinë e Largët, si duke fituar famë ashtu edhe sponsorë e të ardhura.
Edhe vetë Zhang Zhilei e ka pranuar këtë sfidë, duke thënë se është gati të duelojë ndaj kampionët të botës. “Sot kinezët e kanë rritur ndjeshëm interesin për boksin. Një duel ndaj meje, në Kinë apo Amerikë, do ta shtonte shumë popullaritetin e Joshua. Unë e kam humbur një duel ndaj tij në Olimpiadë, ndaj shpresoj që Joshua të më ofrojë revanshin edhe pse tashmë si profesionistë. Jam gati për një duel të tillë, unë po pres që promotori im të negociojë me stafin e Joshua”, tha Zhilei.