Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks, britaniku Anthony Joshua, ka vendosur që rivalin e radhës ta zgjedhin fansat e tij. Përmes një sondazhi të hapur në rrjetet sociale, kampioni i botës në kategoritë IBF, WBA dhe WBO shprehet se 3 janë kandidatët që ai e konsideron si më të mundshëm për t’u përballur në ring: Deontay Wilder, Tyson Fury e Dillian White.
Joshua mendon se njëri prej tyre meriton që të jetë rivali i tij i radhës në sfidën që do të zhvillojë në stadiumin “Wembley” të Londrës, me 13 prill të vitit të ardhshëm. Ky sondazh do të qëndrojë i hapur për disa ditë, por nuk dihet nëse realisht Joshua do të përballet me fituesin e tij.
Pas duelit të 22 shtator, ku mundi me “KO” rusin Alexander Povetkin, boksieri britanik tha se alternativa e tij numër 1 është amerikani Deontay Wilder, duke mos përmendur patriotin e tij Fury. Por duket se fansat e tij dëshirojnë një derbi britanik, ndërkohë që disi më në hije është White, që do të jetë alternativa e tretë nëse dështojnë dy të parat.