Ekspertët e sigurisë duke folur për formimin e ekipit qeveritar kundër krimit dhe korrupsionit, vlerësojnë se nuk mund ta luftojë korrupsionin një institucion për të cilin ka indikacione se është i zhytur në korrupsion
Destan JONUZI
Shkup, 22 gusht – Ditë më parë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për formimin e një ekipi operativ për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ekipi do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të pushtetit ekzekutiv, ndërsa udhëheqës do të jetë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Pjesë e ekipit do të jenë edhe drejtoritë e policisë financiare, të drejtorisë së të ardhurave publike, të doganave, të agjencisë së sigurisë kombëtare dhe të drejtorisë së sigurisë dhe kundër-zbulimit, shkruan gazeta KOHA.
“Me këtë vendim, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dëshmon vendosmërinë e saj të fuqishme për luftë kundër krimit dhe korrupsionit si përcaktim strategjik i punës së saj”, thonë nga Qeveria. Ekipi operativ do të jetë në dispozicion të plotë të organeve të ndjekjes penale dhe të gjykatave për realizimin e detyrimeve të tyre ligjore. Zhidas Daskalovski, profesor në Fakultetin e Sigurisë në Shkup vlerëson se nuk mund ta luftojë korrupsionin një institucion për të cilin ka indikacione se është i zhytur në korrupsion.
“Skandali më i ri vetëm se e vërteton konstatimin se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet të udhëheq me vendin. Ekzistojnë indikacione serioze se korrupsioni është i pranishëm edhe në institucionet e pushtetit. Trupi qeveritar për luftë kundër krimit është mashtrim për drejtësinë dhe të drejtën në Maqedoni. Sa më parë duhet të arrihet marrëveshje për zgjedhje të reja dhe një trup i pavarur i cili do ti zbardhë dyshimet për korrupsion si dhe përforcim të pavarësisë së institucioneve dhe agjencive të cilat mund të ndikojnë në sundimin së drejtës, si për shembull Enti shtetëror për revizion, Anti-korrupsioni, etj.”, deklaroi për gazetën KOHA, Daskalovski.
Nga ana tjetër, doktoranti i shkencave të sigurisë, Hasim Murtezani, thekson se krimin nuk mundë ta luftojnë ata që janë të dyshuar dhe akuzuar për korrupsion dhe krim.
‘Aty ku kanë qasje partitë politike, interesi nuk është i duhur që të zhvillohet një luftë e vërtet kundër krimit dhe korrupsionit. Me luftën kundër krimit dhe korrupsionit duhet të merren institucionet përkatëse me ekip ekspertësh të pavarur që njohin lëmin dhe problematikën e këtillë. Jemi dëshmitarë se tanimë situata është edhe më dëshpëruese sepse nga aty ku duhet të luftohet kriminaliteti fatkeqësisht po dalin skandale dhe afera të ndryshme korruptuese dhe kjo s’do mend se dëmton rëndë imazhin e vendit dhe krijon dëshpërim edhe me të thellë në humbjen e besimit të qytetarëve për një shtet ligjor…”, shprehet Murtezani. Përndryshe, vendimi për formimin e këtij trupi vjen në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me skandale të rënda, si ai i njohur me emrin “Zhvatja”, ku një afaristi i janë marrë 1.5 milion euro, për t’ia lehtësuar atij procesin gjyqësor për një vepër penale. Në këtë skandal dyshohet të jetë përfshirë edhe kryeprokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva. (koha.mk)