Shkup, 13 janar – Dy gazetaret, Meri Jordanovska dhe Iskra Koroveshovska e denoncuan në MPB, nëpunësin shtetëror në Regjistrin qendror, Emill Jakimovski. Gazetaret kanë shtruar kërkesë kundër Jakimovskit për fyerje dhe kërcënime në rrjetet sociale, konfirmuan nga MPB dhe theksuan se do të veprojnë në lidhje me denoncimin, transmeton gazeta KOHA.
Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev mbrëmë personalisht kontakti me Jordanoskën dhe Koroveshovskan të cilat morën kërcënime nga Jakimovski, i cili, tashmë e ka marrë vendimin për largim nga Regjistri qendror.
Çulev për MIA-n deklaroi se me Jordanovskan dhe Koroveshovskan kanë ranë dakord që sot të vijnë në SPB Shkup, t’i paraqesin rastet dhe t’ sjellin provat materiale me qëllim të përpunimit të menjëhershëm në Prokurorinë Publike.
Ai dënon me forcë të gjitha manifestimet e dhunës, kërcënimet dhe fyerjet ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të mediave.
“Un dua të apeloj se ministri i Punëve të Brendshme ofron bashkëpunim dhe mbështetje të plotë për të gjitha rastet e tilla të dhunës në mënyrë që t’i parandalojë kërcënimet në të ardhmen dhe format e tjera të dhunës. Unë personalisht si ministër ju qëndroj në dispozicion punonjësve mediatik 24 orë në ditë. Dua të potencoj se në kontakt me shoqatat e gazetarëve dhe në bazë të informacionit të marrë nga shërbimet e MPB-së, do të përpiqem që të zbardhen të gjitha kërcënimet dhe format e dhunës që kanë ndodhur deri më tani kundër punonjësve mediatik e që nuk janë zgjidhur deri më tani”, tha Çulev.(koha.mk)