Për lojalitetin ndaj organizatës, të pranishmit u betuan para Kur’anit, armës dhe flamurit kombëtar. Tekstin e përpiloi dhe e lexoi Mehmet Bushi, ndërsa të tjerët i përsëritnin fjalët e tij. Sipas Etem Tahirit, betimi pati këtë përmbajtje: “Betohem në Perëndi, në Kur’anin famëlartë, në flamurin kombëtar dhe në armë se do të jem besnik ndaj organizatës, se do t’i plotësoj të gjitha detyrat e shtruara nga ana e organizatës edhe jetën do ta jap, ndërsa organizatën dhe anëtarët e saj nuk do t’i tradhtoj”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Duhet theksuar se falë Jonuz Ballës si dhe disa mësuesve dhe intelektualëve tjerë të Tetovës, si Xhevair Shaqiri, Hysni Abdullau, Nexhmedin Besimi, Sadudin Gjura etj, në vitin shkollor 1945/46, pranë gjimnazit të Tetovës u hapën edhe paralele me mësim në gjuhën shqipe, ku si mësimdhënës të atyre paraleleve ishin: Jonuz Balla, Xhevair Shaqiri (Veseli), Hikmet Kasapi etj.. Në vitin e parë shkollor 1945/46, në gjimnazin e Tetovës, u pranuan gjithsej 96 nxënës, të shpërndarë në tre paralele. Në dhjetor të vitit 1945, në Shkup themelohet Komisioni Kulturor-Arsimor Shqiptar, i cili vepronte në kuadër të Frontit Popullor. Nismëtarë për themelimin e tij ishin intelektualët e atëhershëm shqiptarë: Pjetro Janura, Mahmut Dumani, Jonuz Balla, Azem Marana, Murteza Peza, Osman Miftari, Ali Shehu etj. Ndër detyrat më të rëndësishme të Komisionit ishin: botimi i broshurave dhe i librave në gjuhën shqipe; hapjen e një numri sa më të madh të kurseve kundëranalfabetike; mbledhja e materialit për folklorin shqiptar etj.. Gazeta e atëhershme në gjuhën shqipe, “Flaka e Vëllazërimit”, më 3 janar 1946 shkruante: “Më 23 dhjetor 1945 në Shkup u formua Agit-Propi-shqiptar për të gjithë Maqedoninë. Qëllimi i këtij Agit-Propi asht që të përpiqet me sa të mundet që masat shqiptare të këtyne anëve të ngrihen sa ma nalt nga pikëpamja kulturo-arsimore”.
Në fillim të vitit 1946 Komisioni Kulturor Shqiptarë formoi degët e veta në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Dibër. Dega e Tetovës udhëhiqej nga Dhimitër Shuli, Jonuz Balla, Xhevair Shaqiri, Murteza Kadzadej etj. Kjo degë, siç informonte “Flaka e Vëllazërimit”, në fillim të muajit prill 1946, organizoi një konferencë me temën: “Rëndësia e arsimit dhe përgjegjësia e mësuesit”. Në numrin e njëjtë, gazet a, botoi një artikull të Jonuz Ballës, me titull: “Disciplina në shkollën fillore”, ku ndër të tjerave ai shkruante, se qëllimi kryesor i shkollës ishte “formimi i njeriut shpirtnisht (psiqikisht), fizikisht dhe moralisht”. Ky qëllim sipas tij arrihet “…me anë të ushtrimeve trupore e të njohunive sistematike që kanë për qëllim zhvillimin e inteligjencës dhe formimin e karakterit, në mënyrë që të bahen të vlefshëm për vehte, familje e shoqni. Të trija konditave të sipërme, shkruan më tej Balla, zhvillimit fizik, psiqik dhe moral u arrihet me anë të punës së pa preme që zhvllojnë puntorët idealist të shkollave t’ndryshme, e ma tepër shkollat fillore…”. Në vazhdim Balla skruan se, mësuesi duhet të futet në klasë i përgatitur mirë dhe të mbaj disciplinën e nevojshme, e cila nuk mund të mbahej përmes përdorimit të shkopit, i cili duhej lënë jashtë përdorimit “si një mjet i vjetërsuem i edukatës dhe vendin e tij ta zënë durimi, dashunija dhe shembulla e mirë para nxanasve”.
Përveç se në fushën e arsimit, veprimtaria e Jonuz Ballës sikurse edhe një plejade të mësuesëve shqiptarë, gjatë viteve 1945-1946 shquhet edhe në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), e cila organizatë në programin e saj pati “çlirimin e Kosovës dhe të Trevave Lindore nga pushtuesit e ri komunistë jugosllavë dhe krijimin e Shqipërisë Etnike properëndimore”. Themelues dhe udhëheqës të NDSH-së, ishin pikërisht mësuesit e atëhershëm shqiptarë, si: Azem Marana, Hasan Bilalli, Mahmud Dumani, Jonuz Balla, Spiro Harilla – Theodosi, Jetish Vishi, Xhevahir Shaqiri, Hysni Abdullau, Sadudin Gjura e shumë të tjerë. Veprimtaria e Jonuz Ballës, por edhe të gjithë atyre mësuesëve shqiptarë nga Shqipëria e vjetër, të cilët nga viti 1941 u vendosën në këto treva, me një mision të vetëm por të shenjtë – ngritjen e vetëdijes kombëtare te popullsia shqiptare e këtyre trevave, e cila për shkak robërisë tridhjetvjeçare, pothuajse nuk ekzistonte fare, më së miri përshkruhet në elaboratin e hartuar në vitin 1953 nga ana e UDB-së maqedonase, ku thuhet shprehimisht: “…Inteligjencia që erdhi gjatë kohës së okupacionit dhe ajo që erdhi pas çlirimit, ishte bartësja e më shumë ngjarjeve irredentiste dhe shoviniste. Nga këto mësuesë u krijua organizata Nacional Demokratike Shqiptare. Mendimet e veta shoviniste dhe irredentiste mësuesit i përcillnin sistematikisht dhe me shkasthtësi te shtresat. Vetë detyra e NDSH-së ishte: restaurimi i së vjetrës me ndihmën e perëndimit për krijimin e Shqipërisë së Madhe (Etnike – Q.L.)…”.
Një ndër qendrat më të rëndësishme shqiptare, ku veprimtarinë e saj do ta shtrijë ONDSH-ja, pa mëdyshje ishte Tetova dhe rajoni i saj. Aktiviteti i NDSH-së në këtë qendër shqiptare lidhet ngushtë me emrat e intelektualëve dhe nacionalistëve të spikatur shqiptarë të kësaj ane që i prinin: Mehmet Bushi, oficer në armatën jugosllave, me detyrë në Tetovë, Jonuz Balla, referent i arsimit shqip në Tetovë e rrethinë, Hafiz Etem Tahiri, kryetar i Këshillit popullor në qytetin e Tetovës, Nexhmedin Besimi, nga Piroku, jurist i diplomuar, Jetish Vishi nga Vërbani i Vitisë, mësues në fshatin Zhelinë të Tetovës, Xhevair Vejseli (Shaqiri) nga Nerashti i Tetovës, mësimdhënës në paralelet shqipe në gjimnazin e Tetovës, Vejsel Vela nga Gajra e Tetovës, mësues në këtë fshat, Mulla Garipi nga fshatin Grupçin i Tetovës, Abdulla Abdullau, imam i fshatit Zhelinë dhe mik i ngushtë i Mulla Garipit, Shaban Korrita nga Korrita e shumë të tjerë. Iniciativën për themelimin e Komitetit të NDSH-së për Tetovën do ta merr Mehmet Bushi, i cili menjëherë pas takimit që e pati në Shkup me Azem Maranën dhe Qemal Skënderin në vjeshtën e vitit 1945, në Reçicë të Madhe organizoi mbledhje, në të cilën morën pjesë: Hafiz Etem Tahiri, Jonuz Balla, Xhevahir Shaqiri dhe Nexhmedin Besimi. Në mbledhje, Mehmet Bushi, pasi i njoftoi të pranishmit për ekzistimin e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Shkup, shtoi: “Është momenti i fundit të fillojmë të organizohemi, me qëllim të ngritjes së vetëdijes kombëtare te shqiptarët për bashkimin e kombit shqiptar nga Kosova, Gostivari, Тetova dhe të viseve tjera me Shqipërinë. Për këtë qëllim duhet të formojmë një këshill i përbërë nga njerëz më të mirë e më të besueshëm.”.
Dy apo tre ditë më pas, në shtëpinë e Etem Tahirit, në Reçicë të Madhe, mbahet takimi i dytë ku krahas Mehmet Bushit, Jonuz Ballës, Xhevahir Shaqirit, Etem Tahirit dhe Nexhmedin Besimit marrin pjesë edhe Axha Qamil nga Reçica e Vogël, Vejsel Vela nga Gajra, Esat Sulejmani nga Pirroku e ndonjë tjetër, në të cilën mbledhje u themelua Komiteti i NDSH-së për Tetovën dhe rajonin e saj. Në mbledhje të pranishmit zgjodhën kryesinë e komitetit, kryetar u zgjodh Mehmet Bushi, zëvendëskryetar Jonuz Balla, sekretar Nexhmedin Besimi ndërsa anëtar Hafiz Etem Tahiri. Përveç kryesisë kuvendi vendosi:
“1. Të themelohen nënkomitetet e NDSH-së në të gjitha vendbanimet shqiptare të Tetovës, të cilat do të përbëhen prej 5 vetëve.
- Të mblidhen ndihma materiale dhe financiare për mirëmbajtjen e nënkomiteteve, zyrat, shpenzimet e rrugës së korrierëve, të cilët do të mbajnë lidhje me Komitetin e Shkupit dhe komitetin e Gostivarit, e, nëse paraqitet nevoja, edhe në Kosovë.
- Të themelohen “çeta ushtarake”.
Për lojalitetin ndaj organizatës, të pranishmit u betuan para Kur’anit, armës dhe flamurit kombëtar. Tekstin e përpiloi dhe e lexoi Mehmet Bushi, ndërsa të tjerët i përsëritnin fjalët e tij. Sipas Etem Tahirit, betimi pati këtë përmbajtje: “Betohem në Perëndi, në Kur’anin famëlartë, në flamurin kombëtar dhe në armë se do të jem besnik ndaj organizatës, se do t’i plotësoj të gjitha detyrat e shtruara nga ana e organizatës edhe jetën do ta jap, ndërsa organizatën dhe anëtarët e saj nuk do t’i tradhtoj”.
Në fund të mbledhjes, u ndanë detyrat të cilat përfshinin aktivitetet në të ardhmen për afirmimin dhe zgjerimin e organizatës në vendbanimet tjera të Tetovës. Kështu, organizimin brenda në qytet do ta udhëheq Jonuz Balla, ndërsa Nexhmedin Besimi së bashku me Axhën Qamil morën përsipër organizimin në anën e djathtë nga Tetova për Gostivar, përkatësisht fshatrat: Pallçishtë, Kamjanë, Bogovinë, Pirok, Urviç, Gradec, Negotinë, Llomnicë, Gorjanë, Rakovecë; Xhevair Shaqiri anën e majtë, ndërsa organizimin në rajonin e Dërvenit të Epër dhe malin e Thatë do ta bënin Mulla Garipi dhe Shaban Korrita.
(vijon në nesër)