Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një numër i konsiderueshëm të mësuesve, të cilët kishin ardhur nga viset e ndryshme të Shqipërisë politike si: Jonuz Balla, Tehla Çela, Mahmut Dumani, Spiro Harilla Theodosi, Sami Lamçe, Pjetër Kavaja, Josif Todi etj., do të vazhdojnë të punojnë në shkollat shqipe të këtyre viseve shqiptare. Kështu në vitin shkollor 1944/45, Jonuz Balla qe emëruar drejtor i Sh.F. “Skënderbeu”, që ishte shkollë e vetme në gjuhën shqipe në qytetin e Tetovës, në të cilën detyrë qëndroi deri sa ai u arrestua nga ana e organeve të UDB-së jugosllave, në muajin korrik 1946
Nga Qerim LITA
Mësuesi dhe atdhetari i shquar, Jonuz Ymer Balla, ka lindur në vitin 1922 në fshatin Molis të Elbasanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen Normalen e Elbasanit. Nga viti 1938-1940 studioi pedagogjinë në Itali, që më pas të emërohet mësues në shkollën fillore të fshatit Bërzeshtë të Qarkut të Elbasanit.
Pas kapitullimit të Mbretërisë jugosllave, ku siç dihet pjesa më e madhe e tokave shqiptare iu bashkuan Shqipërisë, Qeveria shqiptare rëndësi të veçantë i kushtoi hapjes së shkollave shqipe në ato toka të liruara. Për këtë qëllim, nga ana e Ministrisë së Arsimit, më 23 qershor 1941 u lëshua një qarkore deri te inspektoratet e arsimit, në të cilën kërkohej që në baza vullnetare të hartojnë lista të arsimtarëve, të cilët siç thuhet në të: “çfaqin dëshirën e tyne me u transferue në vendet e shlirueme…”. Nga raportet e inspektorateve përkatëse, qartë shihet se një numër i madh i arsimtarëve (në mesin e tyre edhe Jonuz Balla), me kënaqësi e kishin pranuar të punonin në viset e çliruara, ku brenda një afati të shkurtë kohor numri i tyre arriti mbi 150. Të gjithë ata u vendosën nëpër qendra më të mëdha të Tokave të Liruara, duke hapur kurse verore në gjuhën shqipe. Këto kurse ndikuan pozitivisht te mbarë popullsia shqiptare e këtyre viseve, e cila krahas kurseve kërkonte hapjen sa më parë të shkollave të rrgullta kombëtare shqiptare. Lidhur me këtë, kryetari i Bashkisë së Dibrës, Shemsi Hatipi, i shkruante prefektit të Prefekturës së Dibrës, Lale Koçit, se “shumë persona nga parija e qytetit na janë drejtue tue kërkue me ngulm hapjen e shkollavet në këtë vend”. Një kërkesë e tillë, sipas Hatipit, ishte e arsyeshme, sepse siç thekson “…populli i këtij vendi, që, ma në fund, e mërrini ditën me jetue në diellin e ngrohët të lirisë, ka nevojë të ngutëshme me u ushqye me atë Kulturë, qi pat mungue, po thue, prej shekujsh e me çranjosë çdo vragë helmuese të kulturës sllave…”. Letra të tilla u dërguan edhe nga shumë personalitete tjera politike e intelektuale shqiptare, si Dr. Xhafer Sulejmani, paria e fshatit Labënishtë të Strugës, Rexhep Mitrovica etj. Për rrjedhojë, më 1 tetor të vitit 1941, Këshilli i Administratës pranë Ministrisë së Arsimit, solli vendim për hapjen e 116 shkollave fillore kombëtare në ato toka. Në të ndër të tjerave thuhej:
“…Transferimin e nevojshëm të personelit mësimuer…, nga shkollat e Shqipnis së përparshme në këto shkolla kombëtare, qi për herë të parë po hapen në viset e lirueme: Administrimin e Arsimit Filluer në Kosovë e Dibër tue hapë pesë Inspektori me qendra në Prizrend, në Pejë, në Prishtinë, në Dibër të Madhe dhe në Tetovë; Dekretimin e hapjes së shkollavet të sipërshënueme nga ana e Titullarit të Ministris s’Arsimit…etj.”.
Pasi u kryen të gjitha parapërgatitjet e duhura, përfshi këtu edhe transportin e organizuar nga Ministria e Arsimit, në pjesën e parë të muajit nëntor rreth 200 mësues anë mbanë vendit që nga Gjirokastra e deri Shkodër hapën shkollat e para shqipe në Tokat e Liruara. Në telegramin qarkor drejtuar inspektorateve të arsimit fillor të: Beratit, Peshkopisë, Durrësit, Kukësit, Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës, ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, në mënyrë të qartë e të prerë do të shprehet: “Personelit t’Arsimit Filluer të transferuem në Kosovë e Dibër, nuk i merret asnji arsye parasysh për mos-paraqitje në detyrën e re. Lutjet qi kanë parashtrue mbeten pa veprim. Më 10 Nënduer nisja e tyne duhet të ketë marrë fund. Në këtë ditë lajmroni se cilët nuk kanë dashë me u nisë gja qi do të konsiderohet si kundërvajtje urdhnit të dhanë”.
Ndërkohë, në prag të nisjes së mësuesve shqiptarë në kryerjen e misionit të tyre të shenjtë, Ernest Koliqi, përmes një qarkore ua përcolli këto porosi: “Mos me u përzi në çashtje politike, fetare e minoritare; mos me u përzi në çashtje lokale a po administratash të tjera; me u-pru mirë me popull e me ja fitue zemrën këtij me punën t’uej të naltë të zbatueme me mend e me themel si brenda edhe jashtë shkollës; me i trajtue nxansit e nxanset me dashtuni atnore dhe në mënyrën ma të përsosun të nji edukatori, tue i ndihmue me durim qi të kapërcejnë vështirësitë e fillesës e veçanërisht në mësimet e para; me jetën t’uej private të rregullt e të ndershme të jeni shembulla ma e përsosun e vetive burrnore të shqiptarit të kulturuam”.
Këtij misioni të shenjtë të iniciuar nga Ernest Koliqi, iu bashkua edhe mësuesi, misionari, nacionalisti dhe atdhetari i shquar shqiptar, Jonuz Balla. Së bashku me të nga Elbasani u kyçën edhe 23 mësuesë dhe mësuese, si: Mehmet Gjevori, Hysen Abdi Hoxha, Qamil Kopani, Ali Tenhaj, Thanas Caku, Faik Pajuni, Alipi Pajuni, Hysen Pajenga, Theofan Dokja, Skender Hoxha, Mehmet Karadaku, Myrteza Peza, Hamdi Gani, Osman Lufta, Ahmet Gjyleçi, Skender Haxhihyseni, Abedin Faja, Behxhet Hoxholli, Artemisi Hoxholli, Xhafer Shefki, Sulejman Karai, Kamber Osmani dhe Petrit Hakani. Destinacioni i parë i Jonuz Ballës në Tokat e Liruara, qe fshati Radoshtë i Strugës, duke e hapur shkollën e parë në gjuhën shqipe. Aty punoi deri në përfundim të vitit shkollor 1941/42, që më pas emërohrt drejtor i Shkollëf Fillore “Skënderbeu” në Dibër të Madhe. Paraprakisht, ai hapi kursin verorë në fshatin Mesheishtë të Strugës, në të cilin morën pjesë gjithsej 46 kursistë, prej tyre 23 meshkuj dhe 20 femra. Në fillim të vitit 1944, Jonuz Balla, me vendim të Ministrisë së Arsimit emërohet drejtor në Shkollën Fillore “Skënderbeu” në Tetovë.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një numër i konsiderueshëm të mësuesve, të cilët kishin ardhur nga viset e ndryshme të Shqipërisë politike si: Jonuz Balla, Tehla Çela, Mahmut Dumani, Spiro Harilla Theodosi, Sami Lamçe, Pjetër Kavaja, Josif Todi etj., do të vazhdojnë të punojnë në shkollat shqipe të këtyre viseve shqiptare. Kështu në vitin shkollor 1944/45, Jonuz Balla qe emëruar drejtor i Sh.F. “Skënderbeu”, që ishte shkollë e vetme në gjuhën shqipe në qytetin e Tetovës, në të cilën detyrë qëndroi deri sa ai u arrestua nga ana e organeve të UDB-së jugosllave, në muajin korrik 1946.
Ndërkohë, në një konferencë të drejtuesve dhe inspektorëve qarkor të arsimit, e cila u mbajt në qershor të vitit 1945 në Shkup, u vu në dukje nevoja e ndihmës dhe kontrollit më të shpeshtë të shkollave shqipe, për çka u kërkua emërimi i referentëve për ato shkolla. Për rrjedhojë, Ministria e Arsimit, emëroi katër referentë të shkollave shqipe: Mahmut Dumani, referent, i shkollave shqipe për rrethin e Shkupit; Jonuz Balla, referent i shkollave shqipe për rrethin e Tetovës; Sami Lamçe, referent i shkollave shqipe për rrethin e Gostivarit dhe; Enver Paluki, referent i shkollave shqipe për rrethin e Strugës.
Është e rëndësishme të theksohet se detyrën e referentit, Jonuz Balla, sikurse edhe tre referentët tjerë, e kryente në mënyrë plotësuese, ndërkohë vazhdonte ta mbante detyrën e drejtorit të shkollës. Gjatë pushimeve verore të viteve shkollore 1945/1946 dhe 1946/1947, Jonuz Balla, së bashku me dhjetë mësuesit tjerë punoi si pedagog në kurset e mësuesisë të cilët qenë hapur në Shkup për krijimin e kuadrit mësimor për shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe. Kjo shihet nga urdhëri i ministrit të Arsimit, Nikolla Minçev, i lëshuar më 24 qershor 1946, ku thuhet shprehimisht:
“Në pajtim me vendimin nr. 1715/1946 të Ministrisë së Arsimit për organizimin e kurseve pedagogjike tremujore për mësues në shkollat shqipe për ligjërues të të njëjtit caktoj këta persona:
- Telha Çela- referent pranë Ministrisë së Arsimit
- Mahmut Dumani – referent për rrethin e Shkupit
- Jonuz Balla- referent për rrethin e Tetovës
- Sami Lamçe- referent për rrethin e Gostivarit
- Enver Paluki- referent për rrethin e Strugës
- Hikmet Kasapi- mësimdhënës në gjimazin e Tetovës
- XhevairVeseli- mësimdhënës në gjimazin e Tetovës
- Idriz Salimi- mësimdhënës në gjimazin e Gostivarit
- Xhafer Narazani – drejtues në shkollën shqipe në Strugë
- Josif Todi – drejtues në shkollën shqipe në Manastir
- Remzi Papraniku – mësues në qytetin e Dibrës”.
(vijon nesër)