Po e përfaqëson Shqipërinë këtë vit në Eurovision që do të mbahet në Tel Aviv të Izraelit derisa Jonida Maliqi tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet e fundit e po promovon këngën ‘Ktheju tokës’ në shumë vende ku pritja sipas saj është e jashtëzakonshme. Me një imazh të një dive të vërtetë këngëtarja e njohur shqiptare vjen në një rrëfim për emocionet para festivalit për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: E ke nisur mbarë promovimin e këngës së festivalit, na thuaj ku e fillove dhe ku do e mbarosh?
E nisa menjëherë pas fitimit të çmimit të parë në Festivalin e Këngës 57 në RTSH. M’u deshën 48 orë të perceptoja rrugëtimin tim drejt Eurovisionit, se kur do të mbarojë nuk e di pasi nuk e parashikoj dot të ardhmen se çfarë mundësish do të më dhurojë Eurosong-u.
KOHA: Si po pritesh në vendet që e promovon, na thuaj ndonjë ngjarje të bukur që ka ndodhur këtyre ditëve dhe ku?
Pritja ka qenë aq e mirë dhe e ngrohtë sa i kaloi tërësisht pritshmëritë e mia. Në 27 vite karrierë nuk më kishte ndodhur kurrë që fansat ndërkombëtarë të kishin printuar fotot e mia dhe të këndonin në gjuhën shqipe dhe hera herës të më përshëndesin në gjuhën tonë.
KOHA: Krahas talentit e vokalit, njihesh edhe si një ikonë e modës, sa i kushton rëndësi pamjes në këto promovime?
Sigurisht që ka një farë impakti ama nuk është më dominant sa kënga apo të kënduarit, gjatë turneut të Eurovisionit sipas sondazheve me votime nga publiku i gjerë jam vlerësuar për performancën live dhe për vokalin, për mua kjo është parësore pastaj imazhi është komponent plotësues i cili vjen organikisht pa kurrfarë sforcimi.
KOHA: Kush kujdeset për këto detaje?
Vetë unë, ndërsa në Eurovision ia kam besuar gjithë imazhin tim Ardi Asllanit.
KOHA: “Ktheju tokës”, ka grumbulluar shumë klikime, pëlqime e komente pozitive, si ndihet Jonida?
Mendoj se ky ishte Eurovisioni im, tanimë çdo gjë mbetet në duart e Zotit e të fatit se çfarë do të më rezervojë.
KOHA: Po pas këtij projekti, ke në plan realizimin e ndonjë kënge të re?
Po, shumë shpejtë do të jem prezent me një këngë krejtësisht ndryshe nga “Ktheju tokës”, më verore dhe ritmike.
KOHA: Ku do e shohim Jonidën gjatë sezonit të verës me angazhime? Po pushimet ku do i kalosh?
Po mundohem të organizohem, ende nuk e kam përcaktuar lokacionin. Angazhimet e mia direkt pas Eurovisionit do jenë pushime masive me tim birë dhe familjen time.
SI ËSHTË JONIDA NË…
– një studio regjistrimi? plot pasion dhe ndjeshmëri të lartë artistike, me pak fjalë më e lumtura në botë.
– një studio fotografike? detajiste dhe patjetër që dua të shoh pas çdo shkrepje se çfarë po ndodh për t’u siguruar nëse imazhi është i duhur.
– një klub nate? në varësi të muzikës e cila më udhëheq ose që të mos qëndroj gjatë ose të kërcej dhe të dëfrehem.
– para pasqyrës? gjithnjë e pakënaqur.
– miqësitë e vjetra? plot besim dhe energji pozitive.