Ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski sot u takua me një grup studentësh dhe profesorësh nga Universiteti Stanford në SHBA, të cilët qëndrojnë për vizitë në Maqedoni.
Në takim, kumtoi Ministria e Mbrojtjes, është biseduar për sigurinë dhe migracionin, me theks të veçantë në Republikën e Maqedonisë dhe kontributin e saj drejt stabilitetit të rajonit dhe Evropës.
Ministri Jolevski ka theksuar se Maqedonia si anëtare serioze e bashkësisë ndërkombëtare me hapat e saj ka ndikuar në zvogëlimin e pasojave të krizës së emigrantëve, e cila ka filluar në vitin 2015.
“Armata e Republikës së Maqedonisë, si mbështetje e policisë së Maqedonisë me sukses përballet me tentativat për emigracion ilegal. Angazhimi ynë që nga fillimi i krizës ka qenë dhe akoma është që shtetet që janë të prekura me këtë të jenë vazhdimisht në komunikim dhe koordinim. Atë që duhet ta bëjmë si pjesë e kësaj krize ndërkombëtare është që akoma më shumë ta zhvillojmë bashkëpunimin e ndërsjellë, në çdo nivel, shtetëror dhe institucional”, ka thënë Jolevski në takim.
Studentët dhe profesorët nga Universiteti Stanford gjatë qëndrimit në Maqedoni kishin takim edhe me profesorë nga Instituti për Siguri, Mbrojtje dhe Paqe në Fakultetin Filozofik në Shkup, ndërsa për nesër është parashikuar të takohen edhe me një pjesë të ambasadorëve në vend.