Johnsoni kërkon marrëveshje për Brexitin, i inkurajuar nga takimi me Merkelin

Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi sot para presidentit francez, Emmanuel Macron se dëshironte një marrëveshje për Brexitin duke shtuar se ishte inkurajuar shumë nga takimi një ditë më parë me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Dëshiroj një marrëveshje”, deklaroi Johnson për shtypin. “Mendoj që mund të kemi një marrëveshje dhe një marrëveshje të mirë”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëroi dje për pasojat ekonomike të një Bexit-i pa marrëveshje, para një takimi me Boris Johnson, i cili kërkon një rihapje të negociatave me Bashkimin Evropian, por që synon të largohet nga blloku çfarëdo që të ndodhë më 31 tetor, transmeton atsh.

“Perspektiva e daljes së shpejtë të Britanisë së Madhe, kombinuar me tensionet tregtare ndërkombëtare na japin ‘dhimbje koke’”, theksoi kancelarja gjermane në një konferencë shtypi mbi aeronautikën në Lajpcig, ndërkohë që ekonomia gjermane, ashtu si ajo e gjithë Evropës, po përballet me vështirësi.