Dyert e Unionit janë të hapura. Rruga juaj drejt Bashkimit Europian është bërë e pakthyeshme. Tani varet prej jush të ecni para në këtë rrugë drejt një ardhmërie me prosperitet të përbashkët dhe siguri
Nga Federica MOGHERINI dhe Johannes HAHN
Marrëveshja historike mes Shkupit dhe Athinës na ka bërë neve, europianëve, krenarë. Ajo paraqet ndryshim strategjik për të dyja vendet dhe për tërë Europën. Dëshmoi se edhe çështjet më të ndjeshme dhe historikisht më të ngarkuara mund të zgjidhen kur ka guxim dhe vizion. Ne të dy ishim të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes në Liqenin e Prespës. Atë që e pamë atje na e ka forcuar edhe më shumë besimin në një kontinent të bashkuar dhe në paqe me perspektivë europiane për Ballkanin Perëndimor si shtytës i stabilitetit në rrethin tonë më të afërt.
Këtë javë, vendet anëtare të BE-së pozitivisht iu përgjigjën kësaj arritjeje dhe përcaktuan rrugë të qartë drejt hapjes së negociatave me Shkupin, në muajin qershor 2019, duke përcaktuar vizion të qartë për vitin që vjen dhe përtej. Menjëherë ia filluam punës për këtë kapitull të ri dhe të përbashkët me Komisionin Europian dhe filluam përgatitjet për bisedimet qasëse. Me padurim presim të punojmë me ju, që edhe ju t’i bëni ballë kësaj sfide të re me të njëjtën vendosmëri që ju ka sjellur deri te sukseset e fundit.
Jo shumë larg, vendi ishte në një krizë të thellë politike. Por, ju ia keni arritur ta tejkaloni atë. Keni arritur përparim në reformat kyçe – jo për Brukselin, por për të mirën e qytetarëve tuaj. Keni arritur marrëveshje me Bullgarinë dhe Greqinë, duke përkrahur një dinamikë të re bashkëpunimi në Europën Juglindore dhe hapjen e dyerve për investim, vendeve të punës dhe zhvillimit. Të gjithë këto hapa pozitive janë frymëzim për tërë rajonin.
Rruga përpara është e qartë. Ajo çon drejt anëtarësimit tuaj në Bashkimin Europian. Për ta arritur këtë, të gjitha forcat politike e kanë përgjegjësinë të mbajnë dialog konstruktiv dhe të vazhdojnë t’i realizojnë aspiratat e qytetarëve, përfshirë këtu sidomos nëpërmjet reformave në fushën e sundimit të së drejtës, shërbimet e sigurisë, administratën publike si dhe ekonomi funksionale të tregut. Këto parime janë në zemrën e tregimit të suksesshëm europian. Ato janë gjithashtu ajo çfarë qytetarët e vendit tuaj e kërkojnë, duan dhe e meritojnë. Kjo është rruga jonë e përbashkët: sa më shumë që Shkupi i plotëson nevojat e qytetarëve të vet, aq më shpejt do të përparojë drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Nga ana jonë, Komisioni veçmë ka filluar punën e nevojshme përgatitore për tu përgatitur për muajin qershor të 2019, përfshirë edhe kornizën e ardhshme negociuese. Ne gjithashtu jemi të gatshëm t’ju përkrahim në zbatimin e mëtejshëm të reformave. Të gjithë kanë një rol në këtë proces historik. Uniteti, guximi, përgjegjësia dhe pragmatizmi nga të gjithë do të jenë thelbësore. Të gjitha grupet politike dhe partitë, autoritetet vendore dhe shoqëria qytetare duhet të marrin përsipër përgjegjësi për këtë proces dhe së bashku ta përgatisin terrenin për negociata.
Puna që do bëhet në vitin që vjen është investim në integrimin tuaj europian. Çdo hap ka rëndësi. Të ecurit në këtë rrugë jo vetëm që do t’ju mundësojë hapje të negociatave por edhe ta bëni atë në mënyrën më efikase. Atë moment kur do të hapen negociatat zyrtarisht, ju do jeni veçmë në vrap.
Dyert e Unionit janë të hapura. Rruga juaj drejt Bashkimit Europian është bërë e pakthyeshme. Tani varet prej jush të ecni para në këtë rrugë drejt një ardhmërie me prosperitet të përbashkët dhe siguri.
Ky është vendim i lirë dhe sovran i popullit tuaj – i askujt tjetër. Ëndrra jonë për kontinent të bashkuar të Europës është në duart tuaja.
(Federica Mogherini është përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëskryetare e Komisionit Europian. Johannes Hahn është Komisioner për Politikë Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim. Nga mediat në gjuhën shqipe, gazeta KOHA ka të drejtën ekskluzive për botimin e këtij shkrimi)