Nëse një gjykatë nuk çon prapa grilave një politikan të fuqishëm, aty drejtësi nuk ka. Çdo tentim tjetër për reformime të pjesshme, janë vetëm fasada, ku përfitues do të dilnin sërish politikanët e korruptuar bashkë me oligarkët, si zgjatime të tyre
Nga Emin AZEMI
Kur një sistem nuk funksionin, ai nuk mund të riparohet me reforma të pjesshme. Ai duhet të ringritet që nga themeli, me standarde e frymë të re.
Kjo rregull vlen edhe për sistemin katastrofik të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Njohësit e rrethanave në këtë fushë thonë se të kota janë ndryshimet kozmetike, sepse të parët që i përshtaten klimave të reja politike, janë gjyqtarët dhe prokurorët. Ata janë si minjtë që të parët e hetojnë tërmetin.
Pra, me fjalë të tjera, reforma nuk konsiston te ndryshimi i emrave të përveçëm, por te komplet sistemi. Se kjo është kështu, dëshmon gjendja aktuale në sistemin drejtësisë së këtushme. Shkoi Gruevski, erdhi Zaevi, por janë të njëjtit gjyqtarë e prokurorë të cilët na skandalizuan me mënyrën e ndarjes së (pa)drejtësisë, sepse ata e ndryshuan gëzofin .
Sikur të ishte ngritur me kohë një sistem tjetër i drejtësisë, i pavarur dhe profesional, me një buxhet solid, ai do të ishte imun nga çdo ndikim politik e oligarkik. Për rrjedhojë, nuk do të na ndodhnin aferat, si kjo e fundit e ashtuquajtur ‘haraçi’, që ende nuk dihet se çfarë epilogu do të ketë, sepse kryeprokurorja Speciale ende nuk e ka lajmëruar adresën e re të vendndodhjes. Apo ndoshta dikush mund të ketë dijeni, por atij dikushit nuk i konvenon që kjo aferë të zbërthehet plotësisht.
Në Itali, SHBA, Francë, Britani të Madhe, Gjermani e gjetiu ka plot politikanë të korruptuar, të cilët janë zënë në flagrancë me vepra inkriminuese, që zakonisht kanë nxjerrë në pah lidhjet e tyre me nëntokën dhe me klanet e ndryshme oligarkike. Mirëpo, në këto shtete kanë qenë gjykatësit dhe prokurorët ata që kanë vendosur diga të forta midis politikanëve të korruptuar dhe pastërtisë së institucioneve ku ata kanë funksionuar. Edhe atje ka patur tentime që të korruptohen gjykatësit dhe prokurorët, por ata brenda natës janë ndërruar nga organet e pavarura që mbikëqyrin punën e tyre.
Te ne cili gjykatës a prokuror u ndërrua për ndonjë vendim skandaloz gjyqësor? Te ne askush nuk e inicioi shkarkimin e kryeprokurorit Jovevski, bie fjala, për ndryshimin e aktakuzës ndaj Boban Iliqit, i cili nga një vrasës me paramendim të vogëlushit Valmir Aliu, dënohet si kundërvajtës trafiku. Ky inicim nuk erdhi as nga deputetët shqiptar.
A mjafton vetingu si proces filtrimi i sistemit të drejtësisë te ne? Kjo do të mund të zbatohej te ne sikur sistemi i drejtësisë të vuante nga deformime që nuk prekin thelbin e tij. Por, në praktikë është pikërisht shkalla e lartë e deformimeve të cilat nuk mund të riparohen me një proces të thjeshtë filtrimi dhe zgjidhja e vetme është që subjektet politike, bashkë me institucionet përkatëse dhe me ekspertë ndërkombëtar të ulen dhe në një periudhë njëvjeçare të vendosin standarde krejt të reja, mbi të cilat pastaj do të ngrihej një sistem i ri i drejtësisë. Ky i fundit do të duhej t’i ketë tiparet dhe karakteristikat e sistemeve të drejtësisë së shteteve më demokratike Perëndimore. Fundja, nëse një gjykatë nuk çon prapa grilave një politikan të fuqishëm, aty drejtësi nuk ka. Çdo tentim tjetër për reformime të pjesshme, janë vetëm fasada, ku përfitues do të dilnin sërish politikanët e korruptuar bashkë me oligarkët, si zgjatime të tyre. (koha.mk)