Në principatën e Montekarlos do të zhvillohet më datën 5 dhjetor mbrëmja “gala” për të përcaktuar atletin dhe atleten më të mirë të vitit 2018 në sportin e “mbretëreshës”. IAAF (Federata Ndërkombëtare e Atletikës), përmes një postimi në faqen e saj zyrtare, ka publikuar sot 5 kandidatët finalistë në të dyja kategoritë. Dhe surprizat nuk mungojnë, pasi votimet e publikut dhe të jurisë kanë lënë jashtë kësaj gare mjaft nga atletët pretendentë.
Për meshkuj, 5 finalistët për trofeun e “Atletit më të mirë të vitit 2018” janë: Christian Coleman (Amerikë), Armand Duplantis (Suedi), Eliud Kipchoge (Kenia), Kevin Mayer (Francë) dhe Abderrahman Samba (Katar). Ndërsa për femra, 5 atletet kandidate për çmimin janë: Dina Asher-Smith (Angli), Beatrice Chepkoech (Kenia), Caterine Ibarguen (Kolumbi), Shaunae Miller (Bahamas) dhe Nafi Thaim (Belgjikë).