Zinedin Zidan mund të jetë trajneri i ri i skuadrës së Interit. Jo atij italian, por të Inter Majemi, klubit të ri të Devid Bekam në MLS. Sipas mediave angleze, ish-futbollisti i njohur, i cili ka luajtur përkrah Zidan te Real Madrid në periudhën e “galaktikëve”, ka nisur bisedimet konkrete për të afruar francezin në SHBA. Zidan ka qenë i papunë që kur dha dorëheqjen nga pozicioni i tij si trajner i Real Madrid, pasi kishte drejtuar ekipin në suksesin për të tretin vit radhazi në Ligën e Kampioneve. Ai mendohej se do të ishte emri kryesor për të zëvendësuar Zhoze Murinjon në stolin e Mançester Junajtid, nëse portugezi do të shkarkohej nga detyra e tij. Por tani Bekam ka nisur negociatat me të për ta dërguar në Florida ish-mesfushorin francez, edhe pse ky i fundit ka shprehur dëshirën që të jetë pjesë e futbollit të rëndësishëm europian. Kuptohet që një ndikim të madh në vendimin e tij do të ketë edhe oferta ekonomike që do të bëjë Bekam, i cili nuk do të kursehet pasi ka dëshirë që të paraqitet me një emër të njohur në drejtim në vitin e tij të parë në MLS.