Nga Omer XHAFERI
Shqiptarët në Shkup e rrethinë, ndër vite janë nën mëshirën e VMRO-së apo LSDM-së. Politikat urbane dhe infrastrukturore të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, fatkeqësisht i udhëheqin protagonistët e këtyre dy subjekteve, të cilët jo rrallë herë janë diskriminuese, dhe të një anshme. Andaj, për t’i dhënë fund këtij trajtimi mesjetar, shqiptarët e Shkupit, në zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të rreshtohen pas “BASHKIMIT”, e jo pas VMRO-së, (Trajanovskit) e cila e ndërtoi projektin famëkeq anti-shqiptar “Shkupi 2014” apo pas LSDM-së, (Shilegovit) e cila mandatin saj në Qytetin e Shkupit, e shfrytëzon për revitalizimin e objekteve komuniste, duke na i shitur si një vlerë të përbashkët të kryeqytetit. Por, për t’u rreshtuar pas “BASHKIMIT”, shqiptarët e Shkupit, më saktësisht partitë politike shqiptare në vend duhet fillimisht ta fitojnë luftën me egon e tyre.
Matematikat dhe planet partiake për jetësimin e “BASHKIMIT” si vlerë e cila po thuajse është harruar, duhet sakrifikuar, më së paku për katër vite. E kam të qartë se gisht në gjithë këtë kaos në lagjet shqiptare në Shkup, kanë edhe përfaqësuesit e BDI-së, të cilët për gati 20 vite disponojnë me shumicën e këshilltarëve shqiptar në Këshillin e Qytetit të Shkupit. Mirëpo, për realizimin e projekteve të mëdha duhet sakrifica të mëdha.
Çdo parti politike shqiptare në vend duhet ta ketë të qartë, ashtu siç është e qartë dita me natën se vet, si grup këshilltarësh në Qytetin e Shkupit, NUK MUND TË FUNKSIOJNË! Në realitet mund të funksionojnë, megjithatë rezultatet nuk do të jenë farë më të mira se sa të BDI-së. Zgjidhja e problemeve shumë vjeçare e shqiptarëve që jetojnë në Saraj apo ato në Çair, Butel, Shuto Orizare apo Gazi Babë, kalon përmes Këshillit të Qytetit të Shkupit. Korniza ligjore është e tillë që çdo projekt i dhjetë komunave që e përbëjnë Qytetin e Shkupit të kaloj përmes këtij Këshillit.
Ky institucion në praktikë është Kuvendi i shkupjanëve, ku ngjashëm si në Kuvendin republikën, edhe këtu fjalën përfundimtare e kanë votat. Fatkeqësisht me apo pa vetëdije vota shqiptare në këtë Kuvend është e shpërndarë në disa grupe këshilltarësh. Ndërkohë, nëse realizohet “BASHKIMI” i saj do të ishte një goditje e madhe për politikat e dy subjekteve më të mëdha maqedone, të cilët e ndjejnë një komoditet të lartë në këtë institucion. Aktualisht nga numri i përgjithshëm prej 45 këshilltarëve në Qytetin e Shkupit, 11 janë shqiptar (VMRO-3, BDI-3, LSDM – 2, L.Besa – 1, Alternativa – 1, Aleanca për Shqiptar – 1). Brenda dy subjekteve maqedone edhe të tillë që kanë thithur vota shqiptare, por se nuk deklarohen si të tillë.
Unifikimi i votës shqiptare në Shkup, gara me një Listë të përbashkët për këshilltarë, katër vitet e ardhshme (2021-2024), do t’i bënte shumë më të ndritshme për shqiptarët, por edhe etnitë tjera më të vogla. Nëse në zgjedhjet e kaluara parlamentare në Shkup, votuan afërsisht 50 mijë shqiptare, a e paramendoni se çfarë hovi do të kishte Lista e përbashkët e këshilltarëve shqiptarë. A e paramendoni se çfarë do të ishte “pazari” nëse shqiptarët do të kishin një të tretën e këshilltarëve në Këshill (15 anëtar), a e paramendoni se çfarë trajtimit do t’i bëhej Matkës si qendra e dytë më e vizituar në vend pas Ohrit, apo Çarshisë së Shkupit, e cila prej vitit 1974 nuk ka shijuar ndonjë investim serioz kapital nga arka e qytetit. Ose për Kalanë e Shkupit, e cila është lënë jetime. Lista e përbashkët e këshilltarëve shqiptarë, gjithashtu mund të zgjerohet edhe më tepër nëse asaj i shtohen votat modeste të komunitetit turk dhe atij boshnjak, po pse jo edhe atij rom.