Pasi pas pothuaj një jave paqartësi, Këshilli Evropian dje nuk arriti konsensus për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut pas “jo”-së kategorike të presidentit francez Emanuel Makron, kryeministri Zoran Zaev deri dje vonë ka mbajtur konsultime në më shumë nivele për hapat e ardhshme, ndërsa presidenti Stevo Pendarovski për të dielën ka caktuar takim të liderëve.
Pendarovski pas mbledhjes së liderëve të BE-së në Bruksel iu drejtua qytetarëve me porosi se tani nuk është koha e dëshpërimit, për apati ose për kalkulime për fitimin e pikëve të vogla ditore-politike, por është koha për bashkim të sërishëm rreth asaj që është për ne më me rëndësi në Republikën e Maqedonisë së Veriut, siç tha, ardhmërinë tonë dhe ardhmërinë e gjeneratave që vijnë.
Shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov përmes Tuiterit e ka shprehur qëndrimin se më së paku që Bashkimi Evropian i ka borxh rajonit është të jetë i qartë ndaj tij.
“Nëse nuk ekziston konsensus për ardhmërinë evropiane të Ballkanit Perëndimor, nëse premtimi nga Selaniku në vitin 2003 më nuk vlen, qytetarët meritojnë të dinë”, ka shkruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në Tuiter.
Zëvendës kryeministri i obliguar për çështje evropiane, Bujar Osmani dje tha se ne jemi pjesë e Evropës dhe padrejtësia nuk guxon të na largojë nga përpjekjet tona për të vazhduar me implementimin e reformave, të vazhdojmë me ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të vazhdojmë të mirëmbajmë bashkëjetesën dhe shoqërinë multikulturore – thjeshtë, të vazhdojmë në ndërtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut evropiane.
Dje me qëndrim të vetin u prononcua edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, i cili tha se mosmarrja e datës është rezultat i politikave të këqija dhe dështuese të Qeverisë së Zoran Zaevit. Ai më tej vlerëson se BE-ja duhet të vazhdojë të jetë qëllimi i ynë strategjik dhe, sipas tij, nevojitet takim i kreut shtetëror, ku do të diskutohej për tërë këtë, e para së gjithash për ardhmërinë e vendit.
Shumica e liderëve evropianë e kanë dënuar hapin e Makronit, duke thënë se është duke bërë gabim historik, ndërsa nga ana tjetër, megjithatë kanë bërë thirrje që vendi mos të heqë dorë nga reformat dhe integrimet, dhe thonë se do të kthehen në çështjen për zgjerim në Samitit për Ballkanin Perëndimor në qershor të vitit 2020.
Makron, pas bllokadës për Shkupin dhe Tiranën, porositi se anëtarësimi i plotë në BE, nuk duhet më të jetë politikë e vetme drejt shteteve fqinje të BE-së, duke e kontestuar për herë të parë çështjen e së ardhmes dhe perspektivës evropiane të vendeve nga Ballkani Perëndimor, të dhënë në Selanik në vitin 2003.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministrat e Suedisë dhe Sllovenisë dhe shumë liderë tjerë evropianë dje kanë biseduar me telefon me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
“Gjermania mendon se me plotësimin e kushteve të caktuara mund të fillonin bisedimet, por nuk ka pasur një qëndrim unanim për këtë. Do të kthehemi të diskutojmë për këtë çështje në Samitin për Ballkanin Perëndimor në vitin 2020”, theksoi Merkel.
Paraprakisht, kryesuesi me Këshillin evropian Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker thanë se me mosmarrjen e datës për fillimin e negociatave, Franca bën gabim historik dhe kanë shprehur dëshpërim të madh nga rezultati i debatit për zgjerim.
“Ju lutem mos u dorëzoni. Unë e kuptoj plotësisht zhgënjimin tuaj, sepse e merituat atë, por nuk e morët. BE-ja është një entitet politik i ndërlikuar dhe është e vërtetë që nganjëherë vendimmarrja kërkon shumë kohë. Por nuk kam dyshim absolutisht se një ditë do të bëheni anëtare e plotë e BE-së”, tha Tusk në Bruksel.
Junker e kritikoi mosmarrjen e vendimit si “gabim historik” dhe vlerësoi se “nëse BE-ja dëshiron të jetë e respektuar në botë, atëherë medoemos duhet t’i mbajë premtimet e veta.
Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han në Tuiter ka shkruar se përgjegjësia për dështimin e fillimit të negociatave është te Bashkimi Evropian. “Përgjegjësia për sulmin nuk është te vendet (Shqipëria dhe Maqedonia Veriore), të cilët me të drejtë shpresuan në vendimin pozitiv. Ata i përmbushën obligimet. BE-ja është përgjegjëse që nuk ka arritur t’i përmbush premtimet për shkak problemeve të brendshme. Kjo e dëmton kredibilitetin e BE-së jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë”, ka shkruar Han.
Derisa disa liderë ishin që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ndahen dhe të miratohet fillim i negociatave vetëm për Shkupin, Makron ishte edhe kundër kësaj. Ai pranoi se në takimin e mbrëmshëm ka ekzistuar shumicë e qartë e shteteve për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, por jo edhe për Shqipërinë dhe se ai është kundër ndarjes së dy shteteve.
“Dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut pa Shqipërinë do të ishte gabim politik vdekjeprurës, ndërsa ky ishte konsensusi i vetëm i mundshëm, do të shihnim lëvizje politike dhe sociale nga dhuna e madhe, jo vetëm te komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut, por te të gjitha shtetet ku ka komunitet shqiptar”, deklaroi Makron.
Ai theksoi se me “këto shtete”, duhet të ekzistojë “agjendë strategjike”, por se nuk është e obligueshme që ato të jenë shtete të ardhshme të BE-së.
Makroni e përsëriti nevojën për reforma në procesin për negociata me shtetet kandidate dhe kërkoi që ky proces të jetë reversibil, gjegjësisht që të mund të ndërpritet.
Presidenti i Francës, posaçërisht i përshëndeti përpjekjet e kryeministrit Zoran Zaev, për Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese dhe paralajmëroi se së shpejti do t’i vizitojë kryeministrat Zoran Zaev dhe Edi Rama.
“Këto ndryshime ishin pjesë e kërkesave të BE-së, por se më shumë shtete kanë rezerva, jo se nuk ka përparim, ai ekziston, por mes tjerash nuk ka koherencë në raport me imigrimin dhe respektimin e rregullave të caktuara”, deklaroi Makron.