Për Jakim Nedellkovski, kreu i SASHK, çdo korrektim eventual do të duhej të bëhej në marrëveshje me sindikatën dhe në favor të punonjësve të kulturës, për të zhbërë padrejtësinë disavjeçare ndaj tyre duke ndryshuar koeficientët diskriminues për disa vende pune. Realizimi i kësaj kontrate është shtyrë për shkak të kostos financiare që Qeveria nuk mundi ta përballonte. Minsitri Allagjozovski ka premtuar disa ndryshime ligjore, si edhe sigurimin e një fondi për implementimin e saj vitin e ardhshëm
Evis HALILI
Shkup, 18 prill – Kontrata kolektive për mbi tre mijë punonjës në kulturë pritet të jetë gati deri në fund të këtij viti. Atëherë kur do të dihet me saktësi kostoja financiare, por edhe ndryshimet eventuale të përmbajtjes së këtij dokumenti, përpilimi i të cilit ka zgjatur disa vjet, shkruan gazeta KOHA. Por nga Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SASHK) paralajmërojnë se nuk do të nënshkruajnë dokumentin në rast se nuk do të kenë garanci të forta për zbatimin e saj. Pak ditë më parë Ministria e Kulturës informoi opinionin se kontrata është përpara finalizimit, pas një sërë konsultimesh dhe takimesh me përfaqësues të SASHK dhe institucioneve të tjera.
Po ashtu për nënshkrimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshje kolektive deri në fund të këtij viti duhet që të përgatiten edhe ndryshimet e duhura në Ligjin për sektorin publik dhe të miratohet një ligj i ri për kulturës, që do të duhet të zhvillohet si një proces paralel, pasi që marrëveshja kolektive nuk është kompaktibile me rregullativën ligjore ekzistuese, bënë me dije nga Ministria e Kulturës.
Por për Jakim Nedellkovski, kreu i SASHK, çdo korrektim eventual do të duhej të bëhej në marrëveshje me sindikatën dhe në favor të punonjësve të kulturës, për të zhbërë padrejtësinë disavjeçare ndaj tyre. Edhe pse teksti i Kontratës është i njëjtë, Nedellkovski thotë se në rast të ndryshimeve eventuale, ato duhet të jenë në drejtim të përmirësimit të situatës në përgjithësi.
“Ministria na ka premtuar se do të mundohet të gjejë fond për realizimin e kësaj kontrate. Por as më parë dhe as tani në nuk do të nënshkruajmë Kontratën nëse nuk kemi garanci të forta për implementimin e saj, sidomos në pjesën me koeficientet për të shlyer kështu padrejtësinë disavjeçare që iu është bërë disa vendeve të punës me pagesa më të vogla. Janë paralajmëruar ndryshime në tekst, të cilat nëse janë pozitive janë të mirëseardhura, por nëse cenojnë të drejtat e punës do të kemi probleme, dhe nuk do të pranohen prej nesh. Problemi i shtyrjes së procesit të nënshkrimit kishte të bëjë me sigurimin e financave. Pasi teksti i kontratës ka qenë po ky që kemi në duar dhe që për vlerësimin tonë është i mirë. Nëse ndryshimet do të jenë të atilla që do të cenohen të drejtat e punës atëherë ne si partnerë sociale nuk do ta nënshkruajmë. Nuk e di sesa qeveria e ka kuptuar se kultura është një veprimtari thelbësore, jo vetëm veprimtaria që zhvillohet brenda institucioneve si pjesë e kultivimit të traditës, por edhe promovimi dhe prezantimi jashtë vendit. Prandaj duhet të kushtohet një vëmendje shumë e madhe ndaj kësaj veprimtarie strategjike, këtyre ambasadorëve të kulturë jashtë vendit dhe të financohet më shumë e të shpërblehen për aktivitetet e tyre”, thotë Nedellkonvski.
Nga SASHK nuk japin asnjë koment për koston dhe implikimet financiare të Kontratës, të cilat mbajtën peng nënshkrimin për disa vjet me radhë. Kjo zvarritje ka prekur më shumë institucionet shqiptare të kulturës, të cilat operojnë pa kontratë dhe për rrjedhojë dallimet mes pagave për vendet e njëjta të punës në këto institucione nacionale me të tjera janë drastike. Përfaqësuesit sindikalë të këtyre institucioneve i kanë paraqitur kërkesat në SASHK, jo vetëm për nivelizimin e pagave mujore, por edhe për përfitimin e të gjitha benificioneve të tjera, si specializime, akordimin e shumave të njëjta për programet vjetore, e të tjera. (koha.mk)