Berlin, 6 nëntor – Presidenti i Bundestagut gjerman Wolfgang Schäuble nuk i ka kursyer kritikat në adresë të Presidentit të Francës Macron, duke u shprehur se JO-ja për Tiranën dhe Shkupin ishte një vendim i gabuar, transmeton gazeta KOHA.
Në një intervistë për Reuters, Wolfgang Schäuble u shpreh se Evropa e ka detyrim të stabilizojë Ballkanin dhe se nëse dështon këtu, s’mund të pretendojë të ruajë një rol në Lindjen e Mesme.
“Nëse dështojmë këtu, atëherë si mund të pretendojmë të luajmë një rol stabilizues në Lindjen e Mesme”, tha ai, duke shtuar se, “thellimi i bashkëpunimit dhe zgjerimit të BE-së duhet të vazhdojë”.
Kujtojmë se më 18-19 tetor Franca dhe disa vende të tjera dolën kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Macron u shpreh veçanërisht kundër Shqipërisë, duke thënë se s’mund të pranojë futjen e vendit tonë në BE në kushtet kur Franca po ‘përmbytet’ nga emigracioni dhe kërkesat për azil.(koha.mk)