Të drejtën e organizimit dhe realizimit të referendumit e ka Komisioni Shtetëror Zgjedhor, partitë politike dhe institucionet e tjera relevante të shtetit, në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi, konform standardeve, rregulloreve dhe kritereve të caktuara dhe jo gjithsecili, të cilit si t’i kujtohet dhe kur t’i kujtohet, përfshi këtu edhe autorin e këtij shkrimi, pa marrë parasysh se do të votojë PËR apo KUNDËR ndryshimit të emrit të shtetit, pa marrë parasysh se referendumi apo kjo formë e shprehjes së mendimit të popullit, “e ka bishtin prapa a para hundës!”
Nga Fadil LUSHI
Miku im i dashur dhe i paanshëm! Unë besoj shumë se do më ndjesh nëse në këtë shkrim për gazetë (ndoshta me a pa hir, me a pa sebep) do ta teproj me fjalorin fyes, me gjuhën denigruese, me disa sllavizma e otomanizma si dhe me ca mesele nga përditshmëria jonë e bezdisshme dhe e njëtrajtshme. Mbaj mend se, kur isha një çun çapkën, me shumë vështirësi i zbatoja urdhrat a porositë me gojë të prindërve si dhe të mësueses sime. Edhe ata pak urdhra që i vija në jetë më dukeshin si të ishin luftarakë, hajt, të mos themi edhe banale. Sot e kësaj dite më kujtohet meseleja kur pushtetarët nga komunisti, ma “morën masën e samarxhiut” si dhe një takim me një punonjës të hetuesisë. Ai urdhëroi dhe kërkoi bashkëpunimin tim me organet e ndjekjes. Para se ta kundërshtoja kërkesën dhe para se të më fuste në kurthet e tij mjerane, ai më tha: “Ki parasysh, jo gjithmonë urdhri e ka bishtin prapa!…, bëj kujdes se shërbimet tuaja do të shpërblehen…, nëse do të mungojë “allishverishi” a bashkëpunimi dhe nëse do të bësh përpjekje ta shpallësh të paqenë urdhëresën time, dije se do thyesh qafën”. Se “urdhri i hetuesit (nuk) e paskësh bishtin prapa”, fiqiri im prej axhamiu e kuptoi që kur ia çanë kokën!
Një mbrëmje tek po e shkruaja opinionin e radhës, dëgjova zërin urdhërues dhe paksa të ashpër të “indiankës” së shtëpisë sime (siç parapëlqen të thotë “goca” Gordanë). Pa një pa dy, kjo zonja e shtëpisë më thotë “lëre shkrimin…, pa shikoje e dëgjoje si këndon kjo këngëtare”. Ç’është e vërteta, unë nuk kisha dertin e këngës tallava, isha dalldisur pas “shkarravinës” në fjalë, megjithatë për një moment ktheva shikimin nga televizori dhe pashë një vashë gjysmëlakuriqe. Meqenëse tallavaistja nuk më krijoi asnjë përshtypje, qeshë i detyruar që kësaj gruaje që mbarështon e qeveris shtëpinë, t’i them: “Të lus, më lër rehat… dhe “futja!” Sikur asaj iu duk se nuk e përfilla urdhrin e saj, ndaj me inat dhe gojën plot ma ktheu: ”… futja ti!” Pas pak kohësh më tha: “Ktheje llafin prapë”. “Aha, fjalën pise e mori havaja!”. Që unë të mos keqkuptohem, do jap sqarime shtesë sa i përket kësaj vakie. Sikur kjo këngëtare a fundërrinë e pavlefshme, të ishte nga shehri im, mamasë së saj do t’ia kontestoja të drejtën e të qenit edukatore, të drejtën e të qenit amvisë e shtëpisë dhe së fundi do t’ia kufizoja të drejtën e të dhënit urdhëresa. Urdhri i zonjës sime ishte shumë i drejtë, pavarësisht se dukej i “rreptë a i padiskutueshëm”. Kryesorja, mua më erdhi mirë edhe përkundër “pishmanllëkut” të bashkëshortes sime. E gjithë kjo mesele sikur më thotë se jo gjithmonë urdhri e ka bishtin prapa!, ky “urdhër akshami, mua më doli për hair”…, ndërkaq ata që nuk e kanë ndërmend të pajtohen me mendimin tim ndryshe, le të bëjnë kujdes kur ta hanë preshin nga bishti, sepse po ta përtypësh kërcellin e gjatë e fletë-fletë nga ana e prapme e tij, dije se punët të dalin “buçuk!”… dhe mua, për fat të mirë, “hesapet më dolën me tamam”. Për të tjerët nuk kam habere!
Disa ditë më parë në një “agshol të vonuar”, me një “urdhër paraprak dhe të prerë prej sabahut”, qeshë i detyruar të “gjezdis” rrugëve të mëhallës sime. Ç’është e vërteta, unë jam bërë shumë “çallamxhi” dhe kam filluar të “mburrem” me lagjen time që ka shikim nga Sharri, pavarësisht se kjo mëhalla jonë është shndërruar e gjitha në beton, në asfalt, “në art, në teatër, në bibliotekë, në një udhëkryq të rëndësishëm”, në një gërmadhë të fshatit të djegur…, një mëhallë që ka marrë “çehren e njeriut të veremosur” (larg qoftë!), në një lagje ku të gjithë të duken të dremitur “sabah e aksham!”. Se për çka dola “nuk më kujtohej”. Angazhova dyqanxhiun dhe i thashë: Ore, po më kërko në shtëpi… dhe andej u dha xhevapi…, ka dalë të blejë bukën e thekërt prej çerepi te furrxhiu nga Hasi i Prizrenit. Te hasjani bukën e blen edhe mësuesi, edhe bujku, edhe me demek “profesori universitar”, edhe studenti e nxënësi, edhe beqari edhe lënesha, edhe elektricisti edhe postieri, edhe intelektuali edhe “heqimi” i pensionuar i lagjes sonë, edhe pasaniku edhe biznesmeni edhe fukarai. “Fatmirësisht” politikani hiç fare nuk duket atypari, sepse ai bukën dhe produktet e tjera ushqimore i blen te dyqanet ekskluzive greke dhe te ca turke! Në kthim e sipër, rrugës më takoi “shef teneqexhiu ose majсторот за околу куќни пишалки” (ullukbërës shtëpish), siç bashkëqytetarët tanë sllav nga Tetova parapëlqejnë ta quajnë. Ishte i përgjumur dhe i tërë hundë e buzë! Me të në shoqëri ishte nipi i ish-berberit të kasabasë sonë, i cili para gjashtë e më shumë dekadash, me “urdhër” të prindërve tanë, qe “detyruar” ne kalamajve të na “hiqte lafshën e organit burrëror”. Mirëmëngjesin tim ma ktheu me një “selam” gjysmë anadollak. I parashtrova pyetjen: Ç’kemi shef i nderuar teneqexhi, ç’“habere” kemi nga kooperativa! Çuditërisht, nuk ma ktheu “hazërxhevapin” dhe, lëre që nuk më përshëndeti ashtu siç dua unë, po filloi me atë retorizmin e tij bosh dhe të rëndë. Sikur kacagjelohej para fëmijëve…, sikur muhabetin e filloi kodra mbas bregut! Pyetja e parë e tij kishte të bëjë me privatësinë time:…, “pse nuk e merr byrekun me mish, pse nuk e konsumon atë me gjizë, me spinaq, me hithra a me…, pse nuk e merr bukën e grunjtë dhe të zezë”…, mandej më bëri vërejtje për një shkrim paraprak timin. Nuk i paskësh pëlqyer titulli, përmbajtja, as leksiku, as sintaksa dhe në fund as lektura. Po halli ç’duhet bërë miku teneqepunues, e pyeta! “Bëje një tjetër dhe, pasi ta bësh, mos harro të dalësh në referendumin popullor!” Hajde mendje, hajde! Po kush je ti të më sugjerosh a të më urdhërosh. “Ore, kam urdhër të politikanit që ia bëra okollu kuqna pishallkat e apartamentit të tij…, krejt veresie!” Sikur vazhdoi të dërdëlliste pas shpine… “Bëj kujdes dhe mos harro se këtë që ta them është URDHËR PREJ SABAHU!”… dhe unë e pyeta: Po sikur të mos e zbatoj këtë “urdhrin tënd prej sabahu” çka do të ndodhë?! Ma ktheu: “Do t’i thyej fulqinjtë”…, por ama do më bësh një shërbim, para se të m’i thyesh turinjtë, të lus të m’i prekësh “topat e kandarit”…, dhe ky ustai prej teneqexhiu që u përngjan atyre çunave të Stambollit dhe Kavajës, s’kishte se si ta refuzonte kërkesën time në këmbim të zbatimit të urdhrit të tij! Fatkeqësisht, teneqepunuesi ynë i nderuar bashkë me shoqëruesin e tij nip berberi si dhe ca të tjerë të tillë si ai, asnjëherë nuk bënë dallimet ndërmjet nocioneve të tilla siç janë: “thirrje, bojkot, propagandë, urdhër, organizim dhe realizim”. Tekefundit, të drejtën e organizimit dhe realizimit të referendumit e ka Komisioni Shtetëror Zgjedhor, partitë politike dhe institucionet e tjera relevante të shtetit, në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi, konform standardeve, rregulloreve dhe kritereve të caktuara dhe jo gjithsecili, të cilit si t’i kujtohet dhe kur t’i kujtohet, përfshi këtu edhe autorin e këtij shkrimi, pa marrë parasysh se do të votojë PËR apo KUNDËR ndryshimit të emrit të shtetit, pa marrë parasysh se referendumi apo kjo formë e shprehjes së mendimit të popullit, “e ka bishtin prapa a para hundës!”. (koha.mk)