Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë thonë se bujqit individual sërish po diskriminohen dhe nuk janë përfshirë në pakon e tretë ekonomike. Më shumë shoqata dhe sindikata thonë se në vend të “dhuratave” të njëhershme, nevojitet ndërtimi i një shoqërie më solidare
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 maj – Bujqit, dhe më shumë sindikata dhe organizata joqeveritare kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me pakon e tretë të masave ekonomike qeveritare. Më shumë shoqata dhe sindikata vlerësojnë se pakoja e tretë e masave në vend të “dhuratave”, të njëhershme duhej të përmbanin ndryshime më të mëdha sistemore në drejtim të ndërtimit të një shoqërie më solidare, që do të përkujdeset më shumë për punëtoret, punëtorët, të varfrit dhe të tjerët. Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë thonë se bujqit individual sërish po diskriminohen dhe nuk janë përfshirë edhe në pakon e tretë ekonomike. Ato edhe pse i plotësojnë kushtet , llogariten si të punësuar dhe i paguajnë të gjitha detyrimet ndaj shtetit, megjithatë nuk mund të fitojnë vauçerë për blerjen e prodhimeve vendore dhe për turizëm, për shkak se janë të regjistruar sipas Ligjit për sigurim pensional dhe jo sipas Ligjit për shoqëri tregtare.
Njëherësh ato nuk mund të shfrytëzojnë as ndihmën për pagesën e pagës minimale prej 14.500 denarë dhe as kreditë pa kamatë të Bankës Zhvillimore, ndërsa shtojnë se këto masa mund ti shfrytëzojnë vetëm tregtarët individual. “Bujqit individual nuk mund të shfrytëzojnë as vauçerët dhe as masat për pagën minimale dhe kreditë e lira. Njëherazi po përsëriten në pakon e tretë të masave masa si nafta e gjelbër që tani po realizohet si masë antikrizë”, thotë Vaska Naumovska, kryetare e Federatës së Fermerëve së Maqedonisë. Sipas saj, ekzekutivi duhet të ndryshojë dispozitën për përkrahje financiare të personave fizik që kryejnë veprimtarinë e pavarur, të goditur nga kriza ekonomike- shëndetësore të shkaktuar nga korona virusi përgjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Pra, kërkohet që në kategorinë e personave fizik që kryejnë veprimtari të pavarur të përfshihen edhe bujqit e regjistruar sipas Ligjit për sigurim pensional , që duhet të fitojnë ndihmë për pagën minimale për muajt prill dhe maj, në rast se kanë humbje në punën e tyre.
Mojsovska më tej shton se kërkojnë edhe kredi të volitshme nga ana e Bankës Zhvillimore për bujqit e regjistruar sipas Ligjit për sigurim pensional, që kanë probleme me shitblerjen e prodhimeve bujqësore. Nga ana tjetër, më shumë shoqata dhe sindikata vlerësojnë se pakoja e tretë e masave në vend të “dhuratave”, të njëhershme duhej të përmbanin ndryshime më të mëdha sistemore në drejtim të ndërtimit të një shoqërie më solidare, që do të përkujdeset më shumë për punëtoret, punëtorët, të varfrit dhe të tjerët. “Sidomos jemi të pakënaqur me masën për kompensimin në të holla për vetëm dy muaj për punëtorët që kanë humbur punën, me çka qeveria nuk e respektoi marrëveshjen e arritur më 30 prill , sipas së cilës këto persona duhej të fitojnë kompensim në kohëzgjatje që varet nga stazhi i tyre dhe jo vetëm dy muaj”, thonë nga Sindikata e Administratës, Sindikata e pavarur e punëtorëve medial, Sindikata e shërbimit diplomatik, Komitetit i Helsinkit për të drejtat e njeriut dhe shoqata e qytetarëve “Glasen Tekstilec”, etj. Ndër vërejtjet e tjera janë edhe shuma tre herë më e madhe për firmat në raport me qytetarët.
Njëherësh shtojnë se nevojitet që pagë më të madhe të fitojnë të gjithë punëtorët shëndetësor, dhe jo vetëm ato që përfshihen në pakon e masave, ndërsa shtojnë se 20 për qind për dy muaj janë shumë pak për njerëzit që kanë në qenë në vijën e parë të luftës. Kërkohet edhe përfshirja më e madhe e përdoruesve të kartelave pagesore që nuk duhet të vlejë vetëm për të papunët dhe për pranuesit e pagave deri më 15 mijë denarë, apo propozohet që kushti për pagesën e 15 mijë denarë të lidhet me mesataren e pagave në tre muajt e fundit të krizës, për shkak se shumë të punësuar ose nuk kanë pranuar paga ose kanë pranuar paga më të ulëta. (koha.mk)