Të mundësohet krijimi i qeverisë së re me program të ri qeveritar që të nisin reformat, të zhvillohet biznesi dhe në mënyrë të rregullt të merren pagat. Ky është qëndrimi që ndajnë SHBA-ja, BE-ja, NATO dhe Berlini, porositi zëvendës ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Hojt Brajan Ji i cili qëndron në Maqedoni
“Është e nevojshme që liderët politikë, shoqëria civile dhe qytetarët të punojnë së bashku në shpirtin e bashkëpunimit me qëllim që të shërohen plagët, jo vetëm ato që dolën nga ngjarjet e të enjtes në Parlament, por edhe ato të mospajtimeve politike që zgjatin më gjatë. Mënyra e vetme që kjo të arrihet është që të formohet qeveri e cila do t’i përkushtohet reformave që do ta afrojnë vendin drejt eurointegrimeve”, deklaroi Ji pas takimeve në Shkup.
Ai gjithashtu deklaroi se SHBA-të janë të gatshme të japin kontributin e tyre për formimin e Qeverisë së re dhe se nuk shohin asnjë pengesë që ajo të mos formohet. “Besoj se është shumë me rëndësi për liderët politik që të gjejnë zgjidhje për krizën politike. Të gjejnë mënyrë që të lejojnë që shumica parlamentare të formojë Qeverinë e re dhe programin qeveritar. E dimë se ka shqetësime rreth programit qeveritar, por për atë duhet të debatohet dhe të votohet në Kuvend, jo jashtë tij. Zgjidhja e vetme e krizës është formimi i Qeverisë. Nuk shohim arsye që shumica parlamentare të mos fitojë mundësi për formimin e Qeverisë. Vendi duhet të rimëkëmbet për të mirën e të gjithëve. Është koha që kriza të mbarojë”, tha Hojt Ji.
Ji tha se janë shqetësuar pasi besojnë se është “një fatkeqësi që së fundmi progresi i Maqedonisë dhe prosperiteti nuk ka qenë mjaftueshëm i shpejtë dhe pozitiv, kuptohet për shkak të krizë politike e cila po vazhdon më shumë se dy vjet e gjysmë”. “Më alarmues nga të gjitha ndodhitë është incidenti në Kuvendin javën e kaluar kur pjesëtarë të parlamentit në mënyrë të dhunshme dhe frikacake u sulmuan. Inkurajojmë institucionet që të hetojnë dhe ndëshkojnë ata që i bënë këto vepra”, tha Ji.