Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 janar – Vetëm afër 60 për qind e amvisërive në Maqedoni janë të kyçura në kanalizim, ndërsa 20 për qind i derdhin ujërat e ndotur në gropat septike, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse 97 për qind e popullatës ka qasje deri tek uji për pije, megjithatë për dallim nga mjediset urbane që nuk asnjë problem lidhur klorimin e ujit, banorët e vendbanimeve rurale kanë problem me cilësinë jo të rregullt të ujit për pije. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës dhe Institutit për shëndet publik, papastërtitë nga kuzhinat dhe banjot derdhen lirshëm nga 12 për qind e shtëpive dhe banesave, ndërsa pa asnjë instalim të kanalizimi janë 7.4 për qind e amvisërive. Brengosës është fakti se vetëm 7 për qind e ujërave të ndotura pastrohen në sistemet bashkëkohore të kolektorëve para se të kthehen në lumenjtë dhe liqenet, për dallim prej mesatares evropiane të pastrimit prej 70 për qind të ujërave të ndotura.
Nga ana tjetër, madje 40 për qind e numrit të përgjithshëm të banesave nuk janë të lidhura me instalimet që ujërat e ndotura nga amvisëritë i dërgojnë në kanalizimin publik, e dhënë kjo që tregon se në Maqedoni pak mbahet llogari për mbrojtjen e ambientit jetësor nga ujërat e ndotura të amvisërive. Nëse kësaj i shtohet edhe fakti se pjesa më e madhe e rrjetit të ndërtuar të kanalizimit nuk shpien deri tek sistemet moderne të kolektorëve, atëherë situata nevojitet që seriozisht të brengosë institucionet kompetente dhe komunat. Në Evropë, pjesa më e madhe e sistemeve të kanalizimeve është e lidhur me impiantet për trajtimin e ujërave urbane ndotëse. Në të gjitha shtetet evropiane, ujërat ndotëse të 70 për qind të popullatës pastrohen nëpër sistemet e kolektorëve, me përjashtim të Sllovakisë, Rumanisë, Islandës dhe Kroacisë. Vendin e parë në këtë fushë e ka Malta ku pastrohen 100 për qind e ujërave të ndotura, e pasuar nga Britania e Madhe me 99.5 për qind, Holanda me 99.4 për qind.
Në ndërkohë, për dallim nga mjediset urbane që nuk kanë asnjë problem lidhur me furnizimin me ujë dhe sanitacionin apo klorimin e ujit, banorët e vendbanimeve rurale nuk kanë qasje të njejtë ndaj rrjeteve të kanalizimit, andaj janë të detyruar të shfrytëzojnë gropa septike, si dhe kanë problem me cilësinë jo të rregullt të ujit për pije. “Dezinfektimi jo i rregullt, gjegjësisht klorimi i ujit në ujësjellësit rural dhe lokal është shkaku kryesor për cilësinë e ndryshueshme dhe jo të rregullt të ujit për pije në rajonet e Shkupit, Velesit dhe Kumanovës”, thekson për gazetën KOHA, profesori universitar Vlladimir Koçubovski.
Nga ana tjetër, vlerësohet se në vitin 2014, rreth 37 për qind e popullatës në Maqedoni, apo rreth 770 mijë njerëz jetojnë në 1420 vendbanime rurale. Rreth 27 për qind e popullatës rurale është e lidhur me sistemet e ujësjellësit të qyteteve që menaxhohen nga 56 ndërmarrje komunale. Rreth 62 për qind e banuesve rural furnizohen me ujë nga ujësjellësit e vegjël në vendbanimet rurale që shfrytëzojnë burime vetanake, ndërsa rreth 4 për qind e popullatës rurale varet nga objektet lokale furnizuese si bunarë, pompa, çezma fshati etj.
“Probleme të përbashkëta që ndikojnë në cilësinë e ujit në sistemet e vogla të furnizimit me ujë janë mungesa e zonave mbrojtëse dhe rrethojave, rrjeti i vjetruar dhe i dëmtuar, klorimi jo i rregullt i ujit për pijë dhe pastrimi joadekuat i ujit”, vlerësojnë nga Instituti për Shëndet Publik.
Gjithashtu, në Maqedoni ekzistojnë edhe dallime të mëdha midis mjediseve urbane dhe rurale lidhur me kyçjen e amvisërive në rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit. Kështu, në qytetin e Shkupit, mbi 80 për qind e amvisërive janë të kyçura në rrjetin e kanalizimit, që si përqindje është shumë më e madhe se vendbanimet rurale.
Probleme edhe në Bullgari dhe Serbi
Sipas EUROSTAT (Zyrës evropiane të statistikave), vetëm 2.4 për qind e amvisërive në BE nuk kanë qasje ndaj rrjetit të kanalizimit. Situata më e keqe është në Rumani, ku me kanalizim janë të mbuluara 69.5 për qind e amvisërive, të pasuara nga Bullgaria me 89.9 dhe Lituania me 89.4 për qind, ndërsa në Serbi me rrjet të kanalizimit janë të mbuluara vetëm 17 për qind e amvisërive. Bile edhe në rajonin dikur më të pasur të Serbisë, atë të Vojvodinës, 67 për qind e popullatës nuk kanë kanalizim, gjegjësisht vetëm 33 për qind e amvisërive në këtë rajon janë të lidhura në kanalizim. Ndryshe, qasje ndaj ujit të pastër ose relativisht të sigurt nuk kanë 783 milionë njerëz në botë, ndërsa 2,5 miliardë njerëz, apo gati 37 për qind e popullatës botërore nuk kanë qasje në tualete, tregojnë analizat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.