Njihet si një prej emrave më të kërkuar të skenës shqiptare, këndon këngë të lehta, qytetare, serenata…, ndërsa mbrëmjet muzikore dhe ahengjet familjare nëpër të cilat merr pjesë shkojnë në maksimum. Jetmir Rexhepi vjen në një bisedë të gjatë për Infrared të gazetës KOHA, duke treguar mbi fillimet e tij të karrierës dhe planet që po bën gati për publikun
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si ndodhi që muzika u bë pjesë domethënëse e jetës tuaj?
Unë nga klasa e pestë në fillore merrem me muzikë, gjithmonë kam kënduar njëherë kam nisu me çifteli dhe më pas një instrument elektronik ku aty nisa të këndoj dhe aty më nisi dëshira e madhe për këndim dh e të merrem me muzikë.
KOHA: Ju vetë vini nga ndonjë familje muzikantësh apo nevoja, koha dhe dëshira për muzikën…?
Babai im është marrë me muzikë ka kënduar me shahirët, ndërsa nëna ime pjesë e SHKA “Xheladin Zeqiri” e më pas e kam vazhduar unë këtë traditë.
KOHA: Na tregoni diçka për historinë e zërit tuaj?
Unë kam nisur që i vogël në klasën e gjashtë arsimtari i muzikës në shkollën fillore më mori në kor dhe aty e pa që unë kisha vokal të mirë dhe më preferoi të merrem me muzikë dhe jeta të çon andej këndej dhe aty kam takuar Azir Azirin që më ka ndihmuar për çdo nevojë që kam pasur për këngë qytetare ndërkohë që më ka thënë të vazhdojë pjesën e solo këndimit duke vazhduar kështu tek profesoreshë tjerë… prej aty kam nisur më tej muzikë.
KOHA: Ju keni debutuar në skena të ndryshme çfarë iu është dashur për t’u përshtatur në të gjitha këto vende?
Unë nuk jam përshtatur asnjëherë, sepse origjinaliteti im është kryesisht këngë qytetare dhe nuk modifikoj ndonjë këngë apo të ndryshoj ai performim. Si është nuk ndryshon, edhe po e këndova në Tetovë, në Tiranë, në Prishtinë apo kudo qoftë.
KOHA: Jeni i njohur kryesisht për të kënduar këngë të muzikës së lehtë, këngë të muzikës popullore?
Unë këndoj gjithë zhanret, pasi marr pjesë dhe në ahengje familjare këndon serenata, këngë italiane, por vetëm tallava nuk këndoj.
KOHA: Dhe gjatë kësaj karriere tejet mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoz apo i lodhur?
Puna jonë është gjithmonë e lodhshme, ka rreziqe e shumë gjëra, sepse e dini që udhëtimi të lodh dhe gjithë kohës je në rrugë, pa gjumë e pa ushqim, por kur del në skenë i harron të gjitha. Për të arritur diku, duhet të kalosh përmes këtyre peripecish.
KOHA: A keni më shumë liri në interpretim?
Zakonisht kur dal në skenë, veten e quaj ‘mbret i mbrëmjes’ dhe nuk merrem shumë me stresin dhe ndrojtjen. Unë e organizoj se si do të shkojë evenimenti apo mbrëmja.
KOHA: Është e vërtetë se të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën dhe të njëjtin motivim për punën e tyre?
Varet dikush muzikën e ka profesion kurse dikush muzikën e ka punë në këtë rast unë muzikën e kam edhe profesion edhe punë por edhe ndjenjë shpirti, për të kënduar një këngë qytetare me ndjenja duhet fillimisht ta duash dhe ta këndosh.
KOHA: Si e gjeni ekuilibrin e duhur mes performancës individuale dhe performancës të orkestrës?
Dallon shumë ka dallim të madh nëse këndon vetëm me sint dhe me orkestër si një bahçe me një lule apo me 1000 lule, cila është më e bukur.
KOHA: A keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Jo, deri më tash në asnjë rast nuk kam shkruar tekst të këngëve.
KOHA: A keni nxjerrë vidioklipe ose albume muzikore? Ç’mund të na thoni për këtë?
Jam në përgaditje të një kolazhi me këngëtaren Eranda Libohova dhe duam që të fillojmë një projekt me 10 këngë ku do i aranzhojë Artan Bakiu.
KOHA: Çfarë repertori këndoni nëpër evenimente? Cili është sekreti tuaj, që në skenë ti je energjik, këndon me orë të tëra pa pushim?
Mbrëmjet dhe dasmat fillojmë me pjesën më të qetë e duke shkuar e duke e rritur ahengun e më pas edhe pjesa allegro piedestali i dasmës, sekreti që nuk lodhem është se këndoj me diafragma dhe kam teknikën e vokalit shumë të zhvilluar dhe të këndimit.
KOHA: Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Çfarë mendimi keni për këtë?
Mendimi im gjithmonë ka qenë katastrofik për këtë pjesë të bastardimit fillimisht me muzikën shund, por tash është e shkatërruar komplet sepse është një muzikë që dëgjon rinia degjeneruese dhe nuk shkon kah e mira, por ka e keqja sepse aty përmendet droga, prostitucioni etj, nuk është pjesë e kulturës kjo gjë.
KOHA: Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji?
Si gjithë këngëtarët që kanë nisur e sot janë në piedestal të kulturës kanë nisur me çiftelinë dhe sot e asaj dite i bie për të ruajtur folklorin shqiptarë kam formuar edhe grupin Shahirët tetovarë për të ruajtur vlerën e këngës folklorike autoktone.
KOHA: Sa jeni të kënaqur nga përkrahja institucionale për artistët?
Unë personalisht si këngëtarë që i kam dhënë kontribut 25 vite karrierë në skenë nuk jam i kënaqur aspak sepse institucionet kulturore nuk na përkrahin projektet që i dërgojmë na i japin vetëm 3% të asaj që kërkojmë.
KOHA: Çfarë mëkati i njihni vetes si këngëtar që i përket dy kohëve, para dhe pas ’90-s ?
Dallimi është shumë i thjeshtë. Përpara muzika ka pasur nivel artistik, kurse sot ka nivel laviresh, sot nënkupton që muzika nuk dëgjohet, por shikohet më shumë.