Një pjesë e madhe e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut jetojnë me kredi dhe borxhe, jo vetëm për këstin mujor në banka të kredisë konsumatore, por edhe për minuse në kartelat bankare dhe borxhet për këstet e kredisë banesore
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 gusht – Në dy vitet e fundit shënohet vetëm rritje e huamarrjes nga ana e qytetarëve në banka. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se qershor të këtij viti shënohet rritje e kreditimit prej dhjetë për qind e amvisërive dhe biznesit në nivel vjetor të përcjellë me rritjen e kursimeve në nivel vjetor prej 1.8 për qind.
DOMINOJNË KREDITË KONSUMATORE
Bile kreditimi shënon trend të rritjes në raport edhe me vitin 2020, kur në muajin qershor është shënuar rritje e lëshimit të kredive në total prej 7.9 për qind. Në gjysmën e vitit 2022, borxhet në banka të amvisërive kanë arritur në afër 3.1 miliardë euro nga 2 miliardë e 660 milionë euro në qershor të vitit 2020. Përderisa kreditimi i biznesit është rritur nga afër 2 miliardë e 680 milionë euro në 2.8 miliardë euro në dy vitet e fundit. Në kreditë e popullatës me afër 1.7 miliardë euro dominojnë kreditë konsumatore, të pasuara me një miliardë e 115 milionë euro të kredive banesore, të borxheve në kartelat kreditore prej afër 170 milionë euro, të saldove negative në llogaritë rrjedhëse prej afër 96 milionë euro e kështu me radhë. Njëherësh në dy vitet e fundit po shënohet edhe rritje e kredive konsumatore për mbi 160 milionë euro dhe të kredive banesore për 300 milionë euro.
KRIZA RRIT BORXHET
“Rritja e kredive si konsumatore ashtu edhe banesore tregon se qytetarët në krizën e fuqizuar nga pandemia, por edhe nga kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë që ka përkeqësuar standardin se vjen e më shumë po mbështeten në borxh tek bankat për të kapërcyer muajin. Njëherësh edhe këtë valë të madhe të shtrenjtimeve po përpiqen që ta zbusin pak me hyrjen në borxhe të reja”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi. Nga ana tjetër, rritja e kredive banesore ndërlidhet si me investimin në patundshmëri si mënyrën më të sigurt për investime ku kompanitë ndërtimore kanë bashkëpunim të mirë me bankat, me zgjidhjen e çështjes jetësore të banimit për qytetarët në vend. Ai shton se një pjesë e madhe e qytetarëve në Maqedoni jetojnë me kredi dhe borxhe, jo vetëm për këstin mujor në banka të kredisë konsumatore, por edhe për minuse në kartelat bankare dhe borxhet për këstet e kredisë banesore. Njëherësh thekson se çdo kush që ka mundësi të paguajë këstin mujor përkundër kamatave jo të vogla, më mirë orientohet ndaj hyrjes në borxh për banesë, në vend se për çdo muaj të paguajë qira, ku pas 20 apo 30 vitesh do të ketë në pronësi hapësirën banesore dhe do të posedojë edhe kapital të patundshëm për familjarët, në vend të qerasë që shkon huq.
BANKAT KUJDES ME SHTRENJTIMET E KREDIVE
Nga ana tjetër, lidhur me rritjen e kamatës referente të Bankës Popullore që supozon edhe shtrenjtimin e kredive, përfaqësuesit e Shoqatave të Bankave, thonë se bankat bëjnë kujdes dhe mbajnë llogari për më shumë faktorë gjatë rritjes së kamatave. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Popullore më 30 qershor 2022, në baza vjetore, normat mesatare të interesit për kreditë dhe depozitat në nivel të sektorit bankar tregojnë një trend të vogël të rënies. Në muajin qershor, norma mesatare e interesit në totalin e kredive shënoi një rënie minimale mujore prej 0.01 pikë përqindjeje, ndërsa norma mesatare e interesit në totalin e depozitave mbeti në nivelin e një muaji paraardhës.
Reagimi ndaj normave të interesit bankar nuk ka qenë kurrë kaq i ngadalshëm dhe aq i kujdesshëm. Është e qartë se në kushtet e inflacionit duhet të ketë rritje të normave të interesit dhe se sinjali i Bankës Popullore është një reagim ndaj kushteve makroekonomike dhe monetare në vend. Megjithatë, bankat janë të kujdesshme duke marrë parasysh se një rritje drastike dhe e shpejtë e normave të interesit mund të ndikojë në aftësinë e huamarrësve për të shlyer detyrimet e tyre, dhe kjo vlen veçanërisht për popullatën, thotë numri një i Shoqatës së Bankave, Maja Stevkova Shterieva. Lidhur me rritjet e kamatave apo normave të interesit për qytetarët dhe biznesin, ajo thotë se sinjali i dërguar i normave të interesit me rritjen e vazhdueshme të shkallës së kamatave nga ana e Bankës Popullore, do të sjell rritje të mëtejshme të shkallës së kamatës për kursimet dhe kreditë.
LEXONI ME KUJDES KONTRATAT
Megjithatë, duhet theksuar se lartësia e ndryshimit, koha dhe produktet bankare që do të përfshihen janë pjesë e politikës afariste të çdo banke dhe për këtë arsye është mirë që njoftimet e bankave të ndiqen në mënyrë individuale. Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet një tjetër informacion i rëndësishëm në lidhje me kamatat. Vitet e fundit më shumë vëmendje i është kushtuar informimit të klientëve të bankave, dhe veçanërisht të popullatës, në fushën e transparencës së normave të interesit, ndryshimeve të tyre, si dhe rritjes së përfaqësimit të normave fikse të interesit, thekson Shterieva. Sipas saj, në këtë kuptim, në kushtet e rritjes së kamatave rekomandohet që çdo përdorues i kredisë apo depozitues i mjeteve në banka t’i kushtojë vëmendje dispozitave të kontratave që ka me bankën me të cilën punon, për të shmangur keqkuptimet apo panikun e panevojshëm, në lidhje me kamatat. Normat fikse të interesit sipas definicionit nuk ndryshojnë për periudhën kur janë fikse dhe në atë rast nuk ka nevojë për shqetësim. Pra, është shumë me rëndësi t’i kushtoni vëmendje dhe të shihni dispozitat në kontratat, shton ajo. (koha.mk)