Lufta kundër korrupsionit dhe gjykim për abuzuesit po dëshmohet se është vetëm farsë e gjyqësisë dhe Qeverisë aktuale. Në tre vitet e qeverisjes së LSDM-së, asnjë i akuzuar nga pushteti i kaluar i VMRO-së nuk ka marrë dënimin e merituar. Pazaret dhe shpallje të pafajshëm për të akuzuarit e Prokurorisë Speciale shihen për çdo ditë mes opozitës dhe pushtetit. Motoja “Jetë për të gjithë” nuk ka sesi të komentohet ndryshe pos “Jetë edhe për abuzuesit”
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 4 korrik – Javë më parë Gordana Jankullovska, pardje Elizabeta Kançevska Milevska, ndërsa dje Dragan Pavlloviq-Llatasi. Dy ish-ministret e VMRO-së, Jankullovska nuk do të shkojë në burg derisa Kançevska Milevska lirohet plotësisht. Llatasi, gazetari i afërt me VMRO-në, shpallet i pafajshëm. Madje, harxhimet gjyqësore për këtë të fundit bien në barrë të shtetit, konkretisht të qytetarëve, shkruan gazeta KOHA.
Lufta kundër korrupsionit dhe gjykim për abuzuesit po dëshmohet se është vetëm farsë e gjyqësisë dhe Qeverisë aktuale. Në tre vitet e qeverisjes së LSDM-së, asnjë i akuzuar nga pushteti i kaluar i VMRO-së nuk ka marrë dënimin e merituar. Pazaret dhe shpallje të pafajshëm për të akuzuarit e Prokurorisë Speciale shihen për çdo ditë mes opozitës dhe pushtetit. Motoja “Jetë për të gjithë” nuk ka sesi të komentohet ndryshe pos “Jetë edhe për abuzuesit”. Kanë shterur zërat për drejtësi, ndërsa ata që dëgjoheshin dikur në përgjimet telefonike duke abuzuar me pushtetin, i qeshen drejtësisë dhe me këtë, i qeshen edhe të gjithë qytetarëve që shpresuan se më në fund do të triumfojë drejtësia.
HOXHA: QEVERI E PAAFTË PËR SHTET TË SË DREJTËS
Qeveria aktuale, që u ngrit mbi konceptin e reformave, po dëshmohet si e pa aftë për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe funksionimi e ligjit për të gjithë qytetarët në mënyrë të njëjtë, reagon për gazetën KOHA, Arjan Hoxha nga Lëvizja BESA.
“Për çdo ditë dëgjohen lajme dëshpëruese nga gjykata, prokuroria dhe i gjithë pushteti gjyqësor. Pas lirimit nga vuajtja e burgut për ish-ministren Gordana Jankullovska, mosngritjen e padisë penale për ish-ministren e Kulturës, Kançevska-Milevska, shpalljen të pafajshëm të Latasit me vëllezërit e tij, proceset e montuara politike, si dhe kur gjithë kësaj ja shton rikualifikimin e lëndës për Almirin e vogël, gjë që mundësoi uljen drastike të dënimit për vrasësin Boban Iliç, ky sistem, ky gjyqësor dhe kjo prokurori po dëshmohen si pengesat kryesore që po ngulfat ardhmërinë evropiane të Maqedonisë të Veriut”, thotë Hoxha. Për fat të keq, shton ai, tashmë po humbet edhe shpresa se ky shtet mund të hedhë themelet e një shteti të drejtë dhe evropian.
“Urgjentisht duhet të niset ‘vettingu’ në gjitha institucionet nga njerëz që kanë vullnet të pastër për të ndryshuar këtë gjendje të mjerueshme. Për fat të keq, Qeveria që u ngrit mbi konceptin e REFORMAVE po dëshmohet si e pa aftë për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe funksionimi e ligjit për të gjithë qytetarët në mënyrë të njëjtë”, shprehet Hoxha.
BEXHETI: KRIMINELËT E PAPREKSHËM
Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët thotë se Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë drejtësi të rrënuar dhe larg shteteve të BE-së, aty ku edhe synojmë të integrohemi.
“Jemi totalisht të zhgënjyer nga vendimet gjyqësore të lëndëve të hapura nga Prokuroria Speciale, të cilat nuk janë në favor të pritshmërive të qytetarëve të RMV për të instaluar shtetin e së drejtës. Këto vendime gjyqësore që shpallin të pafajshëm persona dhe zyrtarë të pushtetit të kaluar, dëshmojnë se sistemi gjyqësor nuk është i pavarur, vazhdon të jetë selektiv, dhe të akuzuarit për vepra penale vazhdojnë të jenë të paprekshëm ndaj ligjit. Këto vendime gjyqësore vërtetojnë tezën tonë se mungesa e reformave në drejtësi po bëhet pengesa kryesore që RMV nuk po merr datë për hapje të negociatave me BE-në, dhe çdo arsyetim tjetër i Qeverisë për mos marrjen e datës është i pakuptimtë, dhe i pajustifikueshëm”, thotë për KOHA, Bexheti, ndërsa shton se kjo Qeveri nuk ka vullnet dhe as kapacitete ta reformojë sistemin e drejtësisë. “Çmimin, për fat të keq, e paguajnë qytetarët e RVM-së, të cilëve ju rrezikohet shpresa eurointegruese për një jetë më mirë”.
Jo më larg se të mërkurën, Gjykata Penale e Shkupit shpalli të pafajshme edhe ish-ministren e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska, e akuzuar nga Policia Financiare se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka dëmtuar Buxhetin e shtetit për rreth 2.5 milionë euro. E akuzuar edhe në disa raste të Prokurorisë Speciale, Kançevska Milevska duket se po i shpëton drejtësisë, pasi tashmë ka bërë pazare me pushtetin për të siguruar votat e 8 deputetëve të larguar nga VMRO e që po mbështesin çdo Ligj të Qeverisë së Zoran Zaevit. Veç Jankullovskës, Milevskës dhe Llatasit, tashmë në liri gjenden edhe disa të akuzuar të Prokurorisë Publike dhe asaj Speciale. Deputetët e VMRO-së, Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Trajko Veljanovski, Sashe Vasilevski, Luben Arnaudov, Zekir Ramçiloviq… nuk do të përgjigjen për krimet që kanë bërë. U amnistuan me Ligjin e miratuar nga shumica parlamentare. Ish shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijalkov, tre vite pas fillimit të proceseve gjyqësore, nuk ka një vendim të prerë akoma. Ndërkohë që partneri i tij në biznese, njëherësh mbështetës i VMRO-së, Orce Kamçev, ka dalë nga paraburgimi dhe i njëjti nuk do të përgjigjet për akuzat e PSP-së, pasi lënda kundër tij tashmë është vjetruar.
Kështu siç po shihet, nuk do të përgjigjet për abuzimet dhe keqpërdorimet as ish-ministri i Transportit, Mile Janakieski, ndërsa ju mundësua ta lëshojë vendin edhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Tashmë është e qartë se, përveç LSDM-së në Qeveri, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar. (koha.mk)