Mendja dhe shpirti do fitojnë betejën ndaj pangopësisë sepse njeriu s’mundet pa pasionin. Paratë bëhen për mbijetesë, pasuria lehtëson gjithçka pa diskutim, por dashuria ose gjithë ato gjëra që ngrohin shpirtin, vetëm ato kanë çuar njerëzimin përpara. Kanë qenë shtysa për gjithçka. Kështu ka qenë, e kështu do jetë. Në këtë rrugëtim të zhvillimit mbase jemi tek faza e pangopësisë, por të lumtur janë e do jenë ata që e dinë se çfarë vlen në të vërtetë!
Nga Nazim RASHIDI
Jam sfiduar shpesh kohëve të fundit nga biseda e qëndrime të ndryshme ku më imponohet një mendësi, që sa vjen e bëhet dominante se paraja dhe pasuria janë përcaktuese të vlerave, statusit apo dhe arritjeve të një individi. Më është përplasur në fytyrë shumë shpesh thënia se “ajo që nuk blihet me para, blihet me më shumë para”. Apo edhe të tjera shprehje e humore se “gjithçka është interes”, se “vlen aq sa peshon me pasuri”, e shumë si këto. Askush si përmend në këto biseda shkencëtarët, artistët, poetët. Sepse s’janë mes tyre me gjasë, e s’janë mes tyre se s’janë të pasur!
Duket se beteja e përhershme nëse vlen më shumë për shkak të dijes ose pasurisë, ose e përkthyer kjo tezë si beteja mes shpirtërores dhe materiales, po dominon kjo e fundit, paraja pasuria, materialja dhe si rrjedhojë në mungesë të balanseve të gjithë rendin drejt tyre, duke mos marrë parasysh fare etikën, apo shpirtëroren, e si rrjedhojë shoqëria që jetojmë po shndërrohet në një konkurrencë të shëmtuar ku pastaj vulgariteti bëhet normë, sepse idea është se materialja në fund do të arrijë të na shpërlajë nga mëkatet e bëra me vetëdije të plotë gjatë rrugës së pasurimit.
Por e gjitha nuk përfundon këtu se. Kjo mendësi krijon norma shoqërore, kulturore, të cilat krijojnë norma sjelljeje dhe të cilat prodhojnë marrëdhëniet mes nesh. Në këtë rendje drejt zhvillimit, ku nga një shoqëri e pa zhvillur, kaluam në shoqëri në zhvillim e që synimi është të bëhemi shoqëri e zhvilluar, mbase duhen bërë disa pyetje themelore:
A është vërtet çdo gjë tek paraja? A kemi humbur ndjesinë për gjërat e tjera që s’lidhen me paranë?
Gjyshja ime përmendte një shprehje, “fukarallëk – maskarallëk”. Dhe sigurisht njeriu nëse se ka barkun plot, smund të kërkosh të ketë lartësitë e dinjitetit. Ideja është këta njerëz të ndihmohen pikërisht të jetojnë me dinjitet duke iu mundësuar zhvillimin. Por shtrembërimin e realitetit ku paraja është gjithçka nuk e sjellin të varfrit, e sjellin gjysmakët të cilët nuk janë të varfër, por janë të dështuar në përpjekjet e tyre për të marrë respekt dhe si rrjedhojë kanë krijuar mendësinë se me para mund të blejnë gjithçka.
Kështu arritëm që të blihen diploma, blihen poste, blihen tituj, blihen vota, lehet pushtet dhe si rrjedhojë ideja është se lehtësisht blihet dhe respekti. Dhe kjo shfaqet si normalitet. Madje kundërshtimi i kësaj logjike të bën anormal.
Por JO. JO e madhe. S’ka qenë e s’është kështu! Barku kur është bosh vërtet e bën njeriun instinktiv dhe e zbret në funksionimin e tij bazik. Por veç sa ta mbushësh pak barkun, merr hov mendja dhe shpirti. Mendja nuk e pranon dot aq lehtë shkeljen mbi kufomat që mund të kenë bërë këta gjysmakët deri sa kanë arritur kamjen. Jo, jo, në çdo mendje të shëndoshë e që s’është sociopate, s’mund të kalojnë lehtë stërkëmbëzat, tradhtitë e abuzimet që janë bërë deri sa kanë kaluar kufirin e skamjes, cili do qoftë niveli i vendosur prej tyre.
Një sqarim këtu, nuk bëhet fjalë për ata që pasurinë e kanë arritur me mund e punë. Çdo respekt për ta. As për biznesmenë vizionarë, pa guximin e të cilëve me mijëra njerëz do mbesnin instinktivë. Flas për ata gjysmakët që rrëmbejnë, vjedhin, mashtrojnë pa fije përgjegjësie e të cilët, në mungesë parash asnjëherë s’do binin as në sy e as do merrnin ndonjë respekt. Flas për ata karkalecat që kur futen në fusha fillojnë e dominojnë gjithçka, e sot janë aq prezent në shoqëri, të cilët ndonëse veten mund ta kenë ngopur, pas tyre lenë shkatërrim. Flas për ata që krimin e kanë bërë modë, vjedhjen normalitet dhe mashtrimin arritje. Flas për ata që jetën me gënjeshtra e shesin si zotësi dhe gjithë imazhin e tyre, qoftë si gangsterë rrugësh apo zyrash e postesh, e shesin si “cool”.
Pranë mendjeve të ndritura përherë ndihen inferiorë e bosh. Këtë ndjenjë asnjëherë s’do ta tejkalojnë. Dhe prandaj edhe këta, pas ngopjes materiale kalojnë tek mendja dhe shpirti, siç thashë, se s’ka se si ndryshe.
Luksi i arritur do dhe dritë mendjeje dhe ngrohtësi për shpirtin. Por këto nuk blihen dot se. Këtu është çështja. Iluzionin e tyre mund ta kenë, me rafte librash nëpër dhoma, piktura nëpër mure e darka të zhurmshme, por jo thelbësoren. Sepse pasqyreja me veten përherë do jetë e shëmtuar. Në kërkim të moralit dhe ndershmërisë, por edhe dijes edhe respektit na ndodh shpesh kalimi tek feja.
Territori më i lehtë për të “blerë” gjithë atë mungesë shpirtërore. Për një pjesë të madhe të këtyre gjysmakëve, befas normat etike e morale që burojnë nga feja bëhen udhërrëfyes duke shkaktuar kështu edhe një mashtrim ndaj vetes edhe të tjerëve dhe duke krijuar edhe një herë një narracion iluzor.
Befas shoqëria na bëhet më fetare, më e devotshme, që s’ka asgjë të keqe, sepse pa qetësinë shpirtërore s’mund të shkohet përpara, por për arsyet e gabuara. Mbase më të gabuara pikërisht siç i proklamon feja.
E gjithë kjo atmosferë lë pasoja konstante dhe këtu është problemi.
Shpesh shohim njerëz që duan pasurim me çdo kusht, ku ideja është se paraja mundëson por mënyra e pasurimit shpesh është me mashtrime. Kjo sjell pendesë, sepse s’është e lehtë të jetosh pa mendjen e shpirtin. Por qetësia nuk blihet dot. Në kërkim të faljes me veten sidomos, dhe respektin nga të tjerët futet feja si element. Momenti që me lehtësi krijon përshtypjen e të ndershmit. Po të gjithë e dinë se fetarët e vërtetë s’do kërkonin pasurim me rrena e vjedhje. Prandaj shpalosja e këtij realiteti i bën agresivë gjysmakët. Kjo krijon përplasje shoqërore sepse as duan të zbulohen e as duan që të lejojnë pozitat e kapura në shoqëri. Në kërkim të rehatisë shpirtërore i rëndësishëm është dhe imazhi me gjasë. Prandaj vjen momenti i mospranimit të mendimit ndryshe dhe trembja e të gjithëve se çfarë do ndryshimi që të vijë është i keq. Çdo lëkundje e statusit të blerë e jo të arritur prej këtyre njerëzve, sjell përplasje dhe agresivitet dhe sërish hyhet në rrethin vicioz se paraja blen gjithçka. Dhe rrethi zgjerohet e zgjerohet dhe fundosemi në një shoqëri ku feja, sepse “ashtu ka qenë vullneti i Zotit” dhe është autoritet që nuk diskutohet e dominon mendimin si vlera ultimative morale, ku paraja sërish blen gjithçka dhe ku padrejtësia dhe zhvillimi real nuk vjen, sepse njerëzit e dinjitetshëm asnjëherë s’do kenë pasuri që të dominojnë shoqërinë. Por a duam të jetojmë në këtë rrenë të madhe?
Kjo është përgjigjja që duhet ta japin të gjithë. Se ku janë librat, dija, arti, muzika, dashuria, jeta.
Mungesa e tyre bën që në diskurs publik debatet të dominohen nga nocioni se veç paraja ka vlerë, kjo sjell në skenë klerikët që flasin broçkulla dhe prezenca e tyre në publik justifikon gjysmakët sepse apo, ata duan të jenë pranë fesë e kështu shfaqen të moralshëm. Aksesin në opinion do ta kenë ata që e blejnë e jo çdo herë ata që mund ta edukojnë publikun. Politika do bëhet prej parasë, paraja do blejë votat dhe përsëri do mposhtim mendjen dhe shpirtin.
Të paktën kështu duket tani, por mendja dhe shpirti për herë shpërthejnë, ka ndodhur aq herë në histori. Sepse nuk mundesh pa to, e aq më pak pa dashurinë. Në fakt në është mungesa e saj, në të gjitha format që krijon këtë devijacion që po e shohim. Mendja dhe shpirti do fitojnë betejën ndaj pangopësisë sepse njeriu s’mundet pa pasionin. Paratë bëhen për mbijetesë, pasuria lehtëson gjithçka pa diskutim, por dashuria ose gjithë ato gjëra që ngrohin shpirtin, vetëm ato kanë çuar njerëzimin përpara. Kanë qenë shtysa për gjithçka. Kështu ka qenë, e kështu do jetë. Në këtë rrugëtim të zhvillimit mbase jemi tek faza e pangopësisë, por të lumtur janë e do jenë ata që e din se çfarë vlen në të vërtetë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)