Andrenomi Ramadani, shtetase e Shqipërisë e martuar në këtë kamjan të Bogovinës, tashmë ka mbetur e vetme dhe krahas kushteve të rënda për jetesë, përballet edhe me probleme shëndetësore. Në këtë kohë kur temperaturat janë të ulëta, ajo ka mungesë edhe të ngrohjes
Urim HASIPI
Tetovë, 17 janar – Ajo është 68-vjeçare. Jeton në kushte mizërie, në një shtëpi me përplot gërmadha në fshatin Kamjan të Komunës së Bogovinës. Që para 23 vitesh kishte ardhur për të bashkëjetuar me burrin e saj nga ky fshat po në këtë shtëpi që vetëm shtëpi nuk quhet. Tashmë shtëpia dita ditës po shkatërrohet, ndërsa ajo e vetme nuk ka asnjë njeri të afërm për përkrahje, shkruan gazeta KOHA. Andrenomi Ramadani, shtetase e Shqipërisë e martuar në këtë fshat, tashmë ka mbetur e vetme dhe krahas kushteve të rënda për jetesë, përballet edhe me probleme shëndetësore. Në këtë kohë kur temperaturat janë të ulëta, ajo ka mungesë edhe të ngrohjes.
“Jetoj vetëm në këtë shtëpi e cila është një gërmadhë e vërtetë. Dhomat janë përplot me pluhur, me të çara gjithandej, uji depërton në çdo skaj. Kushtet janë shumë të rënda, nuk kam as ngrohje dhe as kushte për gatim. Mezi qëndroj në këmbë nga sëmundjet që i kam”, thotë gruaja që jeton e vetme në këtë fshat. Jeta në këto kushte është tepër e vështirë, sepse pasi nuk ka asnjë shoqërues. Thotë se çdo ditë përballet me mungesë të ushqimit dhe sendeve të tjera elementare për jetesë. Herë pas here ka shoqata që e ndihmojnë me ushqime dhe banorë të fshatit, por një ndihmë të përhershme nuk e ka.
“Ka disa shoqata që kohë pas kohë vijnë dhe më ofrojnë ndihmë, por kjo nuk mjafton. Jam e sëmurë, kam probleme me këmbët dhe vet nuk mund as të pastrojë. Nuk kam asnjë njeri afër që do të më ndihmojë në pastrim, larje apo të më gatuajë ushqim”, shprehet Andrenomi Ramadani. Kjo 68-vjeçare nënvizon se ka nevojë për kulm mbi kokë, sepse në këto kushte ku jeton, nuk mund të ketë një jetë normale. Thotë se shtëpia është një gërmadhe e cila nuk mundëson as ngrohje normale.
“Kam nevojë për një dhomë, e cila do të më mundësojë të jetoj në kushte normale, ku do të mund të kem ngrohje, pastërti, higjienë, ushqim, sepse këtu nuk kam asnjë kusht elementar”, shprehet ajo. “Shtëpia është e madhe, por pa asnjë orendi dhe e shkatërruar me çati që çdo ditë më rrezikon jetën, sepse është dëmtuar shumë. Më shumë frikë kam gjatë periudhës kur ka reshje të shiut dhe gjatë dimrit, pasi e tërë kjo hapësirë pikon dhe mund të shembet mbi kokën time”, thotë ajo. Tregon se merr ndihmë sociale prej 60 euro, mëgjithëse kjo shumë nuk i mjafton as për ilaçet që i pi.
“Ndihmë sociale marr, por çka të blej më parë me ato. Rreth 80 euro më kushtojnë vetëm barnat dhe i kam grumbulluar recetat dhe qëndrojnë, sepse nuk mund ti blejë të njëjtat, kushtojnë shumë. Prandaj apeloj që ndonjë zemërmirë të më ndihmojë. Më kanë braktisur të gjithë dhe jam e vetme”, apelon gruaja. Të gjithë të interesuarit për ndihmë të kësaj 68-vjeçare mund të lajmërohen në numrin e telefonit. 070 699 209. (koha.mk)