Jeta midis dy qendrave të Dardanisë antike

Delvina KËRLUKU

Prof. Dr. Blerim Reka është Pro-rektor për marrëdhënie ndërkombëtare në UEJL dhe dekan i Fakultetit Juridik, ishte dekan i Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, kryeredaktor i Revistës shkencore SEEU Review dhe themelues e kryeredaktor i revistës Kosova Law Review, redaktor i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës- për fushën juridike dhe politike- të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar i Këshillit për Integrime Evro- Atlantike të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ekspert për Ballkanin në Geopolitical Information Service të Princit të Lihtenstajnit. Tash e 18 vite, profesor në Universitetin e Tetovës, në Universitetin e Prishtinës, UEJL dhe në Universitetin Evropian të Tiranës. Ligjërues Fulbright në Universitin e ‘South California’, në Los Angeles dhe ligjërues vizitues në Universitetin e Bolonjës, Gracit, Gentit, të Kalabrisë, me specializime në Univerzitetin e Harvardit dhe me projekte shkencore me Universitetin Columbia dhe Indiana. Mentoroi doktorantë në Belgjikë, Itali, Poloni, Shqipëri, Kosovë e Bosnje e Hercegovinë. Ishte ambasador i Republikës së Maqedonisë në Unionin Evropian, Bruksel dhe ishte këshilltar i Presidentit të Republikës së Kosovës, si dhe konsulent i shumë organizatave ndërkombëtare. Ishe anëtar i ekipit të ekspertëve që hartuan Kornizën Kushtetuese të Kosovës dhe ishte anëtar i Komisionit kushtetues në Kuvendin e Maqedonisë. Është autor i 19 librave dhe 67 punimeve shkencore ndërkombëtare, të cilat janë cituar 53 herë nga autorë ndërkombëtar në publikimet e tyre.

KOHA: Si filluat të ecni në rrugën e suksesit?

REKA: Familja është çelësi i suksesit. Fillimi nuk premtonte shumë sukses. Në vitin e parë të studimeve u martova me Ymranen, mbesën e Halim Bej Shukit, (ish prefektit të Ferizajt dhe delegatit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit) dhe të Eshref Saraqinit, (profesorit të njohur të biologjisë). Duke qenë dy- studentë me fëmijën në ardhje, suksesi nuk dukej. Por ja që lindja e fëmijës sonë të parë- Rrezeartës, demantoi atë teori klasike të suksesit. Pas lindjes, Ymranja diplomoi, u punësua dhe më ndihmoi t’i përfundoja edhe unë studimet në Prishtinë, në kohën e demonstratave të vitit 1981, kur studentët burgoseshin, profesorët pushoheshin nga puna si Ukshin Hoti, kurse rektori i atëhershëm Gazmend Zajmi dha dorëheqje. Kosova nga viti 1981 po hynte në një periudhë të represionit policor-ushtarak, por njëkohësisht edhe në etapën finale të dekolonizimit serb. Për këtë periudhë më vonë shkrova librin tim të parë: “Vitet e shpresës”, kushtuar pikërisht “gjeneratës sime nga një pranverë e ndërprerë me dhunë” . Në vitin 1982 përfundova studimet e juridikut, por ndjeja se nuk ishte më ai universitet, as ajo Prishtinë. Vetëm Sabri Fejzullahu me klasiken e Musa Piperkut, “Kur pranvera ishte në Prishtinë“, na kthente në kohën kur një pakënaqësi me ushqimin e dobët në mensën studentore, do të ndryshonte historinë e Kosovës. Andaj suksesi im erdhi nga mbështetja e bashkëshortes dhe nga frymëzimi me fëmijët: Rrezeartën, Rilindin dhe Rritën, si dhe nipin e dy mbesat: Mali, Bora dhe Rene.

KOHA: Cila është fëmijëria Juaj?

REKA: Kisha ardhur në jetë nga nëna Nazmije Kastrati dhe baba Hamza Reka, si fëmijë i një nëne kosovare dhe babës tetovar. Dhe ky binom: Kosovë- Maqedoni, do të më përcillte tërë jetën, sepse pjesa më e madhe e saj do të më kalonte midis dy qyteteve më të dashura për mua: Shkupit e Prishtinës, sa që nuk e dija nëse isha shkupjan i Prishtinës; apo prishtinali i Shkupit? Isha krenar që jetoja në dy qendrat e Dardanisë antike. Fundja, edhe sot Shkupi është aty ku ishte gjithmonë- vetëm 14 kilometra nga kufiri i Kosovës – që si kryeqytet më së afërmi e ka Kosovën, para çdo qyteti tjetër të Maqedonisë. Sot, këto dy kryeqendra të Vilajetit të Kosovës mbeten dy kryeqytetet me të afërta të dy shteteve ballkanike. Pas tërmetit do vendoseshim në barakat e Butelit, në fushën që kishte qenë pronë e Emin Beut, shkollën fillore e kreva në “Dame Gruev”, “Penko” dhe“Liria” , kurse të mesmen në “Zef Lush Marku”. Në Butel kalova fëmijërinë time, si e vetmja familje shqiptare. Mirëpo, baba im ishte i vetmi që kishte diplomë universitare, kurse nëna e vetmja mësuese. Shtëpia jonë kishte – e para – telefonin fiks (1965) dhe makinën e parë të shkrimit (të cilën ende e ruaj). U rrita me rrëfimet trishtuese të gjyshes Hanumsha për torturat e UDB-ës kundër vëllaut të saj, Metush Krasniqit, patriotit dhe të burgosurit politik me stazh më të gjatë në burgjet serbe – pas Adem Demaqit, të cilin Presidentja Jahjaga do e dekoronte me medaljen e atdhetarisë, e shkolla fillore në Dajkovc do emërohej me emrin e tij. Rritesha në Shkup, me kujtimet e errëta të burgjeve të familjes së nënës në Kosovë dhe sfidave atdhetare të familjes së babës në Tetovë. Hasan Arnauti, siç njihej në Tetovë, gjyshi im nga baba, një tregtar që kishte pasur dyqanin aty ku sot është Qendra e Kulturës në Tetovë, ishte ndër të rrallët, i cili nuk do e hiqte nga koka plisin e bardhë, as në kohën kur fesi ishte modë tetovare e gjuha turke në qytet – lingua franca. Si çdo familje shqiptare, edhe e jona ka pjesën e saj në Turqi. Nga viti 1925 në Eskishehër kishte shkuar daja i babës, Xhemil Luma, kurse nga viti 1953 në Stamboll edhe fëmijët e axhës. Kështu isha rritur: me mllefin ndaj pushtetit serb, që kishte persekutuar familjen e nënës në Kosovë dhe që kishte ndarë në Turqi familjen e babës në Tetovë. Me rrëfimet rrëqethëse të shkupjanëve për stacionin e trenit të Shkupit nga derdhej në pakthim lumi i shqiptarëve për në Turqi dhe nga rrëfimet e kushërinjve të mi në Kosovë e në Tetovë për demonstratat e 1968, kur protestohej në Evropiane me në krye Zhan Pol Sartrin, kur dëgjoja: Bitëllsat e Roling Stouns, por edhe- me zë të ulur- Dervish Shaqën në Radio – Tiranë. Rritesha me rrëfimin e babës për “Kongresin e Drejtshkrimit” në Tiranë 1972 –pjesëmarrësi i të cilit ishte si dhe për shfaqjet e Teatrit- atëherë- “të Kombësive” të Shkupit – nëpër teatrot e Shqipërisë. Kujtoj fëmijërinë edhe me vizitat në shtëpinë tonë në Shkup të: Anton Çetës, Eqrem Çabej, e Kujtim Spahivoglit. Më vonë, ky regjisor do i dhuronte babait një pikturë të Ali Osekut, (1973). Dy dekada më vonë gazeta “New York Times” (1992) do botonte një shkrim për djegien e 300 pikturave të Ali Osekut nga regjimi i Enver Hoxhës. Mbase kjo pikturë e tij – që e ruaj ende – duhet të jetë ndër të rrallat që i shpëtuan djegies! Nuk lija shfaqje pa parë e film pa shikuar në kinemanë “Vardar”- sot RTV 21, të këtij televizioni të suksesshëm kombëtar, në themelimin e të cilit isha i pranishëm në Prishtinë (1996), me ideatorët e tij: Afërdita Saraqini-Kelmendi, Eugen Saraqini, Florin Kelmendi dhe Xhelardina Buçinca – Vula.

KOHA: A është shtytje babai juaj Hamza Reka, gjuhëtar (1925-2013) në ngritjen tuaj profesionale. Cili është profili i babait tuaj?

REKA: Po, sidomos përkushtimi i tij në punë, rreptësia për përdorimin e normës së shqipes standarde dhe mosinteresimi i tij për poste politike. I diplomuar në Degën e Albanologjisë të Universitetit të Beogradit, ai jetën ia kushtoi arsimit shqip, duke punuar mësues në shkollat e Shkupit dhe Kumanovës, edukator në Shkollën Normale në Shkup, e nga viti 1960 profesor në Akademinë Pedagogjike në Shkup, ku punoi për 30 vjet deri në pensionim, duke arsimuar me dhjetëra gjenerata arsimtarësh të gjuhës shqipe. Për dy dekada ishte lektor i gjuhës shqipe në Dramën shqipe të Teatrit në Shkup, kurse një mandat kreu detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Shqiptar në Shkup. Ishte bashkautor i teksteve shkollore: Libër leximi dhe Gramatika. Mbaj mend një thënie të tij atëbotë: “ne shqiptarët gjithmonë punuam për të tjerët, e asnjëherë për vete, krijuam perandori të huaja, e mezi një gjysmë shtet shqiptar”.

 

KOHA: Jeni rritur në një familje të arsimuar. Ç‘do të thotë kjo për Ju?

REKA: Isha fëmijë i prindërve – mësues që punonin për çrrënjosjen e analfabetizmit ndër shqiptarët, duke regjistruar fëmijët nëpër shkolla shqipe- edhe përkundër kërcënimeve- për të nxjerrë gjenerata të shkolluara shqiptare në Maqedoni, në Kosovë e në Luginën e Preshevës. Babai, me Prof. Petro Janurën, ishin 2 profesorët e parë shqiptarë të Akademisë Pedagogjike, për kohën, e vetmja mundësi studimi në shqip. Nëna ndërkaq vazhdonte punën si mësuese në shkollën fillore të Shkupit, “Dame Gruev” deri në pensionim. Isha rritur me të rrahurat e makinës së shkrimit të prindërve dhe bibliotekën familjare që begatohej çdo ditë, që sot numëron mbi 2 mijë tituj.

 KOHA: Nëna Juaj ka qenë shkrimtare për fëmijë. A të kujtohet fëmijëria dhe ç’kujtim keni për nënën?

REKA: E bija e tregtarit në zë të anës së Gjilanit – Jakup Bej Karaçeva – si 17 vjeçare kishte marrë ditarin në dorë duke përhapur arsimin shqip e duke hequr ferexhet nga: Gjilani në Preshevë dhe nga Kumanova në Shkup. Nxënës të nënës kishin qenë akademik: Nexhat Daci, politikani Eshref Aliu apo shkrimtari Jonuz Fetahu. Meqë rridhte nga një familje patriotike e të pasur, ajo asnjëherë nuk do pranohej në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë. Si e re botonte prozë e poezi në gazetat shqipe të kohës, kurse pas pensionimit do i kushtohej letërsisë për fëmijë, duke botuar në Shkup e në Prishtinë, një përmbledhje me poezi dhe katër romane për fëmijë. Ishte grua stoike, arsimdashëse dhe patriote, por mbi të gjitha humaniste, të cilës nuk i dhimbsej asgjë për të varfrit dhe të sëmurët. Pos ndihmave mujore për ca familje të varfra në Shkup, ashtu në moshë të shtyrë vinte në Prishtinë për të shpërndarë ndihma familjeve të varfra në Vranjevc gjatë pushtimit serb të Kosovës.

 KOHA: Motra Juaj Drita Gërmizaj, ka qenë ikonë e Televizionit të Prishtinës? Sa ajo ju ka nxitur që në fillim të merreni me gazetari? Të prekësh ekranin televiziv është një përvojë e madhe në jetë?

REKA: Po, ishte ndër të parat folëse të lajmeve të TV Prishtinës që nga transmetimi i vitit 1974, ku punoi deri më 1990, kur forcat serbe e mbyllën RTP. Ishte edhe gazetare televizive, nga duhet veçuar sidomos storiet e saj për: Kongresin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe të Manastirit, me rastin 80 vjetorit; apo storien televizive për vëllezërit Manaki nga Manastiri. Ishte laureate e trefishtë e çmimit prestigjioz jugosllav për folëse televizive “Gordana Boneti” si dhe fituese e çmimit të Radio Prishtinës “Mikrofoni i Artë”. Në shenjë kujtimi për veprën e saj, Radio Televizioni i Kosovës (RTK) inauguroi Çmimin Vjetor për folës televiziv “Drita Gërmizaj”, ndërkaq Kuvendi i Komunës së Prishtinës në vitin 2015, emëroi me emrin e saj e një rruge në kryeqytetin e Kosovës.

 

KOHA:Kush ishte Adem Kastrati?

REKA: Ishte daja im i madh, por edhe shoku im – përkundër dallimit në moshë. Edhe ai në kohën e Rankoviqit, si mësues i ri, kishte ikur nga Komuna e Gjilanit në Shkup, në fillim të viteve të gjashtëdhjeta, ku kishte vazhduar në arsim dhe me pikturim. Ishte i vetmi piktor që vizatonte me ngjyra dheu motivet kombëtare. Kishte ekspozuar në të gjitha kontinentet e botës dhe pikturat e tij mbulojnë muret e zyrave presidenciale e të kryeministrive të shumë shteteve të botës. Por, daja ishte edhe etnolog autodidakt. Pos për Pikason, Sezanin, Van Gogun, ai më fliste për tiparet shqiptare, veshjet, doket e zakonet shqiptare e lojërat shqiptare. Unë, ndërkaq si student i ndihmoja në organizimin e ekspozitave të pikturave të tij në Shtutgard, Namyr, Paris, duke udhëtuar dhe biseduar gjatë. Në galerinë e Dubrovnikut, me vite ekspozonte çdo verë. Për nder të tij, Shkolla e mesme e artit në Gjilan nga viti 2015 mban emrin e dajës, ndërkaq sa kam dëgjuar edhe Komuna e Çairit e ka parapa në listën e emrave të rrugëve.

KOHA: Ç‘do të thotë për ju “Rilindja”?

REKA: Ka domethënie të shumëfishtë për mua. Fillimisht, si ri-lindja ime me 26 korrik të vitit 1963. Atë ditë të tërmetit, shtëpia ku banonim ishte rrënuar për toke, në lagjen “Stara Nova Banja”. Njëri mur i shtëpisë ishte rrënuar tërësisht mbi krevatin tim dhe ishte dashur të gërmonin nëpër tulla, për të më nxjerrë gjallë. Sot, Shkupi, duket ndryshe. Aty nuk është më lagja e tre viteve të para të jetës sime, as lagje të tjera Shkupit të vjetër. Pas tërmetit ndryshoi jo vetëm infrastruktura, por edhe identiteti i Shkupit. Nga “qyteti më i madh i shqiptarëve”, popullatë shqiptare, do tkurrej. Komunistët maqedonas kishin aplikuar një etno-inxhiniering që ndryshoi strukturën kombëtare të Shkupit. Pas dridhjes seizmologjike ndodhi dridhja demografike e kryeqytetit. Nga lagjet e rrënuara qendrore të Shkupit, shqiptarët ishin zhvendosur në periferinë e qytetit dhe jashtë Maqedonisë. Ardhacakët, ndërkaq kishin zënë vendin në qendër, duke krijuar një raport të ri ndër-etnik përskaj vijës ndarëse të Vardarit. Derisa urat, gjithkund në botë lidhin; ura e Vardarit- pas tërmetit- ndau qytetin. Së dyti, “Rilindja” ishte gazeta ku punova 17 vite. Pas diplomimit shpresoja se në Shkup do punësohesha edhe pse pas demonstratave të Prishtinës, diploma e “universitetit kryengritës” ishte disavantazh për ne studentët, që pas 1981 kishim kaluar nëpër të ashtuquajturat: “biseda informative” policore. Andaj nuk kishte zgjidhje tjetër – pos Prishtinës. Si i jurist i diplomuar- bursist i Universitetit të Prishtinës, u punësova si praktikant në Gjykatën Supreme të Kosovës. Mirëpo, pas vitit 1981, kur si praktikant lexoja dosjet gjyqësore të dënimeve drakonike të shqiptarëve për vetëm një parullë “Kosova Republikë”, kjo ndikoi që pas disa muajsh ta lija punën. Pyetja veten, çka pas përfundimit të stazhit të praktikantit? Do të bëhesha gjyqtar ose prokuror dhe pastaj të dënoja njësoj shqiptarët vetëm pse e mendojnë po atë që e mendoj edhe unë dhe të gjithë shqiptarët se duam një jetë të lirë – jashtë Serbisë? Në vend të karrierës gjyqësore, parapëlqeva atë gazetareske. U pranova në konkursin e gazetës “Rilindja”. Së bashku me kolegët tjerë kaluam njërën nga periudhat më të rënda të Kosovës- rrethin e fundit të maratonës de-kolonizuese. Isha dëshmitar, por edhe pjesëmarrës i ngjarjeve më dramatike në Kosovë në dy dekadat e fundit të shekullit të kaluar, kur “Rilindja” iu kundërvua- e para- regjimit diktatorial të Millosheviqit, duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese; duke njoftuar opinionin për dramën e minatorëve të Stan-Tërgut; për demonstratat e popullit të Kosovës që kundërshtonin pushtimin serb të Kosovës; për gjendjen e jashtëzakonshme dhe vrasjet, izolimet dhe deportimet. Gazetarët e “Rilindjes”, të parët në janar të vitit 1991 në Prishtinë, grisëm librezat e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe të parët shpërndamë në agjencitë botërore të lajmeve fotografitë nga masakra e Jasharajve në Prekaz dhe ato në Reçak. Si gazetar i ri në vitin 1985, fillova në “Rilindje” një seri shkrimesh për statusin e diskriminuar të shqiptarëve në Maqedoni, duke filluar me ato kundër Nijazi Limanovskit, për të vazhduar me shkrimet për shpërnguljet e shqiptarëve të Maqedonisë në Turqi. Më shokun e shkollës, Jonuz Zyberi, i cili merrej me fotografim, ecëm lagje për lagje të Shkupit duke kryer bisedat dhe fotografimet. I prezantova kryeredaktorit të atëhershëm të “Rilindjes”, Maksut Shehut, shkrimin, përfshirë edhe bisedën me konsullin e Republikës së Turqisë në Shkup. I mori për t’i lexuar dhe i mbajti disa ditë. E kuptova se e kishte jo të lehtë të nënshkruante gazetën me një seri të tillë shkrimesh. Pas një jave më ftoi dhe më propozoi që në vend të disa vazhdimeve, ta përmbledhje tërë tekstin në një faqe gazete dhe atë për shkak të rrezikut që pas vazhdimit të parë nuk do t’i lejonin t’i botonte vazhdimet tjera. E kuptova sinqeritetin, por edhe taktikën e tij të mençur për ta arritur qëllimin me vetëm një shkrim. Atë mbrëmje në premierën e filmit të Isa Qosjes “Proka” takova redaktorin e atëhershëm të rubrikës së brendshme, Zenun Çelaj. Edhe ai ma ri-konfirmoi se shkrimi kishte shkuar në shtyp. Shkrimi: “Udhëtimi pa kthim” ishte botuar me 25.10.1985 dhe ishte përkthyer nga agjencitë e huaja të lajmeve, por edhe nga ambasadat e huaja ne Beograd. Kishin reaguar Sekretariati për Informim i Serbisë, Kryesia e KK të LK të Kosovës, LSPP, Lidhja e Luftëtarëve e Maqedonisë dhe “Flaka e Vëllazërimit”. Vitet e kaluara në “Rilindje” janë të pashlyera nga jeta ime, sikurse që gazeta “Rilindja” mbetet referencë e patejkalueshme për shkrimin e historisë së Kosovës.

KOHA: Po, Rilind?

REKA: Është emri i djalit tim, i cili lindi në ditët kur po jepte shpirt vajza ime Urata. Pak ditë pas lindjes së djalit, ajo kishte ndërruar jetë dhe emri i parë që më vinte ndër mend ishte Rilind, si një rilindje e jetës. Por, edhe sepse në vitin 1983, dukej se shqiptarët po ri-lindnin dhe po e merrnin veten pas 2 viteve të para të represionit policor. Fundja, periudha më e shndritshme e historisë sonë ishte ajo e Rilindjes Kombëtare, kur të gjitha pjesët e kombit kontribuan në shtet-krijimin shqiptar: nga Prizreni më 1878 me komb-krijimin dhe komb-unifikim, në Manastir në 1908 me gjuhë-unifikimin dhe me 12 gusht 1912 në Shkup me komb-çlirimin. Shpallja e pavarësisë në Vlorë me 28 nëntor ishte vetëm rrjedhë logjike e 3 akteve para-rendëse të Rilindjes.

 

KOHA: Keni qenë ambasador në Bruksel. Cilat janë përshtypjet tuaja mbi Unionin Evropian?

REKA: Po, isha ambasadori i parë dhe i fundit shqiptar i Republikës së Maqedonisë në UE. Në atë kohë në Bruksel ishim 5 ambasador shqiptar, 2 nga Shqipëria (njeri në UE dhe tjetri në NATO) 2 nga Maqedonia (një në UE dhe një në Belgjikë) dhe 1 nga Kosova, përvojë kjo e pa-përsëritshme. Me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ish kryeministri Sali Berisha në drekën solemne na ftoi 5 ambasadorëve shqiptarë për nder të ngritjes së flamurit shqiptar në Selinë e NATO-s. Në qendrën e dytë diplomatike botërore, diplomacia nuk është privilegj, por punë bile e rëndë, aq më tepër që kohë pas kohe “duplifikohesha”. Ambasadorit në UE, i bie barra e rëndë, që t’i komunikojë kryeqytetit të tij, mesazhe jo gjithaq të mira nga Brukseli. Ai shpesh merr mbi vete fajin për atë që shteti i tij e ka bërë, nuk e ka bërë, apo është dashur ta bënte. Udhëhoqa misionin më të madh diplomatik të RM në botë kur morëm rekomandimin e parë për negociatat anëtarësuese, akreditimin e parë për fondet e IPA- s dhe heqjen e vizave.

KOHA: Qytetarët e Maqedonisë dhe të Kosovës, sa janë të përputhshëm me kulturën e Evropës? Ç’dallim ka një shqiptar nga Kosova, për dallim me një shqiptar të Maqedonisë, në aspektin intelektual?

REKA: Shqiptarët nuk dallohen mes veti pa marrë parasysh se ku jetojnë. Jo vetëm në Ballkan, por madje edhe në Kalabri, edhe pas 6 shekujve ata ruajnë traditat shqiptare. Gjuha shqipe është ngjitësi më i forte që ngjiti gjakun e shprishur shqiptar nëpër botë, si gjuhë që është gjuhë-grup në vete. Kulturalisht, ndërkaq jemi komb i koegzistencës ndërfetare, me Shqipërinë – model të tolerancës ndër-fetare brenda shtetit, kurse Kosova me laramanizmin fetar brenda familjes. Shqiptarët kurrë nuk patën luftë ndër-fetare brenda kombit. Ky është brend i ynë kombëtar dhe model për botën e sotme të përplasur ndër-religjioze. Fundja, ky komb me shumicë të besimit mysliman, kishte dhënë Papa të Vatikanit, e në shtator do jep edhe të shenjtën Nëna Terezë. Kombi shqiptar vërtet nuk ka armë bërthamore, por ka armë civilizuese. Nuk kemi brende tekniko-teknologjike, por kemi brende kulturore. Dy novelistë nuk janë pak për një komb të vogël.

KOHA:Zemrën e keni në Kosovë, apo…?

REKA: Po, gjithsesi. Vetëm një kolos si Ali Podrimja ka mund ta shpreh këtë me fjalët “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Kosovën e dua, jo në kuptimin konvencional, por si një e arritur e pa-përsëritshme historike. Si një feniks që do ri-ngritej nga hiri i shekujve. E admiroj Kosovën për trimërinë, heroizmin dhe atdhedashuri. Për optimizmin e saj që edhe kur do ndahej nga Shqipëria e do binte në terrin serb, asnjëherë nuk ndaloi ta ngriste kokën duke i bërë me dije Beogradit se vetëm e vrarë do i ulej koka. Apo siç do këndonte rapsodi ynë Shaqa: “Oj, Kosovë mos thuj kurr se marove”. Vendoseni veten në lëkurën e bashkë-kombësve të ndarë nga Shqipëria e të lënë nën juridiksionin serb në vitin e largët 1913. Çfarë fuqie njerëzore mund të mbante gjallë idenë për çlirim nga kolonializmi serb? Para një shekulli kjo as që mund të paramendohej, kur 5 fuqitë evropiane kishin ndarë vëllezërit dhe bashkuar armiqtë, duke flijuar Shqipërinë kontinentale për Shqipërinë detare. Prandaj e dua Kosovën jo si gjeografi, por si filozofi dhe sukses civilizues se si pjesa e ndarë e kombit – buzë shfarosjes, mbijeton dhe një ditë sovranizohet shtetërisht. Kisha fatin që ato vite vendimtare të punoja me Dr. Ibrahim Rugovën, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LKD-së (1993-1997), deri sa nuk dhashë dorëheqje për t’iu bashkuar protestës studentore të 1 tetorit 1997. Si këshilltar i Adem Demaçit, kur ai ishte zëdhënës i UÇK në Prishtinë (1998). Si këshilltar i Dr. Bernard Kushnerit, (1999-2000) shefit të UNMIK-ut kur pas lufte ndaluam zbatimin e ligjeve Serbe dhe filluam hartimin e legjislacionit të ri të Kosovës. Së fundi si këshilltar për integrime evropiane i Presidentit Pacolli (2011). Kosova pos trimërisë e atdhedashurisë dha edhe brende kulturore, si: Esad Mekuli, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha, Ehat Musa, Gazmend Zajmi, Rrita Ora, sportist kulmor si Majlinda Kelmendi, apo film-kandidat për Oscar – “Shoku”.

 

KOHA: Keni dëgjuar për një fshat në mes Dibrës dhe Gostivarit, me emrin “Reka”. Nëse po, çfarë di për këtë krahinë?

REKA: Mbaj ende mbiemrin e kësaj krahine të lavdishme shqiptare. Historia e Rekës nuk dallon nga historitë e krahinave tjera shqiptare, që ishin gjymtuar kombëtarisht dhe pjesëtuar territorialisht. Të parët tanë, para 300 vitesh ishte vendosur në Tetovë, pas ikjes nga Reqedardha e Dibrës së Vogël – shkaku i gjakmarrjes. Nëna e babës, Hyrmyz Luma, ndërkaq ishte lumjane. Babai im, ishte pasardhës i Rekalinjve (të cilët rapsodët u këndohen trimërisë së tyre – si diga e fundit mbrojtëse që nuk kishte lejuar hyrjen e ushtrisë serbe në Shqipëri); dhe nënës Lumjane, (po kështu krahinë e njohur për guximin dhe trimërinë). Regjime dhe juridiksione të huaja ishin zëvendësuar në krahinën e Rekës, sidomos kësaj në Mavrovë. Ishin bërë përpjekje që identiteti i pastër kombëtar i Rekalinjve, të zëvendësohej me atë fetar, por pa sukses. Otomanët apo serbët, kralët apo komunistët, ishin shtyrë me eksperimentimin e metodave për ndryshimin e identitetit kombëtar, por nuk kishin mundur të asgjësonin substancën shqiptare të kësaj pjese të harrura të kombit tonë. Shqipja, mbeti rubikoni identitar i shqiptarëve të Rekës.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.