Evis HALILI
Shkup, 26 janar – Përvjetori i 73-të i çlirimit të kampit nazist të Aushvicit është shënuar me një Akademi përkujtimore të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore (ITSHKSH), shoqata “Acta Non Verba”, në bashkëpunim me Sekretariatin e Çështjeve Evropiane, shkruan gazeta KOHA. Në nder të viktimave dhe të mbijetuarve të ferrit nazist, por edhe të sakrificës së shqiptarëve që ndihmuan në shpëtimin e shumë jetëve, u promovua edhe libri me kujtime i autores herbreje, “Jeta ime nën pushtimin nazist”, Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi. Nga Shkupi në Shkodër, Mimi dhe Alberto, një çift i sapomartuar arratisen që të mos përfundojnë në kampin e përqëndrimit në Treblinkë. Janë memoare, për të cilat heshti gjithë jetën dhe i shkroi pak kohë para se të vdiste, në mënyrë që tmerri i gjenocidit nazist të mos harrohej. Kujtimet e Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi janë simbol i së mirës dhe shtytje në betejën e pareshtur për drejtësi, ka thënë zëvendëskryeministri për Integrim dhe çështje evropiane, Bujar Osmani, në fjalën e hapjes.
“Megjithëse janë të shumta sfidat që janë të shoqëruara me paqëndrueshmëri në periudha të caktuara kohore, prapëseprapë vendi ynë sot është aspirant për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe BE dhe po bëjmë çmos për të vënë në jetë vlerat evropaine për barazi, humanizëm dhe solidaritet. Kjo për shkak se këto vlera janë të mishëruara në premisën e antifashizmit, dhe që sigurojnë prosperitetin si arritje qytetëruese, në mënyrë që krimet kundër njerëzimit të mos përsëriten”, u shpreh Osmani. Ambasadori i Izraelit Dan Oryan, duke folur për simbolikën e kësaj date përkujtimore, 26 janarin, që shënohet kudo në botë, tha se qëllimi është që historia e holokaustit dhe tragjedia e popullit hebre të mos përsëritet. Duke iu referuar aktiviteteve në Maqedoni, krijimit të Fondit, Qendrës së holokaustit, botimeve, e të tjera, tha se duhet të bëhet akoma më shumë punë. Për drejtorin e ITSHKSH, Skënder Asani, ky libër do t’u shërbejë historianëve për të zbardhur sa më mirë rrethanat e Holokaustit, por edhe shkollave dhe universitete si literaturë referuese, raporton KOHA.
“Kemi hapur një proces të munguar deri më tani edhe nga historiografia shqiptare, dhe me zbardhjen e rasteve në vitet e fundit, po dëshmojmë se edhe pas shtatë dekadave, çështja e shpëtimit të hebrenjve është shumë e freskët, po ngjallë emocione të shumta dhe po motivon hulumtuesit për të zbardhur raste të reja..Në manifestimin e vitit 2015, mundësuam emetimin e filmit dokumentar “Besa“, dhe dhjetë ditë para emetimit, producentët na kontaktuan për të na sugjeruar se është paraqitur një personazhe e mbijetuar, e cila ka shprehur dëshirë që të jetë pjesëmarrëse në këtë ngjarje dhe për të treguar rrëfimin e saj. Me kënaqësi i bëmë ftesë zonjës Ita (Drita) Bartuv, për të qenë pjesë e evenimentit. Ky ishte edhe momenti që na mundësoi neve sot të tubohemi bashkë për të promovuar këtë libër me kujtime të nënës së saj”, ka thënë Asani.
Në promovimin e librit me kujtime “Jeta ime nën pushtimin nazist” i autores Mimi Kamhi Ergas–Faraxhi, ka qenë prezente e bija e autores Ita (Drita) Bartuv, e cila të drejtat autoriale për botimin e këtij libri autobiografik në tre gjuhë ia ka dhënë ITSHKSH. “Jam shumë e lumtur që kujtimet e nënës time do të kontribuojnë në studimin e holokaustit nëpërmjet historisë së saj personale. Por më i rëndësishëm është fakti se historia e saj ndriçon një anë tjetër të qenies njerëzore, të tyre që shpëtojnë jetë njerëzish, duke vepruar nën një kod nderi, siç është Besa, e veçantë dhe e jashtëzakonshme”, thotë Bartuv për këtë libër. Pas Shkupit, “Jeta ime nën pushtimin nazist” do të promovohet edhe në Shkodër. (koha.mk)