Joe Moroney nuk e kishte menduar kurrë se jeta do të tregohej aq e padrejtë, dhe do t’i merrte brenda pak vitesh tre femrat më të rëndësishme për të: bashkëshorten Nicole, e cila ishte shtatzënë në javën e 24-të kur humbi jetën para 6 vitesh si pasojë e një arresti kardiak, vajzën Ruby që arriti të mbijetonte vetëm 14 orë pas lindjes me ndërhyrje cezariane, dhe së fundi Lucyn. Vajza 11-vjeçare mbylli sytë para pak ditësh pas një lufte të gjatë me Diffuse Intrinsic Pontine Glioma (DIPG) – një kanceri i rrallë i trurit, me të cilin ishte diagnostikuar që në korrik të vitit 2017-të.
Edhe pse vogëlushja britanike nga HesWall shfaqi disa shenja përmirësimi, pas trajtimit në Meksikë, ajo u nda nga jeta duke lënë një dhimbje të pafundme, sidomos për babanë e saj. Në një postim në Facebook, Joe ka përlotur të gjithë me historinë e tij dhe dhimbjen shkatërruese që po provon këto ditë.
“Lucy, kur linde 11 vite më parë, unë dhe mami zgjodhëm emrin tënd duke e ditur që do të thoshte “dritë”. Drita jote ka ndriçuar gjithmonë shumë, thesari im. Kam qenë i pranishëm kur nëna dhe motra jote Ruby (që vdiq pak orë pas lindjes) dhanë frymën e fundit, por ishte traumatike të bëja edhe njëherë të njëjtën gjë, edhe pse e dija që do të ndodhte që 16 muaj më parë. Sado e dhimbshme që ishte kjo eksperiencë, nuk do të kisha zgjedhur kurrë të isha në vendin e dikujt tjetër pa vogëlushen time. Ishe vajza e ëndrrave, përsosmëria absolute. Ishe e mirë si ari, kaq e dashur, e bukur dhe me zemrën më të pastër. Duhet ta kesh marrë nga nëna jote. Nuk u ankove për asgjë gjatë gjithë trajtimit dhe më ke çuditur me forcën, guximin dhe mirësinë tënde. Ishe e bukur brenda dhe jashtë dhe do të më mungojë buzëqeshja jote rrëzëllitëse, sensi fantastik i humorit dhe shpirti yt i ndjeshëm dhe perfekt. Bota është një vend shumë herë më i keq pa ty dhe shpresoj që mami dhe Ruby të kujdesen tani për ty.”/Burimi ”MIRROR”