Një nga emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare Jeta Faqolli ka pauzuar dy vite në karierë e është rikthyer me një projekt të ri në duet me Kastro Zizon të titulluar “Bashkë”, një këngë e mrekullueshme e që këngëtarja nuk do të ndalet me kaq pasi deri në fundvit do të sjellë edhe një tjetër projekt. Në një intervistë për Infrared të gazetës KOHA, Jeta tregon më shumë rreth vetes
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Po rikthehesh pas një kohe me një videoprojekt, na thuaj pak më shumë mbi këtë bashkëpunim dhe pse në duet?
Po, në fakt kisha dy vite më parë që ia kam kërkuar Kastros këtë duet dhe u bëmë mbarë këtë periudhë, dua të theksoj që Kastro është personi i parë që kam takuar në fillimet e mia dhe i kam kërkuar ndihmë për të realizuar këngën e parë dhe në atë kohë ai u tregua shumë i gatshëm dhe i jam mirënjohëse për këtë e gjithashtu mund të them që para një fillim shumë të mbarë.
KOHA: Të ka munguar skena, na thuaj aktivitetin që kë bërë gjatë gjithë kësaj kohe?
Patjetër që më ka munguar qe dy vite, por më është dashur një moment reflektimi, gjatë kësaj kohe kam punuar por më shumë në pjesën e live-it dhe po ndihem shumë mirë në këtë pjesë.
KOHA: Përveç kësaj kënge, çfarë tjetër ke punuar dhe do lancosh deri në fundvit?
Kam dhe një këngë tjetër që pres të xhiroj me videoklip, shpresoj që të realizoj para Vitit të ri.
KOHA: Çfarë ka ndodhur tek jeta e Jetës këtë kohë që lexuesit nuk e dinë?
Asgjë e veçantë, vazhdoj po njëjtë me angazhimet e mia.
KOHA: Në klipin e fundit thoni ‘Bashkë’, a është bashkë me dikë Jeta?
Jo akoma nuk kam diçka për të thënë, në momentin që do jenë gjërat më konkrete atëherë do e bëj me dije se nuk kam pse të mbajë sekret.
KOHA: Ka kohë që nuk ke dhënë ndonjë koncert në Maqedoni, të mungon publiku këtu?
Po e vërtetë nuk kam qenë prej vitesh atje se nuk e di nëse ka evente muzikore ose thjeshtë më kanë harruar për të më bërë ftesë organizatorët, po patjetër që më ka marrë malli.
KOHA: Ku e sheh veten pas 10 vitesh?
Pas 10 vitesh mendoj veten të martuar me fëmijë dhe e fokusuar më shumë në jetën familjare, e ëndërroj një familje të mirë.