Neymar ka përdorur rrjetet sociale për të ndarë një mesazh sfidues, ndërsa vazhdon riaftësimin e tij nga një lëndim në shputën e këmbës. Ylli i PSG është larg fushave të lojës që nga dëmtimi në fitoren e “Coupe de France” kundër Strasburgut, muajin e kaluar.
27-vjeçari e humbi triumfin 2-0 të PSG kundër Manchester United të martën, në Champions, por zbuloi se shpreson të kthehet në kohë për të luajtur në çerekfinale të këtij kompeticioni, nëse skuadra e Thomas Tuchel shmang përmbysjen e papritur në përplasjen e kthimit me “Djajtë e Kuq”.
“Po bëhet më mirë,” – tha sulmuesi në shfaqjen e tij për “YouTube” e Fui Clear: “Kam bërë tashmë disa trajtime për t’u përmirësuar sa më shpejt të jetë e mundur. Jemi të kënaqur me përparimin dhe me mënyrën se si po shkojnë gjërat.
Mezi po pres të bëj atë që më pëlqen të bëj më së shumti në jetën time, të luaj futboll. Eshtë 8 deri në 10 javë, periudha e rimëkëmbjes. Po punoj për ta përshpejtuar procesin e riaftësimit”.
Megjithatë, Neymar u ndal me kaq. Ai publikoi një video të vetvetes, duke festuar si ultras golat e PSG në fitoren e “Old Trafford”. Po ashtu, përdori llogarinë e tij personale në Instagram, ku hodhi edhe një foto me patericat në duar dhe la këtë status: “Sepse jeta është për luftëtarët, asgjë nuk më dobëson!”