Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore ka regjistruar një numër të madh dëmtimesh të sinjalizimit si fizik, por edhe me anë të mbishkrimeve. Ka raste të shpeshta edhe të vjedhjes së pllakave të aluminit si pjesë e sinjalizimit rrugor
Remzije BILALLI
Shkup, 11 shtator – Në rrugët e Maqedonisë vozitësit i pret gjendje jo e mirë e sinjalizimit për shoferët, të cilët duhet të paralajmërohen për shpejtësinë e vozitjes, drejtimin, gjendjen. Shpesh vozitësit hasin në shenja të shkatërruara ose thjesht i gjejnë vetëm shtyllat e shenjave. Ndodhë që shenjat të jenë, por ato mbulohen nga degët e pemëve e shkurreve, të cilat askush nuk i pret, shkruan gazeta KOHA.
Institucionet përgjegjëse thonë se rregullisht inspektojnë gjendjen e sinjalizimit nëpër rrugë duke i rregulluar kështu edhe pasojat të cilat vinë si rezultat i sinjalizimit. Shkatërrimi dhe vjedhja kryesisht bëhen për arsye ekonomike dhe sociale, por është edhe mungesë e kulturës dhe përgjegjësisë elementare. Kjo përveçse është krim, rrezikon edhe jetën e udhëtarëve në trafik. Qëndrimi i papërgjegjshëm ndaj grupit të sinjalizimit shpesh vërehet në rrugët shtetërore, si dhe në zonat urbane. Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH) ka regjistruar një numër të madh dëmtimesh të sinjalizimit si fizik por edhe me anë të mbishkrimeve. Ka raste të shpeshta edhe të vjedhjes së pllakave të aluminit si pjesë e sinjalizimit rrugor.
“Ne apelojmë qe të mos bëhet dëmtimi dhe shkatërrimi i shenjave të rrugë sepse kjo ndikon ndjeshëm në sigurinë e trafikut dhe në të njëjtën kohë shkakton dëme financiare”, theksuan nga NPRRSH. Këshilli Kombëtar për Sigurinë në Trafikun Rrugor (KKSTR) sqaron se motivet për shkatërrimin e shenjave të trafikut mund të jenë të ndryshme, por kryesisht bëhet për arsye ekonomike dhe sociale. “Infrastruktura e trafikut dhe sinjalizimi i trafikut janë një nga tre faktorët kryesorë nga të cilat varet siguria në rrugë. Pavarësisht se cilat janë motivet nuk justifikohen këto dëme sepse përveç që janë vepra penale nga ana tjetër rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve të trafikut”, konstaton KKSTR.
Programi i KKSTR për këtë vit parashikon një numër të madh aktivitetesh për ndërgjegjësimin dhe rëndësinë e sinjalizimit në trafik. Për këtë vit janë parashikuar rreth 120 milionë denarë investimet për vendosjen e sinjalizimit horizontal dhe vertikal si dhe pajisjeve të reja rrugore. “Po punohet për instalimin dhe rindërtimin e sinjalistikës rrugore në të gjitha rrugët e destinuara për rehabilitim, si dhe një pjesë të fondeve janë paraparë për NP për mirëmbajtjen e rrugëve”, njofton Këshilli Kombëtar për Sigurinë në Trafikun Rrugor, sipas të cilit fondet IPA2 janë paraparë për rindërtimin e Korridorit 10 në përputhje me standardet evropiane me vlerë prej 10 milionë euro. (koha.mk)