Jeta e kalimtarëve në rrezik

26

Rreziku për këmbësorë ende ekziston si pasojë e  mungesës së semaforëve. Në bulevardin “Hristijan Todorovski Karposh”, në Çair, vitin e kaluar nga një veturë u goditën tre fëmijë, ndërkohë që banorët kanë kërkuar nga Qyteti i Shkupit vendosjen e një semafori

Omer XHAFERI
Shkup, 31 tetor – Qyteti i Shkupit ende nuk e ka vendosur semaforin e kërkuar nga banorët e lagjes së Çairit, në bulevardin “Hristijan Todorovski Karposh”, ku vitin e kaluar nga një veturë u goditën tre fëmijë. Ndërkohë, gjendja e komunikacionit në këtë pjesë të Shkupit, vazhdon të mbetet kritike, gjegjësisht shpejtësia e veturave është vërejtja kryesore e banorëve të shtëpive dhe banesave përreth. Restaurimi i kësaj rruge e cila shpie drejtë Qarkores së Shkupit dhe vendosja e asfaltit të ri vite më parë, këtë rrugë e ka shndërruar në një pistë garash gjatë 24 orëve të ditës.  Për këtë problem të banorëve të Çairit dhe kërkesë për vendosjen e semaforit nga Qyteti i Shkupit thonë se janë të njoftuar, gjegjësisht nga atje njoftojnë se presin përgjigje përfundimtare nga organet e rendit për realizimin e mëtutjeshëm të kësaj kërkese.
“Në drejtim të ngadalësimit të komunikacionit, në më shumë lokacione u vendosen shirita vibrues dhe shenja ndriçues për shikueshmëri më të qartë dhe siguri të këmbësoreve, ndërsa ishte i përgatitur edhe projekt (kërkesë) për vendosjen e semaforit deri te Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët duhet ta miratojnë”, thonë nga Qyteti i Shkupit. Rreth kontrollit të shoferëve, nga atje thonë se vetëm mund të apelojnë që të njëjtit t’ju përmbahen shkresave ligjore dhe ta kufizojnë shpejtësinë, për arsye se gjobat dhe kontrollohet janë kompetencë e MPB-së.

Me qëllim vendosjen e rendit dhe disiplinës në komunikacion organet e rendit gjatë muajve të fundit në mënyrë intensive realizojnë kontrolle nëpër rrugët e vendit. Të dhënat e fundit nga MPB, flasin se si rezultat i aksioneve të fundit të kontrolleve në komunikacion numri i aksidenteve është zvogëluar për 7.5 për qind. Gjatë kësaj jave siç njoftojnë nga MPB vetëm në Çair janë shqiptuar 131 gjoba për shkelje të rregullave të komunikacion. Prej tyre 19 gjoba kanë qenë për tejkalim të shpejtësisë së lejuar dhe për mos pasje të patentë shoferit.
Ndryshe, faktin se rreziku për këmbësor ende e ekziston në këtë rrugë, e tregon rasti i fundit ku nga goditja e veturës mbeti i vdekur një qytetar 37 vjeçar. Fatkeqësisht drejtuesi i veturës në këtë rast ishte një person i mitur, i cili pas ngjarjes sipas përshkrimit të rastit nga MPB, ai është larguar nga vendi i tragjik, mirëpo i njëjti për shkurtë kohë është kapur. Rastet të ngjashme në këtë rrugë viteve të fundit janë regjistruar shumë. Rrezik potencial për jetën e qytetarëve janë edhe shpejtësia e motoçikletave, të cilat deri më kjo kategori i pjesëmarrësve në komunikacion vetvetiu ka pësuar në disa aksidente të rënda në rrugën “H.T Karposh”. (koha.mk)