Sulmuesi i Brazilit, Gabriel Jesus, është suspenduar për dy muaj nga ndeshjet me përfaqësuese, pasi u përjashtua me karton të kuq gjatë finales së Copa Americas muajin e kaluar, njoftoi BBC-ja të enjten.
Sulmuesi i Manchester Cityt, që shënoi në fitoren 3:1 ndaj Perusë, kishte protestuar ashpër te referi Roberto Tobar, më pas shqelmoi një shishe me ujë dhe e shtyri monitorin e VAR-it, derisa po largohej nga fusha.
Jesus po ashtu është gjobitur me 30 mijë dollarë nga Konfederata e Futbollit e Amerikës së Jugut (CONMEBOL). Sulmuesi do të mungojë në miqësoret e shtatorit kundër Kolumbisë dhe Perusë.
“Gabriel Jesus është i suspenduar për dy muaj nga dita e njoftimit të këtij vendimi. Lojtarit i mohohet të luajë ndeshje zyrtare dhe miqësore me përfaqësuesen gjatë kësaj periudhe”, është thënë në komunikatën e CONMEBOL-it.