Tashmë është bërë e udhës që çdo lajm i rëndësishëm për personazhet e njohura të sportit të jepet nëpërmjet rrjeteve sociale. Kështu ka ndodhur edhe me zyrtarizimin e divorcit të sulmuesit të Stoke City-t (ish-lojtar i PSG dhe Realit), Jese Rodriguez, me modelen Aurah Ruiz, me të cilën ishte lidhur që kur luante me Realin e Madridit.
Çifit kaloi një periudhë të vështirë, pasi djali i tyre Nyan, lindi para kohe dhe pati probleme të shumta shëndetësore. Në momentin kur gjithçka dukej e kaluar, vjen postimi në Twitter i futbollistit:
“Për fat të keq lidhja ime me Aurah ka marrë fund. Kemi kaluar momente të vështira për djalin tonë Nyan, i cili po përmirësohet dhe shpresoj që do ta lërë shumë shpejt spitalin. Kërkoj respekt dhe mirëkuptim nga të gjithë. Shpresoj që unë, Aurah dhe fëmijët e mi të jetojmë një jetë të lumtur dhe të qetë.”
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i modeles po në rrjetet sociale, ku i kërkon ish-partnerit të saj të mos kërkojë respekt nga të tjerët kur ai vetë nuk i ka kryer detyrat bashkëshortore, duke hequr dorë në momentin më të vështirë për familjen e tij. Aurah theksoi se Jese ka menduar më shumë për futbollin dhe jo për djalin e tij.