Shkup, 20 maj – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) ishte në vizitë Jeremy Jones – drejtor i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Komunitare të Australisë, i cili njëherazi është edhe drejtor i Këshillit Izraelito-Australian për Çështjet Hebraike, njofton Koha.mk
Në këtë takim u fol për përvojat australiane të komunikimit ndër-religjioz, me ç’rast z. Jeremy shpjegoi se Australia është ndoshta vendi i vetëm në botë ku komunitetet religjioze bashkekzistojnë mes vete pa shënuar as edhe një incident të vetëm, madje dha plot shembuj se si të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë bashkëpunojnë për shumë çështje dhe kultivojnë dashuri të ndërsjellë mes vete.
Drejtori Asani, nga ana e tij njoftoi për përpjekjet që i ka bërë dhe i bën Instituti në këtë drejtim, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me të gjitha komunitetet religjioze në vend, ndërsa në këtë drejtim e veçoi themelimin e departamentit të Studimit dhe Edukimit për Holokaustin.
Pas këmbimit të përvojave, u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe ofrimit të ndihmës së ndërsjellë, si dhe pjesëmarrjes në konferenca e aktivitete të përbashkëta.(koha.mk)