Katër prezenca në fazën e grupeve të Ligës së Evropës dhe dy gola me fanellën kuqezi të cilëve u bashkohet edhe një realizim në kampionat. Nuk mund ta imagjinonte një fillim më të mirë të aventurës së tij, Jens Hauge kur dy muaj më parë iu bashkua Milanit. Dje norvegjezi shënoi golin e avantazhit dhe dhuroi asistin për të vulosur sfidën, teksa pas saj u ndal duke folur për televizionin e klubit.
– Si do ta përshkruani këtë ndeshje, ndoshta më e mira për ju deri më tani?
Ishte një mbrëmje e bukur për mua, por sidomos për skuadrën e kjo është ajo që ka më shumë rendësi. Na duhej fitorja dhe ia dolëm mbanë. Personalisht jam shumë i lumtur, aq më tepër për mënyrën se si rrodhën ngjarjet sepse duhet pranuar që nuk e nisëm edhe aq mirë takimin. Gjithsesi, gabimet janë pjesë e lojës dhe më gëzon mënyra se si reaguam në fushë.
– Një tjetër gol ndaj të njëjtit rival…
Punoj çdo ditë fort për t’u përmirësuar. Mundohem të mësoj diçka të re sa herë stërviten dhe puna brenda këtij grupi më jep kënaqësi. Rezultatet në fushë janë fryt i asaj që bëjmë në stërvitje, ndaj më duhet ta falënderoj trajnerin dhe shokët.
– Si gjendeni te kjo skuadër?
Pa dyshim shumë mirë. Luajmë për njëri-tjetrin dhe kemi dëshirë të sakrifikohemi. Ndihma nuk mungon në asnjë moment dhe nëse më duhet ta përkufizoj do të thoja se jemi një familje. Na pëlqen të luajmë në Evropë dhe më vjen mirë që arritëm të kualifikohemi.
– Cili është opinioni juaj për momentin që po kalon Milani?
Fitoret kanë shumë rëndësi për grupin. Mund të ndodhë që edhe të humbin, por reagimet kanë më tepër rëndësi. Jemi të parë në kampionat dhe në 1/16-ën e Ligës së Evropës. Gjykimi im është pozitiv.
– Në fushë duket, por a keni përparuar me italishten?
Është një nga synimet e mia dhe ndjek mësime private. Po punoj për këtë aspekt e uroj që në intervistën e radhës të përgjigjem në italisht.