Drejtori sportiv i Juventusit, Xhuzepe Marotta, ka konfirmuar se “Bianconerët” po tentojnë ta transferojnë Emre Xhanin nga Liverpuli. Gjermani aktualisht ka kontratë me klubin nga “Anfield Road” e cila skadon në fund të këtij sezoni. Marotta thotë se ai dhe klubi i tij po tentojnë ta respektojnë Liverpulin në këtë tratativë, por edhe vet rregullat.
“Emre Xhan është një lojtar që po i skadon kontrata kështu që kjo na lejon që të afrohemi për negociatat, të cilat ne tashmë i kemi ndërmarrë. Unë nuk mund të them nëse ai mund të nënshkruajë kontratë të re te Liverpuli, por gjithë ajo që mund të them është se ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta marrë lojtarin. Ai aktualisht është te Liverpuli dhe ne e respektojmë Liverpulin, por edhe rregullat”, tha drejtori i Juventusit. Kujtojmë, Xhan ka kohë që është në radarin e Juventusit dhe gjiganti italian do të tentojë ta transferojë për një çmim të arsyeshëm në janar, më së largu gjatë verës në parametra zero, me variantin e dytë që nuk i përshtatet Liverpulit.
Në anën tjetër, Marotta ka folur edhe për Paulo Dybalan dhe Klaudio Markision. Në një intervistë për mediat italiane hodhi poshtë çdo hipotezë që e jep të ardhmen e sulmuesit argjentinas larg bardhezinjëve. “Juventusi shet vetëm ata futbollistë që kërkojnë largimin por Dybala nuk është njëri prej tyre ndërsa edhe Klaudio Markhisio është një lojtar shumë i rëndësishëm për bardhezinjtë”, përfundoi Xhuzepe Marotta.